Rilind Dauti
Publicist
Religjioni përpos si mediumi kryesor i lidhjes mes njeriut dhe Zotit, është edhe një nxitës i fuqishëm i lidhjes së njerëzve mes vete. Një nga mënyrat se si bëhet kjo janë iftaret që janë një shkas i fortë për një takim më të veçantë mes miqve dhe familjarëve që shihen rregullisht pa ndonjë shkas, e në veçanti shërbejnë si shkas për përafrim mes miqve dhe familjarëve që në kohën në të cilën jetojmë, shumë rrallë shihen mes vete.
Me rritjen e standardit jetësor, është rritur edhe kapaciteti për të shtruar iftare më të mira nëpër shtëpia. Sado që ky është zhvillim i mirëseardhur, fatkeqësisht edhe ka kaluar në teprim me përgatitjen e ushqimeve të ndryshme, që përbën lodhje për nikoqirët dhe rritje të shpenzimeve. Përpos tradicionalisht nëpër shtëpia, është zhvilluar dhe zgjeruar oferta edhe e subjekteve gastronomike për ata që përtojnë apo thjeshtë nuk duan familjarë mysafirë në shtëpi, dhe të tjerë që nuk kanë lidhje të tillë që tradicionalisht zhvillohet me vizita tek vendbanimet e njëri-tjetrit por kanë dëshirë që përmes iftarit të përbashkët të zhvillojnë marrëdhënie të mira mes vete, siç janë kolegët e punës.
Me zgjerimin e qasjes nëpër rrjete sociale ku çdokush mund ta shprehë mendimin e vet, dhe ku ankohet, kritikon, dhe godet gjithçka, shpërndahen edhe kritika për aspekte të caktuara të iftareve të sotme. Një prej tyre është çmimi i menyve për iftare nëpër restorante, që me të vërtetë është i lartë, thua ti se do të ngelen me bark të zbrazur nëse nuk hanë në restorant.
Por ky shkrim do të fokusohet te një kritikë tjetër që po paraqitet shpesh: iftaret luksoze vetëm për personat e pasur, me pushtet, apo me ndikim në shoqëri.
Ekziston hadith që flet për darkat e dasmave por mbase me analogji mund të shfrytëzohet edhe për rastet tjera, siç janë iftaret:
“Ushqimi më i keq është ai i dasmave ku janë të ftuar vetëm të pasurit ndërsa të varfrit janë të përjashtuar.” (Sahihu i Buhariut)
Megjithatë, kritika ndaj iftareve të tilla rrallë vijnë nga besimtarë të vetëdijshëm për argumentet egalitariste nga Kurani dhe Sunneti, por kryesisht vijnë nga besimtarë të cilët nuk e praktikojnë shumë fenë, dhe si ngushëllim, shfajësim dhe arsyetim i kanë gabimet, rastet e rralla apo tërësisht inekzistente por hipotetike të tipit: “e çfarë të themi për atë që e falë namazin por i bën të gjitha të zezat?” Një nga “shfajësimet” e tilla janë edhe iftaret e shtruar nga dhe për njerëzit me ndikim në shoqëri. Përpos se është thjeshtë përpjekje për barazim të fajit (“unë për vete nuk agjëroj, ama së paku as nuk bëj diskriminim në ftesat për iftare”), kjo kritikë vjen edhe nga një keqkuptim i fesë, apo interpretim tendencioz i fesë: që feja është vetëm “çështje e brendshme dhe private”, modesti, përulje, mungesë ambiciesh për ngritje të pozitës socio-ekonomike, dhe vetëm kujdes për të varfrit.
Pa dyshim, feja e përfshin edhe atë. Meqë flasim për iftaret që janë dukuri e lidhur me Ramazanin, duhet përkujtuar që në fund ajo përfshin fitrat që duhet t’u ndahen të varfërve, dhe fidjen që mosagjëruesit me arsyetim duhet t’ua ndajnë të varfërve. Po ashtu, duhet përkujtuar se ka edhe shoqata bamirësie që shtrojnë iftare vetëm për të varfrit, por edhe kësaj i gjejnë të meta: “ja, bëni mirë dhe e publikoni”; “e a vetëm për Ramazan kanë nevojë për t’iu ndihmuar?” Ndonjëherë shtrohen iftare për të gjithë komunitetin, e që pastaj janë cak i një tjetër kritike të jopraktikantëve: “e keni zënë rrugën”. Për rastet kur shoqatat e ftojnë ndonjë imam që iftarin e komunitetit ta shfrytëzojë për lutje e ndonjë këshillë, thonë “u kënaqën hoxhallarët duke ngrënë iftare të mira”. Po mirë bre, a nuk u dashka që iftari si fenomen islam, të bashkëngjitet me rituale tjera me një prijës islam që besimtarëve muslimanë t’iu jep këshilla islame? “U kënaqën hoxhallarët duke ngrënë iftare të mira.” E si u dashka të veprohet me hoxhën? Të veçohet nga pjesëmarrësit tjerë duke i shtruar më pak ushqim dhe më pak cilësor?!
Por t’iu kthehemi iftareve vetëm për të pasurit. Ata që kritikojnë iftaret e tilla, nuk e kuptojnë apo bëhen sikur nuk e kuptojnë rëndësinë e zhvillimit të marrëdhënieve me njerëzit e pasur dhe me ndikim. Në mënyrë që bashkësitë islame dhe shoqatat të mund t’iu shërbejnë besimtarëve në përgjithësi dhe të varfërve në veçanti, ato të holla duhet të vijnë prej diku. Përmes atyre iftareve elitare, zhvillohen marrëdhënie të tilla që mundësojnë më shumë donacione dhe iftare për të varfrit.
Sa u përket iftareve të shtruara nga politikanë, këtu duhet pasur më shumë përmbajtje nga besimtarët. P.sh., një besimtar me krenari nuk merr pjesë në iftarin e Tiranës ku është ftuar rabini i IDF-së që zbaton tmerret ndaj besimtarëve në Tokën e Shenjtë, dhe nuk merr pjesë në iftarin e shtruar nga ambasadorja e një shteti si Izraeli.
Në Maqedoninë e Veriut nuk kemi pasur rast të tillë, por BFI e RMV duhet të rishqyrtojë se sa është e udhës që të merr pjesë në iftaret e politikanëve maqedonas që nuk ua kthejnë pronat e konfiskuara, që nuk lejojnë ndërtim xhamish, që ndërtojnë kryqe për të na provokuar, për të dëshmuar supremaci, dhe për ta shënuar territorin duke na getoizuar në tokën tonë.
Këto janë iftaret ku nuk duhet marrë pjesë apo duhet rimenduar ashtu që ftesës t’i përgjigjen më pak vetë dhe zyrtarë më të ulët të bashkësive islame. Sa u përket iftareve të besimtarëve të pushtetshëm dhe të pasur, ato gjithashtu kanë rëndësi shoqërore, e nëse jo, atëherë së paku nuk i meritojnë kritikat e ashpra që iu bëhen.
*Rilind Dauti është kolumnist i rregullt i Nistorit. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.






