Rrofshin fasulet tona!

    Foto: #Shteg

    EDMOND TUPJA

    Siç jemi të gjithë dëshmitarë, për shkak të ngrohjes globale të planetit Tokë, njerëzimi po shkon keq e më keq duke u ndeshur sa vjen e më shpesh e më rëndë me fatkeqësi natyrore të pamëshirshme të tilla si tërmetet, zjarret masive, përmbytjet e papërballueshme, epidemitë e pandemitë e kohëve të fundit, për të cilat, ai, pra vetë njerëzimi, është pjesërisht përgjegjës, sepse, prej disa shekujsh tashmë, ai po e ndot keqas vendbanimin e tij. Shtoju këtyre edhe teoritë e shumta konspirative të mbarsura pjellorisht me skenarë fatalistë, çka mjafton për t’u kallur një tmerr të paparë atyre që e duan jetën.

    Në këtë kuadër, disa mendje të mbrapshta “profetësh” po i molepsin ekranet me filma ku shohim të përhapen në rruzullin tokësor viruse vdekjeprurës që shpien detyrimisht në zhdukjen e njerëzimit, ose filma ku shohim ta pushtojnë planetin tonë përbindësha të ardhur nga nuk dihet ç’vrimë e kozmosit. Pikërisht pasi kisha parë një natë deri ndaj të gdhirë dy a tri filma të kësaj natyre, fillova të hamendësoja se, në raste të ngjashme, si do të mund të kishte mbijetuar qoftë edhe një grusht tokësorësh si ju, si unë, si ne, o lexuese dhe lexues të sotëm të kësaj rubrike.

    Rrjedhimisht, arrita në përfundimin dëshpërak se vetëm një grusht miliarderësh do të mund të fshiheshin diku për të mbajtur frymën gjallë në strehime të nëndheshme, anipse vetëm për disa muaj apo, me pak gjasë, për disa vite. Befas, erdhi një çast kur nuk m’u duk e pamundur që edhe Edi Rama, kryeministri ynë i përjetshëm, të bënte pjesë midis këtyre personave happy few dhe aspak non grata, thjesht, gjithashtu, sepse fare pranë rezidencës së tij të Surrelit, pikërisht nën malin e Dajtit, ka strehime të blinduara e të pajisura me tërë mirëqenien dhe mjetet e domosdoshme të mbijetesës në rast lufte, të cilat datojnë që nga koha e diktatorit Hoxha dhe mirëmbahen pareshtur.

    Në këtë stad të përfytyrimeve të mia, erdhi një çast kur në skenë hynë jashtëtokësorët e përbindshëm, të cilët, falë teknologjive të tyre shumë më të sofistikuara se tonat, pikasën ekzistencën e fshehtë të kryeministrit tonë të përjetshëm dhe të shpurës së tij besnike, pa harruar ministrat dhe kryebashkiakun e përjetshëm të Tiranës së tiranizuar nga prania e të ardhurve nga kozmosi. E paimagjinueshme! E papranueshme! Fatale! Por e keqja nuk paska fund! Tërë këta të përjetshëm ranë në skllavëri dhe, oh ç’lemeri, u bënë objekt eksperimentesh gjenetike!

    Eksperimente, si pasojë e pashmangshme dhe poshtëruese e të cilave, zonjat e zotërinjtë pushtetarë të dikurshëm e panë veten të transformuar herë në ujq e dele, herë në dhelpra e pula, herë në gjarpërinj e vezë, herë në nuselale e minj, herë në urithë e kandrra! Së fundi, atyre iu rikthyen tiparet njerëzore dhe ata u zhvendosën si me magji drejt një grope të mbushur me fasule të ziera, buzë së cilës, ndonëse duarlidhur, u detyruan të gjujnëzoheshin për të shuar urinë që po u gërryente zorrët.

    Pasi u ngopën, u shtrinë dhe i zuri gjumi menjëherë, ndërsa përbindëshat kozmikë nuk ua ndanin sytë e gjelbër deri në momentin kur, papritmas, të shkretave qenie njerëzore nisën t’u këndonin zorrët, çka shënoi fillimin e një koncerti gazmor e gazpërhapës që i çorientoi përbindëshat në fjalë, sepse, në sallën ku ndodheshin të dy palët, plasi një erë e papërballueshme, tipike për pasojat e gjellës sonë kombëtare; befas, kryeministrit tonë të përjetshëm i shkëlqyen sytë, diçka i pëshpëriti shpurës së tij, pjesëtarët e së cilës u kthyen kurrizin, më saktë prapanicën, përbindëshave kozmikë për t’i bombarduar gati njëkohësisht me gazrat e barqeve të tyre.

    Nuk po u besoja as syve, as veshëve, as hundëve: Përbindëshat nisën të shtrembëroheshin, pastaj u zgërlaqën, u rrëzuan dhe… ndodhi… ndodhi mrekullia: Gjëmimi dhe veçanërisht kutërbimi i simfonisë së fasuleve shqiptare të përpunuara në barqet patriotike, ballkanike dhe euroatlantike të kryeministrit tonë të përjetshëm e të shpurës së tij besnike, pa harruar atë të kryebashkiakut të Tiranës, dëbuan përbindëshat jo vetëm nga Republika e Rraskapitur e Shqipërisë, por edhe nga Open Ballkani, madje nga mbarë planeti Tokë, prandaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato të Bashkimit Europian, por edhe Kina me Rusinë, edhe Turqia me Serbinë nxituan të nënshkruanin disa marrëveshje të dobishme me qeverinë e fasulosur e të parfumosur shqiptare plot gaz e hare (gazra e diarre) për blerjen e miliona tonelatave me fasule të varietetit shqiptar, të çertifikuara shkencërisht me prejardhje të sigurt pellazgjike, ilire e arbërore, si të vetmen armë të efektshme në luftën kundër  pushtuesve të përbindshëm të ardhur nga kozmosi! Rrofshin, pra, fasulet tona!/Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Vaksinimi i regjistruesve të popullsisë nuk është i detyrueshëm

    Lajmi i rradhës

    Një arsye e zakonshme pse bimët në kopsht nuk mbijnë ose thahen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë