Për t’i risjellë dinjitet mësimdhënies!

    PROF. MIMOZA MANXHARI

    I nderuar Zoti Kryeministër, Takimi juaj me drejtues të Institucioneve të Arsimit të Lartë më nxiti për t’ju drejtuar publikisht dhe adresuar një çështje, që gërryen sistemin arsimor në vend. Protestohet për një pagë dinjitoze dhe u zhvillua një takim, në të cilin mungonte ndjeshmëria njerëzore dhe urtësia e gjetjes së zgjidhjes!

    Ndërsa fare mirë mund të dihet se arsimi është veprimtaria me ndikimin më dominues (i) në zhvillimin e një vendi, (ii) në mirëqenien personale të çdo studenti e (iii) nëse nuk mirëmenaxhohet dhe në mjerimin e vetë shoqërisë, shpërblimi i merituar i mësuesve mungon e zgjidhjet i lihen protestës.

    Çfarë po ndodh me arsimin apo më mirë t’ju them: Çfarë u është bërë mësuesve dhe profesorëve?

    Investimet e çfarëdo lloji në arkitekturën e ndërtesave nuk e bën vetvetiu të ditur e të aftë këdo që ulet në auditorë.

    Mësimdhënia është profesioni, që nëse i mungon pasioni zbeh dhe asfikson energjinë e brezit.

    Çdo vend i përparuar është bërë i tillë, falë politikave të kujdesshme dhe trajtimit dinjitoz të arsimtarit. A e dini që paga mesatare e një profesori në sistemin arsimor të Zvicrës është 192.000 USD në vit, ndërkohë që Franca, vendi ku universitetet janë kryesisht institucione publike, paraqitet me një pagesë mesatare për profesoratin prej 82,000 USD?

    Pagesa dinjitoze është një formë, nëpërmjet së cilës shoqëria njeh dhe vlerëson punën e vështirë, plot përkushtim dhe seriozitet në ndihmën e vazhdueshme që u jepet nxënësve dhe studentëve, nga dita e parë e derisa mbarojnë procesin mësimor.

    Shkolla apo fakulteti nuk do duhet të konsiderohen thjesht dhe vetëm vend pune ku merret një rrogë. Secili prej nesh, pjesë e kësaj armate të devotshme dijedhënësish, që i ka qëndruar besnik profesionit dhe studentit, patjetër që meriton të dëgjohet dhe respektohet, nëpërmjet një pagese të diferencuar.

    Janë pagat e ulëta dhe jo makutëria, që detyron një pjesë të mirë tonën, të përfshihet në të tjera aktivitete, për të mundësuar pagesat e domosdoshme të jetës.

    Ndjehem e keqardhur që askush nga pjesëmarrësit e takimit të djeshëm nuk e ngriti zërin e të kundërshtonte këtë prirje problematike me pasoja që çdo ditë po e shohim: Shndërrimin e institucioneve arsimore në organizata biznesi!! Kryeministri, ministrja e Arsimit që vjen nga bota akademike, apo kushdo tjetër që gjendet aty si këshillues për çështjet e arsimit, do duhej të shfaqnin angazhim konkret në përmirësimin e cilësisë së arsimit e jo të vazhdojnë ta lënë atë pas dore, prej së vetmes arsye, se përfitimet e investimeve në sistemin arsimor, shihen vetëm në të ardhmen!

    Diskutimet për një pagë dinjitoze, nuk do duhej të ishin shqetësim i profesoratit apo i kujtdo në sistemin arsimor, por fakti që jemi këtu, dëshmon nënvlerësimin e vlerës dhe rëndësisë së përmirësimeve që duhen bërë në këtë sektor.

    Sukseset ekonomike mbresëlënëse të disa vendeve, provojnë qartazi rolin e kapitalit njerëzor në zhvillimin ekonomik. Arsimi është vendi ku përgatitet ky kapital njerëzor.

    Sigurisht, mësimi nuk mbaron me shkollimin e kjo, në një pjesë të rëndësishme, nxitet nga patosi i profesorit.

    Në 30 vitet e fundit, politika u ka dhënë vëmendje aspekteve ekonomike të kushteve imediate të kërkesës, duke lënë pothuaj jashtë vëmendjes politikat arsimore, të cilat për specifikën e tyre nuk e japin efektin në të tashmen.

    E njëjta përqasje vërehet edhe në ditët e sotme e takimi i djeshëm, provoi sa pak dihet e sa shumë përflitet pa të drejtë për arsimin dhe kujtdo që është përfshirë seriozisht në këtë sistem. Studenti nuk mundet kurrsesi të konsiderohet klient dhe profesori nuk do duhet ta shndërrojë dijen në një mall që shitet e blihet.

    Një takim, me një Kryeministër që foli e shumë të tjerë, që mbajnë postin më të lartë administrativ apo dhe titujt më të respektuar akademik, nuk guxuan të diskutojnë dhe ofronin zgjidhje për çështjen më nevralgjike – pagesën e merituar për profesorin.

    Askush nga ata që ishin të pranishëm nuk ngritën zërin për domosdoshmërinë e ndryshimeve radikale në sistemin arsimor dhe shndërrimin e arsimit në një prioritet imediat. Ju përdorët gjuhën e shantazhit.

    Nuk do duhej, por megjithatë unë po ju them: Fillojeni vetingun me mua, Zoti Kryeministër! /Panorama/

    Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Tiranës

    Lajmi Paraprak

    Minierat në Turqi | Kismet në vend të sigurisë në vendin e punës

    Lajmi i rradhës

    Boki 13, është rrahur në burgun “Idrizovë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë