Të punësuarit në Higjienën Komunale “surprizohen” me përjashtim nga puna

    Edhe 27 të punësuar të ndërmarrjes publike “Higjiena Komunale” në Shkup, mbrëmë janë përjashtuar nga puna. Njoftimin e kanë mësuar kur kanë shkuar në punë ndërrimi i tretë, ku kanë hasur në tabelën me emrat e të përjashtuarve.

    Të përjashtuar janë pjesëmarrësit në protesta, mes të cilëve 10 janë në pozitën e “përgjegjësit të bllokut”, shtatë të punësuar që kanë mbledhur mbeturina, pesë shoferë të automjeteve speciale për ngarkesa të rënda si dhe nga një përgjegjës i ndërrimit si magazinier, pastrues me fshesë, shofer i automjetit special për ngarkesa të lehta dhe shofer i automjetit të vogël që fshin rrugët. Të punësuarit për tre ditë me radhë protestuan për rritjen e pagave, për pagesën e K-15 dhe kushte tjera. Ditë më parë në konferencë për mediat Kryetarja e Qytetit të Shkupit dhe drejtorja e Higjienës Komunale Kosana Mazneva, deklaruan se në këtë ndërmarrje janë bërë keqpërdorime të mëdha, si punësimi i 70 personave nga një familje dhe 43 personave nga një familje tjetër. Ata akuzuan për klane mafioze brenda ndërmarrjes, ku vetëm persona të caktuar kanë punuar në ndërrimin e natës, e disa prej tyre nuk kanë shkuar as në punë dhe kanë marrë paga duke jetuar dhe punuar në gjermani. Mbi 30 persona me vite kanë jetuar në Gjermani por kanë marrë paga mujore nga Higjiena Komunale.

    I pyetur se sa kallëzime penale janë dorëzuar në MPB për punonjësit e Higjienës Komunale që kanë marrë paga dhe nuk kanë shkuar në punë dhe nëse do të ketë kallëzim ndaj drejtoreshës Kosana Mazneva që e ka toleruar një gjë të tillë për 11 muaj, Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski u përgjigj se kallëzimet penale i janë dorëzuar Prokurorisë, por nëse është dorëzuar kopje në MPB do të veprohet, por duhet të mblidhen të gjitha provat.

    “Mirëpo, nëse ka mospërputhje në punë, nëse ka paga për personat që ishin të punësuar me kontratë dhe nuk kanë shkuar në punë dhe janë keqpërdorur mjete buxhetore, secili për këtë do të mbajë përgjegjësi. Pra, këtu nuk do të ketë lëshim dhe nuk do të ketë asnjëherë lëshim për asnjë situatë dhe mendoj se kjo duhet të sanksionohet për t’i dhënë fund politikave dhe lojërave që ndodhin në kurrizin e qytetarëve, ndërsa këtu është në kurrizin e shëndetit të qytetarëve”, deklaroi Oliver Spasovski, MPB.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski deklaroi se kanë ngritur kallëzim penal për një të punësuar të Higjienës Komunale i cili ka sulmuar kolegët e tij dy natë më parë. Ai tha se inspektorati për Mbrojtjen e Mjedisit, Inspektorati Komunal dhe inspektorët nga Qyteti i Shkupit sot pritet të dorëzojnë proces verbal për punën e penguar të Higjienës komunale.

    Të punësuarit e “Higjienës Komunale” dje e ndërprenë protestën dhe u kthyen në punë në ndërrimin e tretë, ndërsa thanë se kërkesat e tyre do vazhdojnë ti kërkojnë përmes rrugëve tjera ligjore. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Për amerikanët, mbajtja e Kosovës është interes më i madh se sa humbja e Serbisë

    Lajmi i rradhës

    Kontrolli i Prokurorisë, Merko regjistron dyshime për 30 vepra penale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë