Sa më larg Europës, aq më afër përplasjeve etnike

    Urim Hasipi

    Gjykatat e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të nxisin edhe më shumë urrejtje ndëretnike. Me vendimet e tyre të padrejta, institucionet që duhet të prodhojnë drejtësi e rrisin hendekun ndëretnik në vend. Vendimi i fundit, ku një shqiptar mërgimtar për mbajtjen e flamurit autokton dënohet me pesë vite burg me kusht, nëse e përsërit veprën, dhe me dëbim nga vendlindja në kohëzgjatje prej pesë vitesh, është dëshmi e kësaj.

    Askund, pikërisht askund, asnjë institucion i drejtësisë në botë nuk ka guxim të sjellë një vendim të tillë. Këtë guxim e kanë gjykatat në këtë shtet, ku vendimet merren me rekomandim të politikanëve. Ndërkohë, nuk dihet prej kur është i ndaluar flamuri autokton të valvitet.

    Nuk dihet në bazë të cilit nen është i ndaluar, nuk ka datë ose amendament të veçantë, apo ndonjë nen në kushtetutë ku thuhet se ndalohet përdorimi i këtij flamuri. Nëse ky flamur nxit urrejtje, atëherë edhe për shqiptarët ka shumë flamuj që na pengojnë këtu, dhe duhet që me ligj të ndalohen disa prej tyre, sepse nxisin urrejtje. Shpejtësia me të cilën u dënua një shqiptar është goditja e radhës për ne si komb.

    Vonesa e zbardhjes së incidentit në Kumanovë, ku u përdor fjalor anti-shqiptar, tregon se gjykatat në vend punojnë për ngritjen e tensioneve etnike. Mosshqiptimi i dënimeve u jep krah dhe forcë një etnie që të vazhdojë edhe më tej të përdhosë simbolet tona kombëtare si në festën e 28 Nëntorit, të përdhosë shenja ku janë në dy gjuhë, të nënçmojë shqiptarët në institucione dhe të brohorasë në tribuna stadiumesh me thirrje direkte kundër nesh. Thirrjet e tilla janë të destinuara kundër çdo individi që vetes i thotë shqiptar. Ata nuk bëjnë dallim – të gjithë jemi në atë vrerin e tyre.

    Prandaj, Europa është larg nesh, shumë larg, dhe mosinteresimi për integrim do të sjellë pasoja fatale. Nëse nuk ka integrim, nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka drejtësi, nuk ka barazi. Çfarë na pret në të ardhmen? Vetëm më shumë tensione dhe vendime të padrejta. Pra, sa më larg Evropës, aq më afër përplasjeve etnike. Sa më pak zhvillim ekonomik, aq më shumë dezintegrim. Sa më shumë padrejtësi, aq më shumë revoltë. Dhe tashmë kjo shihet qartë – vendi ka hyrë në një rrugë shumë të paqartë, ku do të dominojnë problemet etnike më shumë sesa ato ekonomike.

    Një vend jo stabil në aspektin etnik është fushë veprimi për shumë shërbime që e kanë pikërisht këtë qëllim – jostabilitetin. Ndërsa jostabiliteti sjell një varg problemesh të cilave në të ardhmen nuk u shihet fundi dhe nuk dihet në favor të kujt shkojnë.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Trajnerët italianë kërkojnë që Izraeli të pezullohet nga UEFA e FIFA për shkak të luftës në Gazë

    Lajmi i rradhës

    MSh nis kontrolle urgjente në spitalet private për keqpërdorim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë