Pse kemi krizë të demokracisë?

    BRENTON KOTORRI

    Demokracia është një koncept e fenomen i mbidiskutuar dhe i mirënjohur, jo vetëm mes studiuesve të politikës, por edhe te publiku i gjerë. E megjithatë, shpesh ka dilema se si demokracia funksionon atëherë kur duket se do të dështojë, dhe dështon atëherë kur duket se ofron zgjidhje përfundimtare. Në rreshtat që vijojnë do të synohet të përshkruhet se cilat janë sot çështjet kryesore që diskutohen mbi demokracinë nga studiuesit më të rëndësishëm të fushës, dhe më pas të analizohet nëse demokracia dobësohet, kur ka mungesë në legalitet, legjitimitet dhe moralitet.

    LIRIA E IDEVE DHE E SHPREHJES SË TYRE

    Shumëkush mund të thotë me të drejtë se sot, në pjesën demokratike të vendeve të botës, liria e shprehjes jo vetëm që ekziston, por madje ka shkuar në ekstremin absolut ku gjithkush mund të thotë gjithçka me shumë pak ose aspak pasoja. Mirëpo këtu mund të shihet aspekti i parë i krizës së demokracisë sot. Idetë janë zhvlerësuar për shkak të mbingarkesës me ide, ku ato vulgare e mbysin çdo iniciativë tjetër. Sidomos përmes rrjeteve sociale. Megjithëse është e qartë, aty ku nuk ka ide me vlerë, nuk kanë as vlerë fjalët.

    Në mungesë të njohurive dhe kultivimit ideologjik, qytetari sot as që e konsideron të mbështesë një projekt politik, por në vend të tij, vepron me tifozeri sportive të aplikuar në spektaklin elektoral. Debati publik elektoral është një spektakël mediatik i kontrolluar, i menaxhuar nga ekipe rivale profesionistësh, ekspertë në teknikat e bindjes. Masa e qytetarëve luan një rol pasiv, të mpirë, madje apatik, duke iu përgjigjur vetëm sinjaleve që u jepen. Pas këtij spektakli të lojës elektorale, politika në të vërtetë formësohet në mënyrë private nga ndërveprimi midis qeverive të zgjedhura dhe elitave që përfaqësojnë në mënyrë dërrmuese interesat e biznesit.

    LIRIA E ZGJEDHJES DHE VOTËS

    Duke qenë se demokracia është sundimi përmes pranimit që i japin të qeverisurit, qeverisë, në këtë sistem duhet të mbahen zgjedhje. Mirëpo, historia tregon se rrallë ka vende ku zgjedhjet janë transparente dhe të gjithëpranuara. Sociologu francez, Alain Touraine, na thotë se nuk mund të ekzistojnë zgjedhje të lira dhe liri e zgjedhjes kur kjo garantohet vetëm prej procedurës ai thotë: “… Liria politike është një parakusht i demokracisë, por nuk është një kusht i mjaftueshëm nëse pjesëmarrja politike është e dobët, kur fushatat elektorale dominohen nga paratë, apo kur fushatat kthehen në biznes, kur pabarazitë sociale janë kaq të mëdha sa për një pjesë shkaktojnë vetëdije të ulët qytetarie…

    Thënë thjesht jemi në një rreth vicioz, ku pa mirëqeverisje nuk mund të ketë demokraci për të zgjedhur mirëqeverisjen. Një prej krizave më të dukshme në të gjitha ato vende që përcaktohen si “Shtete të Dobëta” nga Fukuyama, Acemoglu, e të tjerë.

    Shumica e ndjek spektaklin e politikës, ndonjëherë me mosbesim, ndonjëherë me neveri. Pikëpamja se ne thjesht duhet të shohim punët tona në jetën tonë private dhe t’ua lëmë ‘politikën’ politikanëve (të zgjedhur ose të përzgjedhur) është një rrugë e sigurt drejt humbjes së demokracisë dhe gjithë privilegjeve qe ajo i jep qytetarit. Një popull nuk mund të ketë demokraci, e cila përkthehet si “vetëqeverisje” dhe të mos marrë pjesë në të. Sikurse thoshte dhe Thomas Jefferson, vetëqeverisja nuk mund të delegohet.

    Nuk është vetëm vota, megjithatë kontributi i qytetarit në demokraci, por duket se në vende si Shqipëria, vetëm kaq ka mbijetuar në tri dekada ndërtim-demokracie. Duket sikur të gjitha mjetet e tjera, si grupimet, lëvizjet, shoqatat, mediat, shoqëria civile, apo organizime të tjera meta-politike, nuk kanë vlerë reale ndryshimsjellëse, sepse asnjë prej këtyre entiteteve nuk duket se përpiqet për një mision më të madh se vetja.

    Pra, duket se Shqipëria, një vend i vogël, dhe pa durimin për rezultate afatgjata, shqyrton vetëm dy mundësi përballë shtetit: ose dorëzimin/ delegimin e fuqisë demokratike, ose përdorimin e lidhjeve familjare për të anashkaluar demokracinë dhe burokracinë e saj të domosdoshme, për hir të një rezultati imediat favorizues, personal. Këtu del në pah aspekti i dytë i krizës së demokracisë sot.

    LEGJITIMITETI

    Duke vëzhguar demokracinë, studiuesi britanik i shkencave politike, David Beetham, hulumtoi dhe dëshmoi mjaftueshëm për të ngritur tezën e legjitimitetit përmes validimit duke e ndarë në dy dimensione. Përkatësisht, në legjitimitetin e inputeve dhe legjitimitetin e outputeve. Ose legjitimitet që buron nga procedura, dhe legjitimitet që buron nga produkti.

    Për lexuesin që kërkon shembujt shqeto, po sjellim dy shembuj të përditshmërisë së zymtë të politikës shqiptare. Për shumicën e shqiptarëve (dukshëm dhe fatkeqësisht) që e votojnë Z. Rama dhe qeverinë/kryebashkiakët e tij, edhe pse ai mund të mos ketë legjitimitet të imputit (procedurës) duke qenë se akuzohet për cdo dy vjet se vjedh dhe manipulon zgjedhjet me të gjitha mjetet që ka në dorë, ai gëzon legjitimitetin e outputit (rezultatit). Thënë ndryshe këta njerëz (për të zezën e tyre) besojnë, se qeverisja e z. Rama, e ka bërë Shqipërinë një vend më të mirë për te jetuar, dhe për rrjedhojë nuk ka shumë rëndësi legjitimiteti i procesit. Një analogji mund të bëhet këtu edhe me konsideratën e shprehur nga elektorati për z. Veliaj, ku shpesh thuhet se “le të vjedhë nga pak, rendësi ka të kemi rrugë me asfalt dhe korsi biçikletash”.

    Një shembull tjetër që na ndihmon është ai i liderit të porsa zgjedhur të Partisë Demokratike që pretendon zyrtaritetin, z. Basha. Për mbështetësit e z. Basha, nuk ka asnjë rëndësi madhore fakti që ai ka dështuar në sjelljen e fitores elektorale për PD gjatë 10 viteve të fundit. Rëndësi ka që ai është i ligjshëm në krye të partisë. Thënë ndryshe për ata mbështetës tejet të paktë të tij, rëndësi ka vetëm legjitimiteti përmes procesit dhe jo rezultateve.

    Mjerisht, të dyja palët e mbështetësve janë duke justifikuar një gjysmëdemokraci.

    KORRUPSIONI

    Në veprën “Partitë politike” të publikuar në vitin 1911, Robert Michels, një prej teoricienëve më të rëndësishëm të politikës moderne, i jep një rendësi të veçantë rolit të liderit në demokraci. Michels besonte se liderët në partitë politike por edhe në qeverisje shpesh tërhiqeshin në mënyrë të pashmangshme në të njëjtat praktika korruptive dhe tendenca oligarkike si anëtarët e tjerë të partisë, dhe se pushteti në fund të fundit korruptonte edhe liderët me qëllimet më të mira. Aspekti i katërt i krizës së demokracisë është pikërisht korrupsioni.

    Teoricienia Hannah Arendt është fokusuar te rreziqet e korrupsionit për stabilitetin dhe funksionimin e shoqërive demokratike. Ajo shqyrton se si korrupsioni i zyrtarëve publikë e saboton besimin e publikut dhe gërryen legjitimitetin e institucioneve politike. Arendt argumenton se korrupsioni jo vetëm që çon në prishjen e vlerave morale dhe politike, por gjithashtu kërcënon vetë themelet e një sistemi të shëndetshëm demokratik.

    Në të katër aspektet e shqyrtuara në këtë artikull, del në pah e njëjta përgjigje. Kriza e demokracisë është një krizë morale. Cënimi i fjalës së lirë, nuk është më një problem legal në epokën kur jetojmë, ai është një problem real. Cenimi i votës së lirë dhe pjesëmarrjes qytetare në demokraci, është pasojë direkte e dobësimit e ndoshta dorëzimit moral të qytetarit përballë pushtetit. Legjitimiteti rezulton të jetë një problem tërësisht moral e po ashtu (panevojshme për t’u thënë) edhe korrupsioni.

    Për të eksploruar zgjidhje të veçanta për të gjitha këto aspekte të demokracisë e për të konsideruar rrugët e implementimit të këtyre zgjidhjeve, me siguri që do të duhej më shumë se sa një artikull.

    Demokracia nuk është një sistem i përkufizuar në literaturë. Është një proces i cili garanton për secilin prej nesh ushtrimin e lirive me të cilat jemi krijuar prej Zotit. Është një proces që duhet mbajtur gjallë kur kërkojnë ta mbysin. Një proces që duhet detoksikuar prej korruptimit të çdo forme e në çdo nivel, e për ta bërë këtë, duhet ushqyer me vlera të gjithëpranuara prej ndërgjegjes njerëzore, vlerat morale që i trashëgojmë prej qytetërimeve të mëhershme dhe që na shërbejnë si i vetmi fener për të parë të ardhmen. /Panorama/

    Marrë nga Revisten Medius.

    Lajmi Paraprak

    Kthimi në shkolla në veri vihet në pikëpyetje

    Lajmi i rradhës

    Profesori Agron Alili, i afërt me pushtetin, është avancuar kundërligjshëm në UT

    Lajme tjera

    Live në gomone

    Klodi Leka Më 9 janar të 2004 edicioni informativ në Top Channel ndërpritet nga një telefonatë e cila…
    Më tepër

    Elitat

    MONIKA STAFA Vërshimi i dëshirave tona për t’u vetëshprehur ndonjëherë çon në rrjedha të amullta krijimtarie, duke i…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë