Shqipëria drejt Brukselit apo përreth Surrelit?

    XHEVAT MUSTAFA

    Deklarimi i kryeministrit Edi Rama në intervistën në “Financial Times” më 07.08.2026) se “vendi ndodhet në momentin më të mirë në shumë drejtime”, për anëtarësimin në BE, siç duan ai dhe miku i tij, Aleksandar Vuçiç, mund të cilësohet si përralla apo gënjeshtra propagandistike dhe manipuluese më e freskët e tij në një varg shumë të gjatë përrallash, gënjeshtrash, mashtrimesh gjatë 21 viteve si kryetar i PS-së dhe i 13 viteve si kryeministër i Shqipërisë, i rreth “800 mijë votave”, rreth gjysma “të fituara” edramisht!? Ndryshe nga sa thotë Edi Rama, shumica e treguesve të zhvillimit, nivelit të jetesës, të korrupsionit dhe trafiqeve, të pastrimit të parave të pista e të betonizmit, sipas platformës së Arubës; të kriminalitetit dhe emigracionit; të përbërësve të rrezikshëm në ushqime dhe ilaçe; të shërbimit përgjithësisht të papërgjegjshëm dhe korruptiv në spitalet shtetërore; të ndotjes së ajrit, ambientit, ujërave…, shprehin SHQIP se Shqipëria është në ditët më të vështira të mbijetesës apo ekzistencës! Për të qenë më konkretë e bindës, sidomos për “popullin e majtë”, që ka 82 vjet që beson vetëm gënjeshtrat, premtimet rrenëse, përrallat e partisë së zemrës me tri emra e një shpirt të zi, le tu referohemi disa fakteve të freskëta nga burime shqiptare e ndërkombëtare. -Monitor Al, KLAN TV, Dosja Al…, 02.02.2026 Raporti i FMN: Shqipëria e 83-ta në botë për pasuri, e fundit në Europë për mirëqenie… Sipas të dhënave që janë bërë të ditura në data basë të FMN-së, Shqipëria renditet e 83-ta në botë për të ardhurat për frymë në dollarë dhe e 85-ta në treguesin tjetër më të rëndësishëm, të ardhurat për frymë, sipas standardit të fuqisë blerëse, për vitin 2025. Treguesi i të ardhurave për frymë në vitin 2025 ka arritur në 11 mijë dollarë, sipas të dhënave të FMN-së.

    Të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë sa 28% e mesatares së Europës dhe 23.7% të mesatares së Bashkimit Europian (46,804 USD). Shqipëria nuk ka arritur as mesataren globale, që është 14.6 mijë dollarë për frymë, por mbetet në 76% të saj. Në treguesin e të ardhurave për frymë sipas barazisë së fuqisë blerëse, Shqipëria është e 85-a në këtë renditje me një nivel prej 23.3 mijë dollarë ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut është në vend të 77, Bosnjë-Hercegovina e 89-a dhe Kosova e 98-a. – Transparency International, 10 shkurt 2026: Shqipëria, vend me nivel korrupsioni të lartë Sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit (CPI), një sondazh që bazohet në vlerësimet e ekspertëve ekonomikë, të cilit i referohet edhe Transparency International, Shqipëria mbetet në grupin e vendeve me korrupsion të lartë dhe prirja po shkon gjithmonë e më për keq. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2025 i “Transparency International” e vlerëson Shqipërinë me 39 pikë nga 100, nën mesataren globale prej 42 pikësh dhe larg standardeve të Bashkimit Europian. Sipas dr. Enrico Ceko, “…Varfëria e shqiptarëve vjen nga inflacioni, zhvillimi i ngadalshëm, korrupsioni, tregu i kufizuar, konkurrenca e ulët dhe niveli i arsimit…!” – SOT NEWS, 16.06.2026… Raporti i fundit i OECD-së, të cilit iu referua edhe deputetja e PD-së, Jorida Tabaku në diskutimin e saj në seancën plenare të 16 qershorit 2026, e vendos Shqipërinë të fundit në rajon për shumicën e treguesve – që nga infrastruktura, klima e biznesit, treguesit e të ardhurave, e deri te cilësia e shërbimeve publike.

    Sot, çdo qytetar shqiptar ka të ardhura vetëm 37% të mesatares së Bashkimit Europian. Produkti i brendshëm bruto për frymë është vetëm 20% i vendeve të BE-së. Raporti i OSBE-së vlerëson se Shqipërisë do t’i duhen të paktën 15 vite për të përmbushur standardet minimale të rajonit në ujësjellës-kanalizime, energji dhe infrastrukturë. – Eurostat, 10.08.2026: 53% e shqiptarëve nuk përballojnë dot 1 javë pushime, të tretët në Evropë Vendet e vetme europiane, ku më shumë se gjysma e popullsisë nuk mund të përballojë një javë pushime janë Rumania, me 61% të popullsisë, Mali i Zi, me 58%, Shqipëria me 53% dhe Turqia me 51%…! Gjatë 13 viteve të Rama-qeverive, ashtu si edhe në ato të mëparshëm, ka vazhduar dukuria me rrjedhoja shumëdrejtimëshe dhe shumëformëshe që Shqipëria është nga vendet e paktë në botë që nuk ka industri prodhuese, për shumicën e kërkesave dhe nevojave të zhvillimit, jetesës, mbrojtjes së vendit. Treguesi i mbulimit të importeve me eksport shënoi 39% në vitin 2025, niveli më i ulët në 14 vite sipas të dhënave zyrtare të INSTAT e të Monitor, publikuar më 21 janar 2026.

    Mashtruar nga propaganda qeveritare, enveristët, edramistët, patronazhistët…, gënjejnë vetet kur i pandehin si suksese mbarëpopullore dhe ngjiren duke i lavdëruar “fitorjet” e saj me numrin e kullave dhe të kateve; të resorteve turistikë; me komplekset e vilave; me sipërfaqet dhe prodhimin e centraleve apo paneleve fotovoltaike për energji elekrike; me koncertet e Kanye West e të Noizit me shoqe e shokë…Bëjnë sikur “harrojnë” apo nuk duan tia dinë se nga këto vepra e “kryevepra” të Rama-qeverisjes pasurohen disa qindra apo mijëra bosë biznesesh, politikë, qeverisës; oligarkë dhe “investitorë strategjikë”, shqiptarë e të huaj dhe jo rreth 2 milionë shqiptarët e thjeshtë!? Edhe më pak, rreth 650 mijë pensionistë me 150-300 euro në muaj, kur në të gjitha tregjet, tregtarët dhe çmimet janë çmendur, më shumë se të çmendurit me kartelë nga Spitali Neuro-psikiatrik Nr.5 në Tiranë…!? Sikur të kishte parasysh më tepër vendin tonë e sikur ti tërhiqte vëmendjen, së pari qeverisë Rama, shtyhet shumëkush nga shqiptarët SHQIPTARË e jo edramistë, të mendojë për deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, më 10 gusht 2026. Ai sikur e tha edhe fare SHQIP e jo në edramisht: “…Një vend që nuk është në gjendje të ndërtojë anije, të prodhojë ilaçe, të kontrollojë imigracionin ose të sigurojë qasje në burimet jetike, nuk mund të mbrojë popullin e tij, nuk mund të mbrojë interesat e tij dhe nuk mund të mbrojë mënyrën e tij të jetesës…”!

    Nga këto fakte e shifra, të këtyre 8 muajve të vitit 2026, shprehet dhe kuptohet fare shpejt e lehtë se sa larg ndodhet Shqipëria nga standartet e BE-së. Nëse do të vazhdohet të flitet e shkruhet për suksese, mbështetur vetëm në letra e të pandjeshme apo të papërjetueshme nga shumica e popullit; se mbyllëm 3 kapitujt e parë për integrim në BE, (të Shkencës dhe Kërkimit, Arsimit e kulturës dhe Marrëdhënieve me jashtë), nga 33 gjithsej e kur 30 të tjerët janë tejet më të vështirë e që kërkojnë vite të shumtë, mashtrojmë, së pari veten, se kemi bërë “progres të paparë” e se kemi arritur “fitore historike”!? Edhe nëse vendet kryesore të BE-së do të vendosin të na hapin derën për anëtarësim pa të drejtë vote, siç deshën e duan “vëllezërit siamezë”, Vuçiç e Rama, më shumë për mëshirë e për të mos na lënë edhe më shumë në duart e oligarkisë dhe mafias italiane, ballkanike, sllave, arabe, arubase…, përsëri për nga standardet mesatare e minimale të BE-së, sidomos në nivel jetese, korrupsioni; funksionaliteti të shtetit ligjor e social, demokratizimi e pavarësie të drejtësisë; do të jemi larg me 10, 15, 25, 50… vite! Sipas këtyre shifrave dhe fakteve, Shqipëria është dhe do të mbetet gjatë e fundit ose e parafundit në rajon e në Europë! Për më tepër, kjo nuk është shkruar e thënë vetëm nga mediat e pavarura dhe nga opozita, por nga çdo raport ndërkombëtar.

    Po kështu, prej mbi 12 vitesh është bërë e qartë dhe e kuptueshme se faqen e Shqipërisë, ndjeshëm të njollosur apo të nxirë, nuk e njollosin dhe nxijnë edhe më shumë opozita; protestuesit prej mbi 2 muaj e gjysmë; mediat dhe rrjetet sociale të pavarura në bindje e qëndrime. Apo disa gazetarë të njohur italianë, gjermanë, spanjollë, zviceranë, francezë, amerikanë…Faqen e Shqipërisë e bëjnë sterrë të zezë ekipet qeverisëse, qendrore e lokale, së pari Edi Rama, Linda Balluku me shoqe e shokë. Pra, ata që kanë pasur mundësi të ndryshojnë, zbardhojnë dhe nderojnë vendin dhe nuk e kanë bërë, jo se nuk kanë ditur e se janë penguar nga “e keqja më e madhe e Shqipërisë”, nga vetë shqiptarët, por sepse nuk kanë dashur e nuk kanë gjetur kohë të lirë, për shkak të përkushtimit gjatë pjesës më të madhe të kohës për projektet me oligarkë dhe “investitorë strategjikë” shqiptarë, Artur Shehu, Ermal Beqiri, Ergys Agasi… e ndërkombëtarë, jo pak prej tyre me lidhje me “piramidën” e shumë të këqijave për mbarë botën” Xhorxh dhe Alex Soros; me “oktapodët” Ndragheta, Alabbar, Ron Yeffet, Aruba…!? Panorama

    Lajmi Paraprak

    NJË SHKËNDIJË E VOGËL MJAFTON PËR KATASTROFË | Angelov tregon skarën e braktisur pranë Treskës

    Lajmi i rradhës

    Kthimi në shkollë mund të jetë emocionues edhe për prindërit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë