Përparim Kabo
Po, po, luksi që po na vret. Shoh në rrugë të rinj me makina super luksoze, djem dhe vajza që bëjnë xhiro në bllok apo në rrugët e Tiranës dhe me një vetëmburrje demonstrative duket sikur të thonë po kaloj unë, a nuk po më sheh. Ecin dhe frenojnë të fërkojnë gomat; hyjnë në kthesë pa as një lloj kokëçarje; lëshojnë zhurmë me skapamenton; motrrat janë një tjetër gjëmë e qytetit, shpejtësi skëterre dhe zhurmë në çdo orë të ditës dhe të natës…
Po ku i gjejnë këta paratë për këto mjete të shtrenjta. Luks pa punuar vetë. Djemtë ose i kanë paratë e babit që lodhet shumë, ndërsa vajzat i kanë dhuratë nga të dashurit, se një makinë nuk është gjë e madhe. Kjo jetë boshe mbushet me instinkte orgjie, seks, pije duhan drogë, veshje luksi, faqe në rrjete sociale, pastaj promovimi në media… Paratë i bëjnë këta kokëbosha me diploma, i bëjnë juristë, i bëjnë këngëtar, autorë librash, deputetë…
Asgjë në vanitetin e tyre nuk është investim jetësor, si p.sh. të rritesh me privacione, të studiosh shumë, të punosh për të siguruar disa të ardhura plus që mos i rëndosh familjarët, net pa gjumë për të arritur karrierë me meritokraci… Këto janë për ta tipare të njerëzve jomodern. Po rritet një masë njerëzish me mendje drusore në shoqërinë tonë që bezdiset pse një këmbësor në rrugë kalon ne vijat e bardha; pse një makinë ecën në korsin e vet me shpejtësinë e lejuar; pse një qytetar është në punën e tij në trotuar.
Injorantët kanë para; ata janë zotët edhe të jetës tënde. Para pak ditësh një i ri shtypi në trotuar një grua të re shtatzënë dhe i këputi këmbën. Tani unë pyes z. Ardi Veliu, drejtorin e përgjithshëm të policisë: Çfarë u bë me atë drejtues mjeti? Një i ri tjetër me makinë luksi vret një familje. Z. Veliu, çfarë do ti thoni publikut? Vjet në këtë kohë, pesë policë rrahën te liqeni artificial në Tiranë një fëmijë 12-13 vjeç pse po ecte me biçikletë pa bërë ndonjë shkelje. Bjet në muajin maj, z. Veliu, policia shpërndau me forcë protestuesit në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar dhe ata që dolën kundër shembjes. Po ju nuk jeni në gjendje të ndaloni luksin që vret.
Ju më kujtoni prokurorin John Procter që tha nuk veproj dot, nuk jam më prokuror se e kam shitur shpirtin. Polici vrau djaloshin Klodian Rasha dhe vetëm kur plasën protestat e mblodhët mendjen dhe vepruat, përfshirë dhe teatrin politik…
Luksi vret çdo ditë. Kur një drejtues lokal që ka vite moshë aq sa unë kam vite pune jeton ne vilë; kur paria jeton në vila fushore, malore e bregdetare; kur vdesin minatorë dhe media hesht; kur minatorët kanë diku disa muaj që nuk marrin pagat, ashtu si naftëtarët, dhe politika tjerr retorike… policët e thjeshtë janë në hall me ligjin apo me urdhrin? Me ligjin kushti është i njëjtë për të gjithë. Por, në punë të mban dhe të heq urdhri.
Kaq e vështirë është të identifikohen makinat luksoze të bllokohen deri në verifikimin e burimit të parave. Të na thotë policia kush i ka lëshuar patentën këtij shoferi? Është konform rregullave? Ju flisni për katër vrasjet në Bulevard, dhe mirë bëni, po vrasjet në rrugë?
Me policët që kapin ndonjë pozicion të fshehur që të ndalin për ndonjë gjobë, nuk mbahet qarkullimi. Nuk sheh lëvizje me motor policësh rrugor në akset kombëtare në të dy kahet, me qëllim kontrollin e lëvizjes. Thjesht kapin ndonjë hije tani në behar dhe presin gjahun.
Vdekje, kaq shumë vdekje, po kush mban përgjegjësi? Me policinë që mbush ditën me gjoba parkimesh nuk mbahet rendi. Nëse vritet jeta, kjo tregon se policia nuk është ajo që duam.