Policia dhe ridimensionimi i sigurisë

    PËLLUMB NAKO

    Para disa ditëve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit mbajti një diskutim me rastin e hapjes së programit të trajnimit për gradën policore “Drejtues i Parë”. Fjalët e tij, pak a shumë, shpalosnin idenë që ai ka për një polici më të hapur, më “qytetare”, larg bunkerizimit. Sigurisht, vizion ky pozitiv dhe i domosdoshëm për Policinë. Por, për fat të keq, ajo që konstatohej nëpër portale të shumta ku ishte rimarrë fjalë e drejtorit, ishin komentet jo të pakta negative për Policinë. Sigurisht, diçka e tillë nuk është as e paparë dhe as e padëgjuar. Asnjëherë nuk ka ndodhur që të mund të arrihet në një konsensus total të mendimit pozitiv të popullsisë lidhur me organin e Policisë. Por, nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë që në një rast komentesh negative si rasti që po flasim, të mos shihet se çfarë mund të bëhet dhe sidomos se si duhet rregulluar ajo që çalon.

    Në një moment, kur Policia ka pak kohë që ka ndryshuar drejtorin e saj të Përgjithshëm, puna e parë që duhej bërë dhe që mund të kryhet edhe në këto kohë është organizimi i një sondazhi të vërtetë, profesional se në çfarë niveli është sot besueshmëria apo mendimi pozitiv i popullatës për Policinë, në mënyrë që të ketë një pikë referimi. Thirrjet telefonike në sallën operative apo statistikat kriminale janë shumë larg treguesve të kërkuar. Sigurisht, mund të thuhet se sondazhet nuk janë gjë tjetër veçse perceptime të grupimeve të ndryshme sociale, të cilat shprehen sipas interesit të tyre.

    Por, në bazë studimeve të sociologëve në dekadat e fundit të shekullit të kaluar dhe që kanë shërbyer si bazë për reformat e thella për sigurinë të kryera në vendet e zhvilluara, rezulton se në fushën e sigurisë publike ajo çka popullsia percepton si problem, është e bazuar, edhe nëse nuk është gjithmonë e vërtetueshme objektivisht. Ky pohim tregon qartë rëndësinë e sondazheve. Aktualisht, të paktën në mënyrë publike, Policia e Shtetit nuk ka kryer një sondazh të tillë për ta pasur si pikë referimi për më tej. Pa folur këtu për larminë e probleme të sigurisë në përgjithësi.

    Megjithatë, besimi ndaj Policisë është vetëm një aspekt. Sepse një çështje tjetër, së cilës i ka ardhur koha të shtrohet si doktrinë mbi të cilën duhet të mbështet siguria publike e vendit tonë, është edhe koncepti se deri ku arrin dimensioni i sigurisë publike? Nisur nga ky fakt, pason pyetja se kush duhet ta bëjë reformën për sigurinë në koncept? Vetëm Policia? Në vendin tonë, minimalisht deri më sot, nuk kemi gjëkundi ligjërisht të përkufizuar konceptin e sigurisë publike për të pasur të qartë se ku fillon dhe ku mbaron ky koncept, rreth të cilit më pas, të përcaktohen aktorët që e ofrojnë atë, shtetëror, privat, komunitar.

    Duke parë zhvillimet e dekadave të fundit të shekullit të kaluar, të cilat siç u theksua pak më lart, përfshinë reforma të thella në fushën e sigurisë së vendeve demokratike, vihet re se siguria publike dhe brenda saj siguria e individit si koncept është zgjeruar, duke shoqëruar hap pas hapi demokrati zimin e shoqërisë. Kjo ka bërë që garantimi i saj, në disa aspekte, të dalë jashtë detyrave dhe kompetencave që ka Policia. Ndaj edhe kjo e fundit nuk është e vetme, por mbetet aktori kryesor me rolin e liderit rreth të cilit funksionojnë aktorë e tjerë në bazë të kompetencave që zotërojnë në raport me eliminimin e burimeve të kërcënimit për individin dhe komunitetin.

    Më konkretisht, sipas reformave të kryera së fundmi në vendet perëndimore, siguria organizohet rreth dy dimensioneve. Së pari, duke garantuar dimensionin objektiv të lidhur me neutralizimin e një rreziku real që kërcënon integritetin e individit apo të komunitetit dhe dimensionin subjektiv të lidhur me kontrollin e frikës dhe shqetësimit që ngjallin ndjenjën e pasigurisë te të dy. Ky parim i përqafuar konkretisht ka bërë që përgjegjës për sigurinë në një shoqëri demokratike të mos jetë vetëm policia, por gjithë qeverisja. Sado ideale të jetë Policia, nuk ofron dot sigurinë e qytetarit në bazë të koncepteve që dominojnë sot vendet demokratike.

    Konstatimi i mësipërm do të thotë që për të matur sigurinë në vendin tonë nuk janë të mjaftueshme, madje janë shumë larg, vetëm statistikat policore të luftës ndaj kriminalitetit. Përveç tyre duhen gjetur instrumentet e duhur për të matur ndjenjën e pasigurisë, viktimizimin që përbëjnë edhe shkaqet e largimit të shumë individëve dhe braktisjen e vendit prej tyre. Pra është ndjenja e pasigurisë, frika për të nesërmen e lindur si rezultat i presioneve sociale, politike, kulturore, psikologjike, ekonomike të gjeneruara nga shoqëria që detyron shumë njerëz të lëvizin nga vendbanimi i tyre. Statistikat policore janë thjesht tregues i punës efektive të saj, por nuk flasin për sigurinë e individit në dimensionet që po flasim. Kjo do të thotë se sado e mrekullueshme të jetë Policia, e vetme ajo nuk garanton dot sigurinë. Në këtë mes është roli i Ministrisë së Brendshme që duhet të dalë nga apatia dhe të shohë seriozisht çështjet e sigurisë si produkt i qeverisjes. Doktrinën e sigurisë që dominon aktualisht vendet perëndimore e ka të përcaktuar qartë Këshilli i Europës, disa dekada më parë.

    Në botimin e tij, “Qasja ndaj sigurisë publike si kohezion social”, ky Këshill thotë: “Tashmë është e vërtetuar se siguria publike e efektshme nuk mund të garantohet kurrë me ‘më shumë policë’, ‘me më shumë burgje’, me më shumë represion’, me rritje shpenzimesh publike dhe private. Të investosh në represion dhe në dënime, në kurriz të ‘parandalimit social’, përbën një realitet kriminal sepse e gjitha kjo nuk bën gjë tjetër veçse rëndon dhe riprodhon kriminalitetin e shtresave të mënjanuara nga shoqëria. Ndaj duhet privilegjuar parandalimi social dhe policor. Një vend, popullata e të cilit nuk rresht se rrituri numrin e të burgosurve, mbetet vend me qeverisje të paaftë për të qeverisur shoqërinë”. Në të njëjtën linjë, OKB e konsideron sigurinë si një të drejtë themelore, kusht paraprak për zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Mendja e mbrapshtë, mallkim i vetvetes

    Lajmi i rradhës

    EVN e lë pa rrymë gjatë festës një pjesë të Haraçinës

    Lajme tjera

    Trafik

    EDISON YPI   Mbreti i Trafikut është Kamioni. Kush e dyshon ose e refuzon këtë, s’është në terezi, duhet…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë