SI MUND T’I NDIHMOJË KOSOVARËT PËRVOJA E DIASPORËS.
Gjatë fëmijërisë në një familje shqiptare në Londrën perëndimore gjatë viteve të 90-ta dhe të 2000-ta, një koncept ka rrethuar rritjen time dhe të tjerëve në diasporë.
Marrja.
Marrja është e ngulitur në diasporë dhe nuk është zhvilluar aq shumë prej kur kam arritur moshën madhore anti-kulmore. Është e vërtetë që nga kjo dalin disa gjëra gazmore dhe të shkujdesura. Për shembull, kur nëna yte furishëm i nxjerr produktet e pastrimit sa po merr vesh që janë duke ardhur mysafirë nga frika që një grimcë pluhuri do të shihet nga vizitorët.
Përkundër disa momenteve qesharake të shkaktuara nga këto mesazhe, pas moshës 20-vjeçare mes disa ngjarjeve jetësore stresuese një anëtar i familjes është diagnostikuar me sëmundje mendore. Tek atëherë e kam pasur mundësinë për të shkoqitur efektet e marres në mua përmes terapisë.
Tabutë dhe marrja në kulturën shqiptare
Shkoqitja e marres përmes terapisë do të thotë shumë reflektim në mesazhet që kultura jonë m’i ka mësuar rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh grua shqiptare — dhe më me rëndësi — çfarë më ka thënë se një grua shqiptare nuk mund të jetë.
Kjo m’i ka hapur sytë lidhur me faktin se vetë ekzistenca ime si grua do të thotë që përkundër prirjeve të mia feministe, në ndërdije kam rrëshqitur në kallëpin e aprovuar se çka një grua supozohet të jetë: një person i cili shmang marren për veten dhe familjen. Ky nuk është fenomen unik shqiptar, por sidoqoftë është fuqimisht shqiptar në njëfarë mënyre.
SHËNDETI MENDOR NUK MENDOHET SI PROBLEM KYÇ PËR DIASPORËN APO PËR FAMILJEN DHE MIQTË NË SHTËPI.
Mjerisht, nuk është vetëm gjinia që karakterizohet nga narrativat e marres në diasporën shqiptare të Kosovës. Përjetimi i problemeve të shëndetit mendor gjithashtu i detyron individët të mundohen të mbulojnë problemet e tyre të shëndetit mendor nga frika e përjashtimit. Si rezultat i kësaj, një gënjeshtër e përjetësuar nga diaspora është ideja që sëmundja mendore nuk ekziston në komunitetet tona.
Sigurisht, nuk është që sëmundjet mendore nuk ekzistojnë në komunitetin tonë, por thënë më saktë, nuk munden dhe nuk do të lejohen të ekzistojnë. Marrja, pasi ka funksionuar aq mirë në dominimin e kuptimit të shëndetit mendor nga shumë familje të diasporës, ka qenë efektive në heshtjen, izolimin — dhe për më keq — largimin e shumë pjesëtarëve të komuniteteve tona të cilët vuajnë nga shëndeti mendor.
Duke qenë se isha rritur me këtë këndvështrim të shëndetit mendor nga komunitetet tona, nuk ua kam përmendur terapinë time shqiptarëve të tjerë në diasporë. Për një pjesëtar tjetër të familjes sime, mesazhet e mbushura me turp dhe me mungesë të të kuptuarit për shëndetin mendor kanë çuar në izolim shoqëror. Personi në fjalë nuk merr më pjesë në festa familjare dhe ngjarje të tjera për shkak të trajtimit diskriminues dhe të sikletshëm të cilit i nënshtrohet.
Edhepse shumë njerëz nga diaspora shqiptare mund të njohin dikë me probleme të shëndetit mendor, zërat dhe përvojat e tyre shpesh përmbyten në një kulturë të rrethuar nga tabutë dhe marrja që praktikisht i hesht përvojat e tyre dhe garanton që së paku nga jashtë, shëndeti mendor nuk mendohet si problem kyç për diasporën tonë apo për familjen dhe miqtë në shtëpi.
Të jetuarit në mohim
Përkatësia është një shtyerje thelbësore njerëzore që shpie njerëzit të adoptojnë shumë norma shoqërore pa marrë parasysh dëmin që ato shkaktojnë në individë. Në një kulturë ku kushtet e shëndetit mendor janë tabu, pasojat që kjo ka në diasporën shqiptare të Kosovës shpesh janë të dëmshme.
Shumë nga diaspora rriten duke besuar që fshehja e aspekteve të vetes së tyre është zgjidhja e vetme për të mbrojtur identitetin grupor dhe për të arritur përkatësinë. Kjo nuk është vetëm individuale por kalon ndër breza dhe ka ndikim të madh në shëndetin mendor. Për më keq, kur problemet e shëndetit mendor nuk mund të fshehen më, pjesëtarë të diasporës me këto probleme shpesh izolohen për shkak të marres.
Vetëdija kolektive për ndikimin izolues që kanë problemet e shëndetit mendor i shtyn shumë pjesëtarë të komuniteteve tona të minimizojnë natyrën e problemeve të tyre nga frika e izolimit. Ka gjithashtu një besim të internalizuar që ata kanë mangësi pasi kanë përvojë të problemeve me shëndetin mendor.
NDRYSHIMI I QËNDRIMEVE BRENDA DIASPORËS MUND T’I NDIHMOJË PERSONAT E KOMUNITETEVE TONA TË CILËT KANË NEVOJË PËR MBËSHTETJE ME SHËNDETIN MENDOR.
Shumë pjesëtarë të komuniteteve tona shpesh nuk kërkojnë trajtim kur u duhet dhe si pasojë përballen me përkeqësim të problemeve të tyre me shëndet mendor. Nga besimi që problemet e shëndetit mendor mund të shërohen me dieta apo me konsultim të figurave fetare, shumë pjesëtarë bëjnë gjithçka që munden për ta uruar largimin e problemeve të tyre me shëndet mendor para se të kërkojnë trajtim mjekësor dhe psikologjik.
Përballja me problemin
Stigma rreth sëmundjeve mendore sigurisht që është globale dhe jo unike për shqiptarët. Duke jetuar në Britani të Madhe, unë mund të dëshmoj për faktin që vetë “perëndimi” nuk është domosdoshmërisht më i mirë në pranimin e atyre me sëmundje mendore. Megjithatë, izolimi me të cilin përballen ata me probleme të shëndetit mendor pasi problemet e tyre bëhen të dukshme, dhe natyra tabu që shëndeti mendor ka në komunitetet tona është me të vërtetë një realitet që komuniteti shqiptar i Kosovës duhet ta shikojë nga afër dhe të përpiqet ta trajtojë bashkërisht.
Në 2020, disa media shiptare të Kosovës kanë raportuar mbi vrasjen e shumëfishtë të një familjeje zvicerane-shqiptare në pushime në Kosovë, e cila u është atribuar “problemeve në familje”. Ky rast nuk ka nxitur diskutim të mëtutjeshëm brenda diasporës apo mediave shqiptare mbi implikimet e dhunës në familje dhe shëndetit mendor në diasporë.
Mirëpo çfarë efekti do të kishte në komunitetet tona nëse sëmundjet mendore si temë do të ishin pjesë e diskutimit publik? Për më shumë, a nuk e ka vetë diaspora një rol kyç në nxitjen e këtyre bisedave, ku qasja ndaj shërbimeve të shëndetit mendor është më pak e vështirë të arrihet se në vendlindje, në Kosovë?
Një pjesë e madhe e diasporës ka kontribuar me investim ekonomik në Kosovë dhe shpesh vepron si sistem i mbështetjes financiare për të afërmit në vendlindje. Vetëm këtë vit, diaspora i ka fokusuar përpjekjet për të ndihmuar ndryshimin e peizazhit politik të Kosovës. Këto nuk janë veprime minimale dhe janë të vlefshme në mënyrën e vet. Megjithatë, ato nuk janë të mjaftueshme në vetvete për të adresuar efektet që lufta dhe shpërngulja kanë shkaktuar në shqiptarët e Kosovës botërisht.
Nevoja për shërbime të shëndetit mendor me ndjeshmëri kulturore
Një aspekt kyç i rimëkëmbjes për diasporën, familjet tona dhe miqtë në vendlindje përfshin një vetëdijesim të vërtetë dhe një dëshirë për të adresuar ndikimet që lufta dhe shpërngulja e detyruar kanë pasur në shëndetin mendor të shumë prej pjesëtarëve tanë. Veç këta dy faktorë janë faktorë të rëndësishëm në zhvillimin e problemeve të shëndetit mendor.
Vetë përvoja e të qenit imigrant të vë në rrezik më të lartë të vuajtjes nga problemet e shëndetit mendor. Rrjetet e diasporës mund të jenë mekanizëm kyç i mbrojtjes për imigrantët, për t’i ndihmuar në mënjanimin e problemeve të shëndetit mendor dhe tjetërsimin që shpesh përjetohet kur vendosesh në një vend të ri.
ËSHTË E VËSHTIRË TË KONCEPTUALIZOHET SE SA TË NEGLIZHUAR JANË SHUMË NJERËZ NË KOMUNITETET TONA SA I PËRKET MBËSHTETJES PËR SËMUNDJET E TYRE TË SHËNDETIT MENDOR.
Fatkeqësisht, rrjetet e diasporës shqiptare të Kosovës nuk bëjnë mjaftueshëm që të jenë burim i qëndrueshmërisë apo përkatësisë për ata me probleme të shëndetit mendor. Në fakt, ato garantojnë tjetërsim më të madh për pjesëtarët tanë më probleme të shëndetit mendor. Ndryshimi i qëndrimeve brenda diasporës mund t’i ndihmojë personat e komuniteteve tona të cilët kanë nevojë për mbështetje të shëndetit mendor dhe ka potencial të vërtetë në rrjetet e diasporës sonë për këtë. E megjithatë, mesazhe të mbushura me marre që rrethojnë problemet e shëndetit mendor do të thonë që kjo nuk gjendet askund.
Pasi kam mbështetur një anëtar të familjes me probleme të shëndetit mendor dhe duke parë efektin izolues që shëndeti mendor ka pasur në të gjatë viteve të fundit, më është bërë e qartë që shërbimet e shëndetit mendor me ndjeshmëri kulturore janë hap kyç që mungon në trajtimin e tyre.
Fatkeqësisht, në Britani të Madhe si dhe në pjesë të tjera të botës me diasporë shqiptare nga Kosova nuk ekzistojnë shërbime të shëndetit mendor me ndjeshmëri kulturore dhe mbështetja joformale nga diaspora është gjithashtu inekzistente.
Shërbimet me ndjeshmëri kulturore janë një ndër rrugët drejt trajtimit që mund të adresohen për të ndihmuar pjesëtarët tanë të cilët kanë probleme me sëmundje mendore por tash e 20 vite pas luftës kjo nuk ka ndodhur. Arsyeja për këtë është padyshim për shkak të tabusë që ndërlidhet me sëmundjet e shëndetit mendor në komunitetet tona; por këto burime janë shumë të nevojshme për shqiptarët dhe për një pjesëtar të familjes sime — ndoshta një pjesë kyçe e gjëegjëzës së trajtimit.
Roli i diasporës
Pjesëtarët e diasporës duhet të shkoqitin mënyrat se si narrativat e bazuara në marre të trashëguara kanë ndikuar rimëkëmbjen dhe zhvillimin e pasluftës. Na duhen biseda, organizim kolektiv, dhe gatishmëri për t’u përfshirë në mënyrë proaktive me pjesëtarët të cilët kanë probleme me shëndetin mendor.
Është vështirë të konceptualizohet se sa të neglizhuar janë shumë njerëz në komunitetet tona sa i përket mbështetjes për shëndetin mendor, për shkak të heshtjes në kulturën tonë që dominon kur vjen fjala te çfarëdo diskutimi i shëndetit mendor. Megjithatë, një gjë është e sigurt: problemet e shëndetit mendor janë fenomen thelbësisht botëror. Shqiptarët nuk mund të vazhdojnë më të injorojnë një temë universale njerëzore në diskutimin tonë publik.
Është e mrekullueshme të shohësh fuqinë që diaspora ka për të ndihmuar Kosovën të ndryshojë një dekadë të korrupsionit politik me përfshirje politike. Si pjesëtare e diasporës, më duket e domosdoshme që të marrim parasysh edhe aspekte të tjera të zhvillimit. Shëndeti mendor është një fushë e zhvillimit rreth së cilës si kolektiv duhet të kemi biseda të hapura dhe të sinqerta në mënyrë që të adresojmë nevojat e shëndetit mendor në komunitetet tona.
Diaspora ka një rol kyç në hapjen e këtyre bisedave. Me më pak barriera ndaj shërbimeve të shëndetit mendor, ne jemi të privilegjuar që puna jonë kryesisht mbetet në shkoqitjen e narrativave të bazuara në marre. Ne nuk mund të lejojmë që këto narrativa të pengojnë aftësinë e shumë personave në komunitetet tona për të kërkuar trajtim për shëndetin mendor. /Kosovo2.0/