Pse u tkurr makineria ruse e luftës

    ZENO JAHAJ

    Mistika e stërvitjes usht arake, me të cilën Kremlini veshi rrethimin prej 5837 km të kufirit të Ukrainës, e invazionit ushtarak dhe e kërcënimit apokaliptik që i lëshoi botës në mëngjesin e 24 shkurtit 2022, dalëngadalë po davaritet.

    Pasi aplikoi një shartim hibrid strategjish e taktikash me pothuajse të gjitha llojet e armëve dhe angazhoi mbi 70 për qind të të gjitha forcave që ka në dispozicion, aktualisht makineria ruse po tërhiqet për t’u përqendruar në mbajtjen me çdo kusht në dy “republikat autonome” dhe, mundësisht, në tërë brezin që i lidh ato me Krimenë, ku përfshihet edhe Porti strategjik i Mariupolit.

    Çka do të thotë se makineria ruse e luftës jo vetëm ngeci, por edhe u tkurr, edhe pse sakrifikoi jetët e rreth dhjetëmijë ushtarëve e të jo pak gjeneralëve, shifra tronditëse për vetëm dyzetë e dy ditë luftimesh. Nuk është çështja se ngecën qindra tanke e mijëra makina luftarake ruse nëpër rrugët e baltërat e Ukrainës. Ngeci makineria ideologjike ultranacionaliste dhe neo-naziste ruse, sipas së cilës, ose do të bëhet një Rusi e madhe, ose përndryshe nuk do të ekzistojë fare Rusi, se Rusia është gjithçka dhe gjithçka tjetër është asgjë, se Rusia ka një kod gjenetik të pambarimtë të bazuar në përzierjen e gjakut dhe se ajo, prandaj, është në marshim të përhershëm.

    Ngeci makineria politike ruse, sipas së cilës ka ardhur koha që vendet dhe popujt duhen qeverisur me autokratë e autoritaristë, jo me demokraci e liberalizëm. Kremlini nuk përllogariti se, në një botë gjithnjë e më shumë globaliste, të sulmosh një vend demokratik, ke sulmuar të gjithë botën demokratike. Nuk përllogariti dot se, në krah të popullit të Ukrainës, do të luftonte e gjithë bota demokratike, me çfarëdo mjeti të mundshëm. Rusia e mbyti informacionin nga dhe për gjendjen e vërtetë të zhvillimeve në Ukrainë. Përkundrazi, Ukraina ia shpërndau të gjithë botës këtë informacion. Ukraina e fitoi luftën e informacionit, për të njëjtën arsye që Rusia e humbi atë.

    Ngeci e gjithë makineria ekonomike e Rusisë, e cila me vetëm 0,73% të pasurive të botës që zotëron, guxoi të invadojë jo thjesht Ukrainën demokratike, por të kërcënojë tërë botën demokratike, e cila zotëron mbi 50% të pasurive të botës. Rusia dështoi për shkak të llogarive të gabuara se fundi i botës përcaktohet vetëm nga eksporti i gazit dhe naftës ruse, duke mjegulluar bumerangun që prodhon ky eksport për vetë Rusinë. Vërtet që nafta dhe gazi rus përbëjnë 14% të furnizimit botëror, por nga ana tjetër, nga shitja e gazit dhe e naftës Rusia mbulon 45% të buxhetit federal rus. Rusia u tkurr, sepse u udhëhoq nga planifikimi ushtarak, duke mos besuar dhe, madje, duke shpërfillur planifikimin dhe dialogun diplomatik. Harroi se bota e shekullit të 20-të u pështjellua në dy luftëra botërore, pikërisht sepse u udhëhoq nga planifikimi ushtarak, jo nga diplomacia.

    Ndërkohë, harroi se bota e Luftës së Ftohtë shpëtoi nga një luftë e nxehtë, pikërisht sepse planifikimin ushtarak e udhëhoqi diplomacia, ajo amerikane dhe sovjetike së bashku. Rusia dështoi, sepse nuk bëri dhe as nuk mund të bënte për vete ushtarin rekrut rus, të cilit iu kërkua ditën e fundit të kalonte nga stërvitja, në luftë dhe, për më tepër, kundër një populli të të njëjtit grup sllav. Rusia dështoi sepse i përhapi forcat e saj mësymëse prej 150,000-200,000 ushtarësh në një front prej mbi 5,000 km të kufirit tokësor e detar të Ukrainës, me mesatarisht 30-40 ushtarë për kilometër, çka parakupton një disfatë të planifikuar pa filluar invazioni.

    Një përhapje, që i krijoi mundësi ushtrisë ukrainase të zbatojë me sukses taktikat e manovrës me njësi e reparte relativisht të vogla, duke evituar grackën e ndeshjes në front në drejtimet kryesore të mësymjes ruse. Ushtria ruse nuk e arriti dot superioritetin në ajër dhe as në tokë, edhe pse zotëron 15 herë më shumë aviacion dhe 4 herë më shumë tanke se Ukraina. Komanda ruse nuk përllogariti që teatri i luftimeve do të “mbillej” me mbi 20.000 raketa supi e dhjetëra dronë, të cilat veçanërisht në qytete e qendra të banuara, janë absolutisht superiore ndaj aviacionit e tankeve. Strategjia ushtarake ruse nuk përllogariti se lufta në qytet është ndër llojet më të vështira të luftës, e cila kërkon të paktën pesë sulmues për çdo mbrojtës dhe ku çdo pallat, çdo ndërtesë, është një fortifikatë më vete, me befasira nga më të paparashikuarat.

    Nuk mori parasysh që vetëm Kievi ka një gjysmë milioni të tilla. Ndoshta nuk ia deshi puna të kujtojë se në vitin 1942, gjatë Betejës së Stalingradit, trupat ruse arritën ta mbajnë një kompleks apartamentesh, për 58 ditë pa ndërprerje, duke zhvlerësuar sulmet e panumërta të këmbësorisë dhe mjeteve të blinduara gjermane. Një popull që fiton një luftë, forcon më shumë identitetin e vet. Madje, rruga për t’u bërë komb fillon nga vuajtjet e përbashkëta. Dhe vuajtja më e madhe është lufta. Duke derdhur gjithnjë e më shumë gjak, ukrainasi bëhet më shumë ukrainas. Nëse ukrainasit nuk e kanë urryer Rusinë më parë, tani vetë Rusia iu dha arsye ta urrejnë, me barbarizmin ndaj jetës dhe pasurive kombëtare të ukrainasve.

    Me invazionin në Ukrainë, lidershipi dhe gjeopolitistët rusë përllogaritën përçarjen ndoshta të pariparueshme të NATO-s, përmes devizës se “Euro-Azia nuk duhet të kontrollohet nga dikush tjetër, përveçse nga Rusia, në aleancë me bllokun tradicional antiatlanticist gjermano-francez”. Kësisoj, Rusia i bëri llogaritë gjeopolitike mbi bazën e përqasjes së interesave të përkohshme tregtare dhe jo të vlerave të përjetshme demokratike. Të përkundur me këtë klishé, oligarkët rusë e kanë të pamundur të konceptojnë se vërtetë Gjermania është 65% e varur nga gazi rus, por ajo nuk mund të sakrifikojë vlerat e veta demokratike për të hyrë në aleancë me autokracinë ruse.

    Putini, në mënyrë cinike, e paraqiti zgjerimin e NATO-s në Ukrainë si kërcënim ndaj sigurisë së Rusisë dhe rusëve në përgjithësi. Në fakt, siguria e rusëve nuk fillon nga Ukraina, as te shpërbërja e NATO-s, por te radha e gjatë e vizave për të ikur në vendet perëndimore të NATO-s. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Kasami: Integrimi i shqiptarëve në BE siguri për rajonin

    Lajmi i rradhës

    Kanabisi vret! Po ashtu edhe politika e keqe!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë