Si do të hakmerret Rusia ndaj Perëndimit

    Moska e konsideron veten nën rrethim dhe ka bërë të qartë se do të kundërpërgjigjet, ngase beson se duhet, në mënyrë që të mbrojë interesat themelore të Rusisë.

    Përderisa marrëdhëniet mes Rusisë dhe perëndimit vazhdojnë të përkeqësohen, Moska zotohet se do të kundërpërgjigjet në mënyrë “asimetrike” kundër “kërcënimeve” dhe “provokimeve” të mëtejshme të kundërshtarëve të saj.

    Presidenti rus Vladimir Putin dha konferencën e tij të përvitshme për shtyp në mes të prillit, në sfondin e tensioneve të shtuara në konfliktin e vazhdueshëm në Donbas të Ukrainës dhe valës së re të protestave kundër qeverisë, për shkak të burgosjes së aktivistit opozitar rus Alexei Navalny-t.

    Konferenca për shtyp u përqendrua kryesisht në çështjet e brendshme, përfshi projektet rajonale të infrastrukturës dhe masat qeveritare për t’u përballur me rënien ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Vetëm në fund të fjalimit të tij që zgjati pak më shumë se një orë, Putin-i më në fund preku temën e politikës së jashtme. Ai foli për akuzat për pjesëmarrjen e qeverive perëndimore në një plan për të bërë atentat ndaj presidentit të Bellorusisë Alexander Lukashenko, në përpjekjet për grusht shteti. Kjo akuzë është bërë së fundmi nga Minsku dhe është përqafuar pjesërisht nga Kremlini. Putin-i tha: “Po flas për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në Bellorusi të zbuluar së fundmi, në orvatjet për të orkestruar një grusht shteti dhe për të vrarë presidentin e atij vendi. Në të njejtën kohë, është tipike që edhe vepra të tilla flagrante të mos dënohen nga i ashtuquajturi Perëndimi. Duket se askush nuk e ka mendjen. Secili shtiret se nuk po ndodh asgjë… Mund të kesh mendimin tënd për politikat e presidentit të Bellorusisë Alexander Lukashenko. Megjithatë, praktika e organizimit të grusht shtetit dhe planifikimi i vrasjeve politike, përfshi atyre të zyrtarëve të lartë – e po, kjo është pak si tepër. Kjo shkon përtej kufijve.”

    Kremlini konfirmoi se Putin-i e kishte përmendur grusht shtetin e supozuar ndaj Lukashenko-s në bisedën e tij me presidentin Joe Biden në fillim të muajit, por nuk ofroi detaje të tjera. Departamenti i Shtetit ka hedhur poshtë supozimet si “absolutisht të pavërteta.”

    Lidhur me atë që dukej si referencë ndaj marrëdhënies mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, Putin shtoi se “ka lloj-lloj Tabaqui të vegjël që sillen përreth Shere Khan-it, duke u jargitur që të kënaqin sovranin.” Duke paralajmëruar Perëndimin kundër “shkeljes së vijës së kuqe në raport me Rusinë,” Putin tha se përgjigjja e Rusisë për shkeljet e tilla do të jetë “asimetrike, e shpejtë dhe e ashpër.” Kjo shënon një devijim të pavërejtshëm, por të rëndësishëm nga përkushtimi i kahershëm i Kremlinit në parimin e proporcionalitetit – d.m.th., masat dhëmb për dhëmb të matura me kujdes ndaj sanksioneve dhe ndëshkimeve të tjera perëndimore.

    Në prag të konferencës së Putin-it, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ftoi presidentin rus për një takim në provincën e shkëputur Donbas në Ukrainën Lindore. Fillimisht, Putin-i e refuzoi ofertën e Zelensky-t, duke thënë se çështjet që kanë të bëjnë me Donbasin duhet të diskutohen mes Kievit dhe lidershipit të Republikave të Doneckit dhe Luhanskut (DNR dhe LNR), por duke shtuar se është i gatshëm të diskutojë marrëdhëniet dypalëshe ruso-ukrainase me Zelensky-n në Moskë. Të nesërmen, zëvendësshefi i Shtabit Dmitry Kozak shpalli një ofertë të re: një takim shumëpalësh në Donbas që përfshin Francën, Gjermaninë, Ukrainën, Rusinë dhe përfaqësuesit e qeverive separatiste të Donbasit. Me gjasë, Kievi nuk do të pranojë pjesëmarrjen e këtyre të fundit, meqë në këto rrethana, angazhimi i drejtpërdrejtë me lidershipin e DNR-së dhe LNR-së mund të kompromentojë pozitën politike të Zelensky-t në Ukrainë.

    Ndonëse bisedimet mes dy palëve mund të mos ngjajnë, raundi më i fundit i përshkallëzimit mes Rusisë dhe Ukrainës duket se megjithatë po pakësohet. Pas javësh të asaj që është quajtur grumbullimi më i madh ushtarak i Rusisë në kufirin e Ukrainës që prej vitit 2014, trupat ruse tash po tërhiqen në bazat e tyre. “Besoj se qëllimet e inspektimit të befasishëm janë përmbushur në plotni,” tha ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu. “Prandaj, kam marrë vendim që të përfundoj masat e inspektimit në Distriktet Ushtarake Jugore dhe Perëndimore,” shtoi ai. Sipas Kremlinit tërheqja e këtyre njësive ruse do të përfundojë më 1 maj. Ndonëse shtrirja e plotë e qëllimeve të Moskës mbetet e paqartë, sjellja e Rusisë është përgjithësisht konsistente me metodën e frenimit me forcë; d.m.th, kjo është shenjë e vendosmërisë së Moskës për t’u përgjigjur shpejt dhe fuqimisht, në rast se Ukraina provon të rimarrë provincat e shkëputura përmes forcës ushtarake, e jo përmes procesit politik të përvijuar në Marrëveshjen e Minskut.

    Sido që të jetë, Moska është gjetur papritmas në një krizë të re diplomatike. Republika Çeke përjashtoi 19 zyrtarë të ambasadës ruse pas akuzave se Moska ishte përfshirë në shpërthimin e deposë së armëve më 2014. Moska mohoi akuzat e Pragës dhe përzuri menjëherë 20 diplomatë çekë nga ambasada çeke në Moskë, masë të cilën ministri i jashtëm çek Jakub Kulhanek tha se është “joproporcionale dhe de facto paralizon funksionimin e ambasadës.” Në përshkallëzimin që pasoi, Kulhanek njoftoi se Praga kishte vendosur të përjashtonte 63 punëtorë të ambasadës ruse. Kulhanek tha se kjo kishte për qëllim të arrinte barazi, duke përmendur se ambasada çeke në Moskë ka dukshëm më pak punëtorë se misioni rus në Pragë. Ambasadori çek në Rusi Vitezslav Pivonka i tha gazetarëve se “tash për tash” do të qendronte në Moskë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova akuzoi Pragën se ka sabotuar marrëdhëniet Rusi-Çeki me urdhër të “sponsorëve perëndimorë”, duke aluduar në Uashington. Të dy ambasadat tash janë reduktuar me nga 7 diplomatë secila, me marrëdhëniet mes Moskës dhe Pragës që mbahen në fije të perit. Ngecja e vazhdueshme është testi i parë për doktrinën e re të Kremlinit për hakmarrje “asimetrike”. Përderisa Moska kalon vijën e hollë mes vendosmërisë dhe përshkallëzimit në marrëdhëniet e saj me Perëndimin, është e sigurt se do të ketë sfida edhe më të vështira.

    ***

    Artikulli origjinal në The National Interest, më 24 prill 2021.

    Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

    Lajmi Paraprak

    Çfarë është rakitizmi? Domethënia, simptomat dhe trajtimi

    Lajmi i rradhës

    Çfarë është amenorreja dhe si trajtohet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë