Për amerikanët, mbajtja e Kosovës është interes më i madh se sa humbja e Serbisë

    Foto: A2 CNN

    REDI SHEHU

    Historia moderne e Kosovës shtet, këto dy dekadat e fundit, na mëson se lidershipi politik i saj, në mënyrë të përsëritur, në të gjitha bisedimet dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë apo edhe në bisedime përballë serbëve, ka qenë të pranuarit me plot gojë të të negociuarit të persekutimit, vuajtjes dhe aparteidit me shkaktarin e saj.

    Në përgjithësi, zakonisht, bisedimet janë një proces që angazhon dy palë, të cilat negociojnë asetet e veta për të arritur në një marrëveshje dypalëshe. Kosova ka qenë prezente në këto bisedime, duke vënë në tryezë asetin e vetëm që kishte, atë të të qenurit viktimë e padrejtësisë dhe vrasjeve historike ndaj saj. Ky aset, për shkak se gëzon atribute morale të njohura ndërkombëtarisht, është i panegociueshëm.

    Nuk mundet askush të negociojë mbi gjakun, pronën, territorin apo edhe moralin e një kombi. Këto janë vlera të pacenueshme dhe të panegociueshme nga askush. Ky është parim i përbotshëm dhe askush nga shqiptarët nuk e mendon ndryshe këtë fakt. Ashtu siç e kemi pas diskutuar edhe në krye të herës, lindja dhe ekzistenca e lëvizjes “Vetëvendosje” u bë realitet pikërisht duke zanafilluar mbi këtë parim të panegociueshmërisë së vlerave kombëtare.

    Por ama ka një problem me kontekstin më shumë se sa me parimin, konteksti në të cilin vetëvendosja e mori pushtetin është tipikisht ai ku “Vetëvendosja” ndodhet në kohën kur sot nuk vetëvendoset në Kosovë. Kosova është një shtet që akoma fatkeqësisht është nën rezolutën 1244 të Kombeve te Bashkuara, si e tillë akoma nuk ka atributet e një shteti i cili mund të imponohet në arenën ndërkombëtare me vetëvendosje. Përkundrazi mbrojtjen e vlerave të sipërpërmendura kombëtare, historinë, gjakun, flamurin dhe të ardhmen e saj duhet ta bëjë ne bashkëvendosje me ndërkombëtarët të cilët janë një realitet kokëfortë i ekzistencës së Kosovës sot. Do të donim të ishte një realitet tjetër, do të donim që Kosova të ishte një shtet i njohur ndërkombëtarisht prej kohësh, bile do të donim që të mos bëhej gabimi i vitit 1999 menjëherë pas çlirimit, fakti që nuk u punua për ta bërë menjëherë Kosovën shtet në kohën më të përshtatshme të mundshme kur Sebia ishte e shkatërruar ushtarakisht, politikisht dhe moralisht.

    Problemi me Kryeministrin Kurti nuk është tek parimet të cilat ai mbron, përkundrazi askush nuk ka kundërshti në ato parime, problemi me të është se kërkon të vetëvendosë në kohën e bashkëvendosjes. Kërkon të imponohet në një kontekst krejt tjetër nga ai që do të dëshironim të ishte. Nganjëherë vetë e vërteta dëmtohet nga keqvendosja e të vërtetave, dhe shpesh herë e shtrembëta dhe e gabuara marrin atributet e së “vërtetës” nga kujdesi me kontekstin në të cilat ato qëllimisht vendosen. Pra, nuk mjafton të kesh vetëm të drejtë, por duhet që të dish si këtë të drejtë ta vendosësh në kontekstin e duhur me metodat e duhura.

    Në veri të Kosovës po ndodh ajo që prej kohesh ishte e vështire të shmangej. Fitorja e “Vetëvendosjes” paralajmëronte për një qëndrim më të fortë dhe shtrirje të kontrollit në të gjithë territorin, ndërkohe që komuniteti ndërkombëtar i ndarë mes BE dhe SHBA tashmë nuk ka një qëndrim kontradiktor për Kosovën dhe aq më keq për Serbinë. Lufta në Ukrainë ndërroi kahjet e interesave të faktorit ndërkombëtar ndaj Serbisë duke e vënë atë në plan të parë, por edhe duke unifikuar këtë faktor. Albin Kurti po luan gjithçka për gjithçka. Pavarësi, integritet dhe vetëvendosje përkundrejt elasticitet, fleksibilitet dhe marifet. Marrëveshjet e ofruara së fundmi Kosovës nga Borrel dhe Lajcak janë jo vetëm zhgënjyese por edhe fyese.

    Kosova duhet të këmbëngule në të drejtën e saj. Kurti po përpiqet te ndërtoje fakte të reja në terren në mënyre që të negocioje në pozita më të forta me serbet dhe për këto po luan fort. I vetmi rrezik është që e gjithë kjo të mos i kthehet në “boomerang”. Kosova duhet të zgjerojë bazën e aleancave te saj me shumë shtete te fuqishme ashtu siç Serbia bën me Rusinë dhe Kinën. Pas luftës në Ukrainë, gjithçka për Kosovën është ndryshe. Ndryshe duhet të jetë edhe qëndrimi i gjithë shqiptarëve në favor të saj. Nuk është koha të nxjerrim fajtore, pavarësisht keqpërdorjes nga z. Kurti të kontekstit në të cilin Kosova ndodhet. Sot është koha ta nxjerrim Kosovën fitimtare nga e gjithë kjo histori. Z. Kurti duhet ta dijë se ka dy mënyra në se do që të drejtat e tua të arrihen.

    E para është lufta e cila nëse fitohet të garanton marrjen e maksimumit absolut të të drejtave të tua. E dyta është marrëveshja politike, e cila në ndryshim nga lufta, arrihet me konsensusin ku secila palë duhet të lëshojë nga pretendimet e veta për të ardhur në një mesatare të pranueshme nga të gjitha palët. Ajo që po bën Kurti sot është pretendimi për të marrë rezultatet e një lufte të fituar, por jo me beteja në terren por me marrëveshje politike. E kjo gjë nuk ka ndodhur në asnjë nga manualet e shkencave politike. Prandaj, z. Kurti dhe “Vetëvendosje” duken të dalë jashtë kontekstit të tyre pikërisht në sajë të pretendimit maksimal me metoda të kufizuara. Gjithmonë kam menduar se Serbia kupton me gjuhën e forcës.

    Ndryshimi me të kuptuarit e “Vetëvendosjes” është se forca jo gjithmonë është fizike. Sot, amerikanët për shkak të luftës në Ukrainë, nuk kanë luksin t’i kundërvihen Evropës për politikat e saj ndaj Kosovës, siç bënte Trump, dhe kanë pranuar të jenë vëzhgues. Gjithsesi, në fund, pavarësisht pragmatizmit amerikan, ndryshe nga evropianët, mbajtja e Kosovës për ta është interes më i madh se sa humbja e Serbisë. Këtë duhet ta ketë parasysh “Vetëvendosja”, e cila ndryshe nga serbët, ulet në tryezën e bajlozëve, duke mos pasur as edhe një aleat me vete, bile edhe më keq, duke i sulmuar të vetmit që ka. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Pse u besojmë lajmeve të rreme?

    Lajmi i rradhës

    Të punësuarit në Higjienën Komunale “surprizohen” me përjashtim nga puna

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë