XHEVAT MUSTAFA
1-Më 24-26 nëntor në Belgjikë u organizua një greve e gjerë, masive, treditore! Ajo shkaktoi paralizim të ndjeshëm në transportin, shërbimet publike dhe në sektorin privat! Kjo grevë u organizua në shenjë proteste ndaj reformave fiskale të qeverisë së kryeministrit Bart De Wever. Sindikatat e kanë cilësuar paketën e masave si një “shkatërrim të shtetit të mirëqenies”! Ato e kanë akuzuar qeverinë se po i ngarkon qytetarët me koston e shtrëngimeve buxhetore. Greva u shtri në shkolla, çerdhe, posta, shërbime të mbledhjes së mbeturinave dhe në një pjesë të madhe të sistemit shëndetësor. Transporti publik vazhdoi të funksionojë me ndërprerje. Kulmi i mobilizimit u arrit më 24 nëntor, kur u bashkuan edhe sektorët kryesorë të ekonomisë private…
2-Më 30 nëntor dhe 1 dhjetor 2025, në Athinë u organizuan protesta masive të fermerëve, deri në përleshje me policinë dhe duke i detyruar forcat e rendit të përdorin edhe gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe forma të tjera dhune…! Më 1 dhjetor, me automjete të punimit dhe të transportit bujqësor dhe blegtoral, fermerët bllokuan një aks të madh të autostradës Athinë-Selanik, në rajonin e Thesalisë… Auditi zbuloi se miliona euro ishin shpërndarë në formën e subvencioneve të paligjshme nga OPEKEPE, organizata përgjegjëse për fonde bujqësore të BE-së. Gjatë hetimit paraprak u zbulua se rreth 324 persona ishin përfitues korruptivë të subvencioneve me vlerë 19.6 milionë euro, sipas Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO). Këto protesta të fermerëve helenë kanë dy arsye kryesore, vonesën e stërzgjatur të shpërndarjes së subvencioneve nga BE dhe nivelin e lartë të korrupsionit në administrimin dhe përdorimin e tyre…! Qeveria e Mitsotakis ka nisur hetimet për Agjencinë qeveritare OPEKEPE, nga e cila shpërndahen çdo vit rreth 2.5 miliardë euro nga BE si subvencione për fermerët grekë…
3-Po më 30 nëntor, rreth 80 mijë veta u derdhën në sheshet e Madridit për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Pedro Sanchez dhe të qeverisë së tij socialiste, nën siglën apo sloganin “Mafia apo demokracia…?”. Qeveria e Sánchez dhe rrethi i tij i ngushtë janë përballur me një sërë akuzash për korrupsion gjatë vitit të kaluar. Guardia Civil që po hetonte gruan e kryeministrit, Begoña Gómez, vëllain e tij, David Sánchez dhe ish-ministrin e transportit José Luis Ábalos. Demonstruesit e mbledhur në Plaza de España mbanin në duar pankarta me mesazhe të tilla si “Sánchez tradhtar” dhe “qeveria të japë dorëheqjen”! Udhëheqësi i PP-së, Alberto Núñez Feijóo, përsëriti thirrjen e tij për zgjedhje të parakohshme.
4-Më 1 dhjetor 2025, dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit të Bullgarisë, Sofje, si dhe në qytete të tjera në protestat më të mëdha, që Bullgaria ka parë prej vitesh… Në qendër të Sofjes, demonstruesit mbushën sheshin gjigant përpara ndërtesës së Asamblesë Kombëtare. Protestuesit projektuan fjalët “Dorëheqje” dhe “Mafia” në ndërtesat qeveritare rreth sheshit… Protestuesit duan që qeveria t’i përmbahet premtimit të saj për të tërhequr buxhetin e vitit 2026, i cili propozonte taksa më të larta mbi dividentët dhe një rritje të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Ata janë gjithashtu të zemëruar për korrupsionin në sektorin publik dhe po bëjnë thirrje për dorëheqjen e qeverisë së koalicionit të pakicës të Rosen Zhelyazkov. Bullgaria, me një popullsi prej 6.4 milionë banorësh, edhe sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, është një nga vendet më të korruptuara dhe më i varfri në Bashkimin Evropian. Presidenti Rumen Radev, një kandidat i pavarur, tha se çdo dhunë duhet të ndalet. Ai theksoi gjithashtu se “Ka vetëm një rrugëdalje: dorëheqja dhe zgjedhjet e parakohshme”! Pas protestave masive që shpërthyen në të gjithë Bullgarinë javën e kaluar, kryeministri Rosen Zhelyazkov premtoi më 27 nëntor se kabineti i tij do të tërheqë projektbuxhetin e vitit 2026 dhe do të hartojë një të ri.
PO NË SHQIPËRI?
Në Shqipëri, edhe pse shumica e popullit, “të majtë”, “të djathtë”, “të pavarur”…, kanë me bollëk të afërsisht të njëjtat arsye, bile edhe më shumë, për protesta edhe më masive e kohë gjata, në pjesën më të madhe të kohës, nuk ndjehen fare!? Ose ndjehen fare pak, me gjysmë zëri e mendje…!? Ose gërhasin…?! Nuk ndjehen masivisht dhe me zë të plotë e të lartë, as për probleme dhe ankesa jetike e jo më që të protestojnë, siç kanë bërë viteve të shkuar e siç po bëjnë edhe këto ditë grekët, spanjollët, francezët, gjermanët, belgët, gjeorgjianët, bullgarët… Më e rënda dhe më e keqja, shqiptarët nuk ndihen dhe nuk reagojnë e protestojnë në mënyrë të organizuar dhe masive, edhe pse kanë shumë më tepër shkaqe dhe arsye, jetike dhe kritike, “dhurata bujare” nga keqqeverisja mbi 12 vjeçare Rama e nga 1001 problemet e mbijetesës allashqiptare!? Edhe pse për ditë qeverisja “Rama” jep shkaqe e arsye për përkeqësim, zhgënjim, pakënaqësi, revoltim, protesta, sidomos me rritjen e çmendur të korrupsionit e të çmimeve dhe me pandjeshmërinë individuale e sociale, përsëri shumica e shqiptarëve, sidomos pensionistë dhe të rinj, të punësuar e jo, nuk shkulen nga karriget nëpër kafene e stolat nëpër lulishte; nga kompjuterat, laptopët, celularët…
As nga televizorët, duke parë shumë herë në ditë, në emisionet e lajmeve, Edi Ramën duke përrallisur për suksese në të gjitha fushat e për përkujdesje ndaj qytetarëve. Por, edhe duke e mbrojtur si veten, zëvendësen e tij, Belinda Balluku, pezulluar nga detyrat nga GJKKO më 20 nëntor 2025. Para e pas emisioneve të lajmeve, shumica e shqiptarëve, mbeten pengje të serialeve të telenovelave turke; të ndeshjeve të futbollit të kampionateve më të fortë në botë e të debateve në “Opinione”, ku shumica e opinionistëve, bëjnë natyrisht jo falas avokatin mbrojtës dhe “bojaxhiun” e kryeministrit dhe të disa ministreshave të tij…! Kryeministri Rama vazhdon të hedhë miliona jo vetëm për këta “opinionistë”, por edhe më shumë, për të mbajtur sa më shumë nga moshat e reja larg shqetësimeve të ditës e sa më afër drogave dhe burimeve të tjera të amoralitetit dhe kriminalitetit… Edhe që korrupsioni të mbetet sa më gjatë e sa më masivisht “filozofi”, “strategji” dhe praktikë për karrierë e pasurim në çdo zyrë të piramidës qeverisëse, administrative, shtetërore…!? Edhe që shumica e shqiptarëve të mos kërkojnë dhe gjejnë forca në vetvete e në vend për ndryshimin rrënjësor të realitetit politik, ekonomiko- social, por të mbeten pafundësisht me sy e shpresa nga ZOTI në qiell dhe nga SHBA-BE në tokë!? Kjo u shpreh edhe gjatë ditëve të grevës së naftëtarëve të “Bankers Petroleum”.
Ishte e kuptueshme, se edhe pse me pjesëmarrje të kufizuar nga Rama-qeveria dhe nga mediat e saj të hapura e ato me maska të shqyera pavarësie prej mbi 12 vitesh, kjo grevë ishte e padëshiruar dhe si e tillë duhej të gjente sa më pak vend dhe minutash në hapësirat e tyre. Inkuzicioni ndaj kësaj greve përbën një kambanë të re alarmi për demokracinë e vërtetë në vendin tonë dhe për rolin dhe peshën shumë të ulët të opozitës si dhe të sindikatave! Kur do të bëhen edhe shqiptarët në Shqipëri, popull dhe qytetarë, që mbi parti e kryetar do të vlerësojnë dhe do të vendosin interesat jetike, individuale dhe familjare të vetes, vendit, Kombit…? Deri kur do të lejojnë, votojnë, mbrojnë… pushtetarët e korruptuar, si e sa në asnjë vend tjetër, që buxhetin e shtetit më të varfër në Europë, ta shikojnë si “thesarin e Ali Babës dhe të 40 hajdutëve të tij” apo si të SHBA-ve, të sheikëve arabë… dhe ta vjedhin pa ndjerë pikë përgjegjshmërie, dhembshurie, turpi, pendese… për t’u multimilionarizuar individualisht dhe familjarisht? Në këto kushte, për ata që ndjehen me të vërtetë shqiptarë dhe demokratë, që duan me zemër një Shqipëri me të vërtetë demokratike e të denjë për anëtarësim të plotë në BE, është urgjente të bëjnë shumëçka, që të mos mbetemi shumë gjatë turma e tufa, siç kanë dashur e duan serbët dhe grekët, por, për inat të tyre, të bëhemi edhe popull e të kemi shtet, pa perandor, car, sulltan, mbret…! Kuptohet, me nivele bashkëkohore emancipimi qytetar dhe demokratik, mirëqenieje; me demokraci dhe drejtësi të pastra e funksionale e jo si deri më sot, si lojëra fëmijësh apo si celularë, tableta e laptopë në duart e kryeministrit aktual e atyre të ardhshëm, shpejt apo më vonë…! /Panorama/





