Pranë nesh apo midis nesh?

    EDMOND TUPJA

    Ndër shekuj paraardhësve tanë pellazgo-iliro-arbërorë u është dashur të ndeshen me hordhi pushtuesish nga treva të ndryshme, të cilët, pa dyshim, kanë lënë gjurmë jo vetëm në historinë e gjeografinë e vendit tonë, por edhe në mendësinë tonë si popull. E thënë më shkoqur, paraardhësit tanë, përballë prirjeve zaptuese e përvetësuese të agresorëve në fjalë, u mësuan me luftërat, betejat, pritat, sulmet, kundërsulmet, fitoret dhe humbjet e pareshtura.

    Me të drejtë, në njërën prej poemave të tij gati-gati epike, Ismail Kadareja e ngriti në lartësinë e një miti figurën e shqiptarit me pushkën e gjatë krahaqafë si gjymtyrë të pestë, i cili shqiptar, edhe atë pak vaj që kishte, e ruante pikërisht për pushkën e vet. Po t’i hedhim një sy të vëmendshëm “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), te zëri “pushkë” do të gjejmë një mori shprehjesh me këtë fjalë si, për shembull, ai është i pushkës, të lumtë pushka, t’u bëftë pushka top, të puthsha grykën e pushkës, pushka e trimit dhe dasma e bujarit nuk ndalen, e ka zërin pushkë, s’i dridhet pushka dhe atij i ndez pushka në ujë. Me një fjalë, sa herë që armiku vinte pranë nesh, do ta prisnim me pushkë, do t’i bënim ballë trimërisht, çka e dëshmon edhe historia.

    Megjithatë, paraardhësit tanë janë dalluar edhe për luftra midis tyre, madje që në kohët e vjetra, ka pasur luftëra midis fiseve ilire, midis princave shqiptarë etj.; përveç kësaj, gjakmarrja ka ekzistuar prej kohësh midis vetë shqiptarëve, deri në atë pikë saqë Kanuni i Lekë Dukagjinit përcaktonte qartë rregullat e saj. Me një fjalë, jemi vrarë e kemi rënë jo vetëm në fushën e betejës, në fushën e nderit kombëtar, por edhe në fushën e pritës së pabesë e të nderit vetjak duke asgjësuar pa mëshirë njëri-tjetrin për një gjest, madje edhe për një fjalë goje, çka e dëshmon edhe historia e ditëve tona, kur, madje në gjirin e familjes, vritemi për një vijë uji, për një grusht para, për një copë truall dhe, sa për statistikë, vetëm që nga shembja e diktaturës hoxhiste, janë vrarë deri më sot për çështje prone mbi dhjetë mijë shqiptarë! Pra, lufta ka qenë e pranishme jo vetëm kur armiqtë e jashtëm na sulmonin nga jashtë, por edhe kur ktheheshim e pareshtur ktheheshim në armiq të njëri-tjetrit, çka vazhdojmë ta bëjmë edhe sot jo vetëm në jetën e përditshme, por nganjëherë edhe në jetën politike.

    Ndërkohë që çmenduria e Putinit e ka kallur kafshërisht botën në ankth e pasiguri, ndërkohë që lloj-lloj hipotezash e parashikimesh fataliste qarkullojnë deri tek ankthi e makthi i përdorimit të armëve bërthamore, lufta midis llojit tonë ka dalë nga skena e aktualitetit, të gjithë i trembemi luftës pranë nesh, në Ukrainë, që mund të na përfshijë, duam apo nuk duam. Mirëpo, me sa vihet re, pushtetarët tanë nuk po e prishin terezinë, ata vijojnë luftën e tyre të shenjtë e të shtrenjtë në vorbullën e inceneratorëve, e koncesioneve, e betonizimit të peizazheve urbane, ndërkohë që jeta shtrenjtohet, papunësia rritet, dhomat e drogës shumohen, korrupsioni lulëzon lirshëm dhe varfëria valëvitet vrullshëm flamujt e saj të frikshëm.

    Sidoqoftë, nuk duhet të habitemi me këtë lojë të dyfishtë të pushtetarëve tanë: Nga njëra anë, ata bashkohen botërisht me shumicën e shteteve demokratike që përpiqen ta detyrojnë çmendurakun Putin të heqë dorë nga aventura e tij e llahtarshme për ta mbajtur njerëzimin në gjendje ankthi e makthi nën kërcënimin e një lufte bërthamore, por, nga ana tjetër, ata, pra pushtetarët tanë, duken të kënaqur, madje gati-gati të lumtur, që populli në panik e ka mendjen më pak tek intrigat që ata thurin nën rrogoz për t’u pasuruar pareshtur, sesa tek mbijetesa e tij, për hir të së cilës atij i duhet të rraskapitet orë e çast në një klimë shoqërore të zymtë që psikosociologët do ta cilësonin me të drejtë si depresion kolektiv me pasoja të rrezikshme për të tashmen dhe, pse jo, për të ardhmen e shqiptarëve në rrafshin ekonomik, social e psikologjik.

    Së fundi, lufta pranë nesh, pra në Ukrainë do të marrë dhe duhet të marrë fund një ditë, sepse sikur i lajthituri Putin të përdorë armën bërthamore, edhe kundërshtarët e tij me SHBA-në në krye do të përdorin të tyret, kështu që nuk do të ketë fitimtarë, por vetëm të mundur dhe, me shumë gjasë, një planet gërmadhë thuajse pa jetë, kurse lufta midis nesh, pra në Shqipëri, do të harrohet ose do të mbesë si një incident tragjikomik, ndërkohë që pushtetarët tanë, të ngujuar diku, do t’u gëzohen pasurive të tyre të padobishme me shterpësinë shpirtërore më të shpifur. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Katër fqinjët e tjerë të Rusisë që i druhen pushtimit

    Lajmi i rradhës

    Bunkerët në Tetovë, shumica tashmë të lënë pas dore

    Lajme tjera

    Përsiatje për 5 Majin

    Edmond Tupja Tërë bashkatdhetarët e mi, jo vetëm ata me  letërnjoftim shqiptar, por edhe me shpirt vërtet shqiptar,…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë