Për në Madrid

    LEONARD DEMI

    Më 29 qershor, në Madrid, do të mbahet Samiti i NATO-s, ku mund të miratohet edhe një zgjerim i Aleancës me Finlandën, mbase edhe me Suedinë, gjë që do të dyfishonte kufijtë e Aleancës me Rusinë në rreth 2600 km. Suedia dhe Finlanda kanë mbajtur status neutral gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, por sulmi i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës ka rritur mbështetjen popullore për anëtarësimin e tyre në NATO. Në një raport për “mjedisin e ndryshuar të sigurisë”, qeveria finlandeze thekson se Rusia rrezikon sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë Europës. Kësisoj, Kryeministrja e vendit, Sanna Maris, ka deklaruar se, në javët e ardhshme, Finlanda do të vendosë nëse do të kërkojë t’i bashkohet NATO-s. Ky vendim ka gjasa të jetë pozitiv.

    Partia Social Demokratike e Suedisë që qeveris vendin, prej kohësh, ka mbështetur neutralitetin, por kësaj radhe duket se do t’i bashkohet opinionit publik gjithnjë e më pro NATO-s.

    Të dyja demokracitë nordike i janë shmangur anëtarësimit në NATO për shkak të faktorëve të veçantë historikë.

    1. VETËM APO NË ALEANCË?

    Eduskunta, Parlamenti i Finlandës, po fillon debatin për anëtarësimin e vendit në NATO, pavarësisht paralajmërimeve të fundit të Moskës se do të përforcojë rajonin e Baltikut me armë bërthamore, në qoftë se Finlanda ose Suedia do të vendosin t’i bashkohen Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut. Të 200 deputetët e Eduskunta-s kanë marrë nga qeveria një “letër të bardhë”, që vlerëson implikimet e anëtarësimit në NATO, si: ndryshimet themelore në politikën e jashtme dhe të sigurisë apo zgjerimin e marrëveshjeve dypalëshe të mbrojtjes etj. Ky dokument, midis të tjerave, tërheq vëmendjen se pushtimi i Ukrainës ka ndryshuar thellësisht situatën e sigurisë. Ai nuk bën rekomandime, por thekson se pa anëtarësimin në NATO, Finlanda nuk gëzon asnjë garanci sigurie.

    Finlanda e theu neutralitetin e saj të rreptë në fund të Luftës së Ftohtë, kur u anëtarësua në Bashkimin Europian, më 1995, dhe sot është vetëm një partner i NATO-s. Për vendin nordik, i cili ndan një kufi 1300 kilometra me Rusinë, bashkimi me Aleancën do të dekurajonte “dukshëm” një sulm të fqinjit të vet, shprehet qeveria në librin e bardhë.

    Kryeministrja finlandeze vëren se lufta brutale e Rusisë në Ukrainë është një thirrje zgjimi për të gjithë, jo vetëm për finlandezët, por ka të bëjë me të gjithë kufirin e sigurisë në Europë. “Unë, thotë ajo, nuk do të jap asnjë lloj orari kur do të marrim vendimet tona, por mendoj se do të ndodhë mjaft shpejt: brenda javësh, jo brenda muajve”

    2. NDRYSHIM OPINIONI

    Në të dyja vendet skandinave, opinioni publik për anëtarësimin në NATO ka ndryshuar ndjeshëm dhe lëvizja për t’iu bashkuar Aleancës është pothuajse një marrëveshje që përfundoi më 24 shkurt, kur Rusia pushtoi Ukrainën. Sipas një sondazhi vjetor qeveritar, deri në vitin 2021 vetëm një e katërta e finlandezëve dëshironin anëtarësimin në NATO. Lufta e Rusisë për të pushtuar Ukrainën ka ndryshuar në mënyrë dramatike qëndrimet finlandeze ndaj Aleancës. Sondazhi më i fundit (MTV) tregon se 68% e të anketuarve janë për anëtarësimin dhe vetëm 12% janë kundër. Në një tjetër sondazh të drejtuar nga Forumi dhe Politika e Biznesit Finlandez, publikuar më 12 prill, rreth 84% e finlandezëve e konsideruan Rusinë si një “kërcënim të rëndësishëm ushtarak” për Finlandën dhe një kërcënim të vazhdueshëm për Europën, Detin Baltik dhe Veriun e Sipërm.

    Finlandezët mendojnë se në qoftë se Putini ther motrat, vëllezërit dhe kushërinjtë e vet në Ukrainë, siç po bën tani, atëherë nuk ka asgjë që ta pengojë ta bëjë edhe në Finlandë. Ne thjesht nuk duam të mbetemi vetëm përsëri, vëren ish-Kryeministri Stubb, duke kujtuar Luftën e Dimrit sovjeto-finlandeze.

    Anëtarët e Eduskunta-s kanë qenë të ndarë për këtë çështje, por tani po shkojnë drejt një maxhorance të qartë në favor të anëtarësimit në NATO. Sipas mediave finlandeze, 100 syresh, tashmë, kanë vendosur të votojnë për anëtarësim, kundër janë vetëm 12 deputetë. Të tjerët do ta bëjnë të njohur qëndrimin e tyre gjatë debatit parlamentar.

    3. NORDIKËT, ME DY SHPEJTËSI?

    Vendimi finlandez po ndiqet me shumë vëmendje në Suedi, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte shtet neutral dhe nuk ka parë luftë në truallin e vet për më shumë se 200 vjet.

    Sot, Suedia po analizon politikën e sigurisë kombëtare, duke shqyrtuar një sërë opsionesh, përfshirë thellimin e bashkëpunimit për mbrojtjen nordike, si dhe nxitjen e Bashkimit Europian për të ofruar mbrojtje më të madhe ushtarake shteteve anëtare, që kufizohen me Detin Baltik dhe rajonet e Veriut të Sipërm. Qeveria pritet të dorëzojë dokumentin në Riksdag, Parlamenti përpara 31 majit. Burime zyrtare bëjnë të ditur se Suedia do ta bëjë publik pozicionin e vet shpejt, po në varësi të kohës se kur do ta bëjë Finlanda.

    Deri vonë, dy fqinjët nordikë besonin se paqja ruhej më së miri duke mos zgjedhur publikisht palët, tani mendojnë t’i bashkohen Aleancës, por vendimi i Stokholmit duket se do të varet nga zgjedhja e Helsinkit. Kjo u vu re edhe në një konferencë të përbashkët, që patën Kryeministria finlandeze Sanna Marin dhe suedezja Magdalena Andersson në Stokholm, më 13 prill.

    Finlanda dhe Suedia kanë zgjedhur të ndjekin pista dhe shpejtësi të ndryshme për t’iu bashkuar NATO-s. Finlanda preferon që të dyja shtetet nordike të aplikojnë së bashku, por Kryeministrja Andersson vëren se Suedia dhe Finlanda, nëse do të vendosin të aplikojnë, mund ta bëjnë në mënyrë të pavarur dhe në orare të ndryshme. Por, vijon ajo, “kryesorja është të mendojmë me kujdes se çfarë është në interesin më të mirë afatgjatë të Suedisë dhe çfarë duhet të bëjmë për të garantuar sigurinë tonë kombëtare, sovranitetin tonë dhe paqen e sigurt”. Më tej, ajo nënvizoi avantazhin dhe sigurinë që ofron Neni 5 i Traktatit të Uashingtonit, sipas të cilit Aleanca e konsideron sulmin ndaj një anëtari si një sulm ndaj të gjithëve.

    4. TRASHËGIMIA DHE MBROJTJA FINLANDEZE

    Finlanda, për gati dy shekuj (1809-1917), ka qenë nën sundimin rus. Ajo u çlirua vetëm 105 vjet më parë dhe ka një histori të hidhur me fqinjin e saj të madh, ku spikat rezistenca e vet heroike gjatë Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht gjatë Luftës së Dimrit, kur Stalini sulmoi Finlandën, më 1939-1940. Në këtë luftë të paprovokuar finlandezët u shkaktuan sovjetikëve humbje kolosale. Lufta e 1939 është një jehonë e luftës së sotme kundër Ukrainës.

    E kaluara e ka mësuar Finlandën të mos e neglizhojë mbrojtjen. Në vitin 2012, kur shumica e vendeve perëndimore ishin ende në gjumë strategjik, Finlanda ishte vendi i parë europian që bleu raketën e pakapshme amerikane AGM-158 JASSM, e cila mund të qëllojë nga larg dhe të godasë thellë, brenda Rusisë. Në shkurt 2022, me një marrëveshje prej 8.6 miliardë eurosh, ajo porositi 64 avionë F-35, më modernët në botë. Forcat ajrore finlandeze kryejnë shpesh stërvitje me Norvegjinë dhe Suedinë. Po kështu, Finlanda ka realizuar një marrëveshje mbrojtëse me Shtetet e Bashkuara dhe është anëtare e Forcës së Bashkuar të Dislokueshme (Joint Expeditionary Force) një grupim i dhjetë vendeve të Europës Veriore, që udhëhiqet nga Britania e Madhe.

    Forcat ushtarake finlandeze janë të njohura për qëndrueshmëri fizike dhe psikologjike. Logjistika, trajnimi dhe mobilizimi i tyre janë shembullorë. Në Helsinki, më 2017, është ngritur një Qendër Ekselence kundër Kërcënimeve Hibride, e mbështetur nga 31 anëtarë të NATOs dhe BE-së. Finlanda, gjithashtu, ka një shërbim inteligjent shumë efektiv.

    5. REAGIMI I RUSISË

    Moska po përpiqet të dekurajojë marshimin nordik drejt NATO-s, që tashmë po miratohet nga shumica e anëtarëve të Aleancës.

    Në deklaratat e veta, Ministria e Jashtme e Rusisë kërcënon se këto vende duhet të kuptojnë pasojat, që do të ketë një veprim i tillë në marrëdhëniet dypalëshe dhe në arkitekturën e sigurisë europiane në tërësi. “Ne i kemi bërë të njohura të gjitha paralajmërimet tona si publikisht, ashtu edhe përmes kanaleve dypalëshe”, i tha zëdhënësja Zakharova transmetuesit Rusi-24. “Ato (Suedia dhe Finlanda) e dinë këtë dhe nuk do të kenë asgjë për t’u habitur, ato janë informuan për gjithçka”, shtoi ajo.

    Moska, gjithashtu, ka theksuar se ky do të ishte fundi i rajonit Baltik pa armë bërthamore. Dmitry Medvedev, që tani shërben si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, vëren se anëtarësimi në NATO i dy vendeve nordike do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë. Ai kërcënoi se do të vendosë armë bërthamore dhe hipersonike në enklavën ruse të Kaliningradit. “Rusia, vëren ai, do të duhet të forcojë mbrojtjen e saj në rajonin e Detit Baltik dhe kjo do të përfshinte vendosjen e armëve bërthamore”. Po kështu, Kremlini zotohet se do të “forcojë seriozisht grupimin e forcave tokësore, të mbrojtjes ajrore dhe do të vendosë forca të rëndësishme detare në Gjirin e Finlandës”.

    E shtrënguar nga situata në Ukrainë dhe marshimi i Finlandës dhe Suedisë drejt NATO-s, Rusia po përmirëson flotën e vet veriore. Ministri i Mbrojtjes, Shoigu, njoftoi se për shkak të përkeqësimit dramatik të situatës ushtarake dhe politike në Europë, mbi 500 sisteme armësh të avancuara do t’i dorëzohen flotës në detin Barents dhe rreth tij.

    Flota veriore e Moskës ka pajisje të reja, platforma dhe sisteme më të përparuara, veçanërisht nëndetëse bërthamore dhe gjuajtës të mëdhenj sipërfaqësorë (destrojerë). Ajo është në gjendje relativisht të mirë krahasuar me shumë njësi të tjera të ushtrisë së vjetër të Rusisë dhe patrullon të gjithë vijën bregdetare veriore, si dhe zonën veriperëndimore nga Deti Norvegjez dhe Atlantiku Verior.

    “Flota veriore ruse është ende shtylla kurrizore e shkurajimit bërthamor”, vërejnë ekspertët navalë, prandaj komentet e Shoigu mund të jenë një formë “sinjalizimi strategjik” që kërkon t’u kujtojë anëtarëve të NATO-s se Rusia është e aftë të ruajë shkurajimin e saj bërthamor, si dhe asetet e veta tradicionale detare. Megjithatë, reputacioni i flotës ruse ka marrë një goditje shumë të rëndë nga fundosja e kryqëzorit Moskva.

    Disa vende të NATO-s dhe strategë ushtarakë vërejnë se Rusia e konsideron një gabim strategjik trashanik anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë në NATO dhe mund të sulmojë Finlandën përpara se ajo të bëhet anëtare e NATO-s. Kjo mundësi rritet në qoftë se Suedia nuk do të aplikojë dhe nëse ndonjë anëtar i Aleancës do të krijojë pengesa. Në pritje të vendimit të vendeve nordike, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s thotë se, në periudhën e ndërmjetme, do të gjenden mënyra për të përballur shqetësimet që mund të lindin. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Tri mësime nga Franca

    Lajmi i rradhës

    Partia “Alterantiva” nuk ka alternativë për rastet e montuara gjyqësore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë