Shqiptaria myslimane

    Justinian Topulli

    Në Kosovë, dhe jo vetëm, hapet e rihapet vazhdimisht debati absurd i mohimit të shqiptarisë së hoxhallarëve dhe besimtarëve myslimanë, nga ata, të cilët njohin vetëm një model të shqiptarisë. Sipas tyre, nëse nuk je shqiptar dhe patriot, ashtu siç ata e imagjinojnë dhe e duan shqiptarinë, atëherë je serb, grek ose njeri i shitur tek ata, për të shkatërruar kombin shqiptar!

    Të tilla akuza jorealiste janë kaq të përhapura në qarqet politike dhe kulturore shqiptare, sidomos në trojet verilindore të shqiptarëve, saqë një vëzhgues i qetë dhe objektiv do të skandalizohej nga përmasat e tyre tragjikomike, me të cilat modeli afetar dhe jomysliman i shqiptarisë, përbalt dhe poshtëron pjesën myslimane të shqiptarëve.

    Përveç padijes së theksuar rreth njohjes dhe kuptimit të proceseve, rrethanave historike, sociale, kulturore dhe faktorëve ideologjikë, përmes së cilëve kaloi formimi i kombit dhe shtetit shqiptar, shqiptaristët e tipit komunist, enverist, ateist, sekularist, pellazgjik dhe katolikocentrik, janë kaq të zellshëm në histerinë e tyre anti-islame dhe anti-myslimane, sa të drejtën e shqiptarisë ia atribuojnë në mënyrë ekskluzive vetëm vetes së tyre dhe përjashtojnë në mënyrë paradoksale shumicën e shqiptarëve dhe faktorin vendimtar në formimin e këtij kombi, që janë pikërisht shqiptarët myslimanë.

    Për ta, nëse je mysliman i devotshëm nuk je patriot shqiptar, por mund të jesh i shitur tek serbi dhe greku, po kështu, edhe nëse nuk ke të njëjtat pikëpamje për kombin si ata dhe nuk adhuron simbolet që ata adhurojnë dhe që i mendojnë si të vetmet, të cilat përcaktojnë shqiptarinë e dikujt!

    Këta njerëz nuk e kuptojnë sesa qesharakë dhe të mjerë bëhen në sytë e botës dhe të fqinjëve serbë dhe grekë, që i akuzojnë si mbështetësit kryesorë të Islamit mes shqiptarëve. Me imagjinatën e tyre konspiracioniste të sëmurë, ata fantazojnë një aleancë të gjerë paradoksale ortodokse-myslimane, serbo greke – turko arabe, që synon islamizimin e shqiptarëve dhe zhbërjen e kombit shqiptar në favor të sllavëve dhe të grekëve fqinj!

    Këta njerëz harrojnë, ose bëjnë sikur e harrojnë se, pikërisht fqinjët serbë e grekë, dikur, kur formuan shtetet kombe të tyre, në themel të nacionalizmit të tyre kishin ortodoksinë, e cila u shërbente si faktor fetar anti-osman e anti-mysliman për shkëputje nga shteti Osman dhe si element asimilues dhe përbashkues i të gjithë ortodoksëve që jetonin në territorin, mbi të cilin ata kërkonin të ndërtonin shtetet e tyre, pavarësisht prejardhjes së tyre etnike. Kështu që me kohë, ata i asimiluan lehtësisht shqiptarët ortodoksë, duke i bërë ata grekë e sllavë, ndërkohë që konvertuan me dhunë, i vranë apo i dëbuan ata që ishin shqiptarë myslimanë.

    Tani, këta grekë e serbë, që dikur identitetin islam të shqiptarëve e shikonin si pengesë për formimin e kombit të tyre dhe kërkonin ta zhduknin atë, sot na mbështetkan shqiptarët myslimanë që të bëhen edhe më shumë myslimanë, që kështu të zhbëjnë kombin shqiptar, në favor të tyre! Idiotësi më “brilante” sesa kjo, zor se mund të gjesh!

    Serbët dhe grekët i kanë vrarë, masakruar, dhunuar dhe dëbuar shqiptarët, pikërisht se kanë qenë myslimanë dhe nëse do të ishin në fenë e tyre, do t’i kishin konsideruar vëllezër ata dhe do t’i kishin konvertuar në grekë e serbë, siç edhe kanë bërë në fakt.

    Këta njerëz nuk i bëjnë pyetje vetes, se përse ortodoksia e serbëve dhe e grekëve dikur dhe sot, është faktor i ruajtjes dhe kultivimit të nacionalizmit të tyre, ndërsa islami i shqiptarëve qenka faktor shkombëtarizues i tyre?!

    Përse Ortodoksia i bashkon serbët dhe grekët me rusët, por nuk i zhbën ata së qeni patriotë grekë e serbë, ndërsa Islami që i bashkuaka shqiptarët me turqit dhe arabët, i shkombëtarizuaka ata nga të qenit shqiptarë!

    Po ortodoksët shqiptarë, që i bashkon ortodoksia me serbët, grekët dhe rusët, a shkombëtarizohen nga të qenit shqiptarë?

    Po katolikët shqiptarë, që i bashkon katolicizmi me vendet katolike si polakët, italianët, gjermanët, francezët, spanjollët, a shkombëtarizohen nga të qenit shqiptarë?

    Po ateistët, laikët e komunistët, që i bashkon ideologjia afetare me të ngjashmit e tyre nëpër botë, a nuk zhbëhen nga të qenit shqiptarë?

    Apo shqiptarët e vetëm e të vërtetë janë ata, që fe dhe ideologji kanë shqiptarizmin, që është e pamundur të ekzistojë pa u pleksur me ndonjë nga fetë dhe ideologjitë e mësipërme?

    Apo e vërteta është se Krishterimi dhe Afetaria që na bashkon me Perëndimin dhe vendet e Evropës është shqiptarisht i pranuar, sepse këto vende sundojnë sot botën, ekonomikisht, politikisht, ushtarakisht dhe kulturalisht, ndërsa Islami që na bashkon me Azinë dhe Lindjen është i refuzuar, sepse këto vende janë të stigmatizuara si të prapambetura ekonomikisht, politikisht, ushtarakisht dhe kulturalisht?

    Shqiptarizmi nuk ka qenë kurrë një model unik, dhe që në fillimet e tij ka pasur shqiptarizëm katolik, shqiptarizëm ortodoks dhe shqiptarizëm protestant madje, ashtu siç kishte sigurisht edhe një shqiptarizëm mysliman. Ka pasur edhe shqiptarizëm krahinor, ashtu siç ka pasur shqiptarizëm progrek, proserb, proaustriak dhe proitalian, por edhe shqiptarizëm proosman. Shqiptarët nuk kanë qenë gjithmonë hasëm me serbët, grekët dhe turqit, përkundrazi, në fillimet e nacionalizmit shqiptar, kur akoma nuk kishte filluar ndarja e territoreve të shtetit osman ku jetonin shqiptarët, i gjen të gjitha format e sipërpërmendura.

    Shqiptarizmi nuk është një fe e shpallur, e ardhur nga qielli dhe vetëm në një model të mundshëm, atë anti-islam e anti-mysliman, se nëse do të kishte qenë vetëm i tillë, kombi dhe shteti shqiptar mund të mos ekzistonte sot fare, sepse është absurde të mendosh se një shqiptarizëm anti-Islam, mund të lulëzonte në mesin e një popullsie shqiptare me shumicë myslimane. Njerëzit në shekujt e kaluar dhe sidomos në Ballkan, identitetin fetar e kishin shumë më të fortë dhe të rëndësishëm sesa e kanë sot, kështu që të projektosh në imagjinatën historike të së shkuarës, një shumicë myslimane shqiptare që urren Islamin apo edhe turqit osmanë, është një anakronizëm idiot, që vetëm mendjet e sëmura nacionaliste anti-islame të sotme mund ta kenë si iluzion.

    E njëjta gjë vlen edhe për simbolet e sotme kombëtare dhe shtetërore, as ato nuk kanë qenë konsensuale që në fillimet e tyre, ato janë përzgjedhur dhe promovuar nga pakica e krishterë shqiptare, madje fillimisht nga ajo arbëreshe, dhe më pas u imponua apo u tolerua dhe u pranua nga pjesa myslimane shqiptare në shumicë. Kështu që të pretendosh se nuk është shqiptar dhe patriot ai që nuk i pranon, apo ka rezerva ndaj tyre, është i njëjti absurditet që kërkon t’i denigrojë myslimanët autoktonë në këto troje, si joshqiptarë dhe tradhtarë të kombit!

    Shqiptarizmit anti-islam dhe anti-mysliman të sotëm i fryhet më së shumti nga disa katolikocentrikë, dhe në veçanti nga ajo shtresë e edukuar në periudhën e komunizmit, kur u formatua, unifikua dhe imponua zyrtarisht një shqiptarizëm i vetëm, që në thelb ishte afetar dhe më së shumti anti-mysliman, dhe kjo, përmes historiografisë zyrtare, letërsisë dhe artit në përgjithësi.

    Kështu që nacionalistëve shqiptarë anti-myslimanë e anti-islamë iu duhet ta rilexojnë mirë historinë, nga burimet e hershme dhe objektive të saj, dhe t’i thërrasin mendjes për realitetin ku jetojnë, dhe të mos trillojnë akuza absurde për myslimanët e këtyre trojeve, sepse me gjithë ëndrrën dhe dëshirën e tyre të madhe, nuk do ta zhbëjnë dot shumësinë myslimane të shqiptarëve.

    *Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

      Lajmi Paraprak

      Ministri Aliu: Jam kundër ndalimit të TikTok-ut në Maqedoni

      Lajmi i rradhës

      Zgjedhjet në veri: Ku dhe si do të votohet? 

      Lajme tjera

      Surrogati i nënës

      Justinian Topulli Surrogat është një fjalë me origjinë latine që do të thotë të vendosësh diçka në vend…
      Më tepër

      Bashkohu

      Informohu në kohë