Si raportuan mediat shqipe dhe maqedonase mbi sulmin e armatosur në Banjskë të Kosovës?

    Cila është arsyeja e ekzistimit të narrativeve paralele në mediat shqipe dhe maqedonase mbi Kosovën? Pse deklaratat e presidentit serb Vuçiq në mediat maqedonase prezantohen pa asnjë dyshim, ndërsa informacionet zyrtare nga institucionet e Kosovës me formulime që ngrenë dyshime mbi vërtetësinë e tyre? Cila ishte qasja e mediave shqipe dhe atyre maqedonase lidhur me përfshirjen e Radojçiqit në sulmin e armatosur? A vazhdon të përdoret emërtimi “Kosovë dhe Metohi” në disa media maqedonase?

    Shkruan: SEFER TAHIRI

    Që nga periudha e komunizmit, por edhe pas viteve 90ta kur fillon procesi i pluralizmit politik në Maqedoninë e Veriut, e sidomos gjatë luftës së vitit 1999 mes shqiptarëve të Kosovës dhe forcave policore dhe ushtarake të Serbisë, së bashku me fazën para shpalljes së pavarësisë së shtetit kosovar dhe gjatë pozicionimit të Shkupit zyrtar ndaj njohjes së shtetit më të ri në Evropë, mediat në Maqedoninë e Veriut në gjuhën shqipe dhe maqedonase kanë raportuar në mënyrë paralele mbi realitetin në Kosovë.

    Mediat shqipe dhe maqedonase me narrative paralele mbi Kosovën

    Në analizën me titull “Kosova për një pjesë të mediave është edhe Metohi, e për disa media – zemra e shqiptarisë“, e publikuar në janar të këtij viti kemi theksuar:

    Narrativet paralele mediatike mbi Kosovën, kanë qenë të pranishme edhe në periudhën e komunizmit, por jo të theksuara si pas viteve të 90-ta, meqë mediat, pavarësisht se në cilën gjuhë publikonin informacione, komente, analiza, debate ose emisione dokumentare, në vija të trasha, kishin politikë të unifikuar editoriale, e cila ishte nën diktatin e drejtpërdrejt të ish Partisë (më vonë do të quhet Lidhja) Komuniste të ish Republikës Socialiste të Maqedonisë. Këto media, konsideronin se shqiptarët e Kosovës kanë të drejtat e mjaftueshme politike dhe ekonomike, të drejta të njeriut, liritë individuale e të tjera dhe të gjithë ata që angazhoheshin për më shumë të drejta i shpallnin nacionalistë, separatistë, irredentistë dhe shovinistë, madje shpesh duke e devijuar kuptimin e termave që përdoreshin.

    Narrativët mediatikë nuk kanë ndryshuar as gjatë raportimit mbi sulmin e grupit paramilitar serb në Banjskë, gjatë së cilit aksion humbi jetën polici Afrim Bunjaku dhe u vranë katër pjesëtarë të grupit të armatosur serb. Kur raportonin mbi një të vdekur, i cili ishte pjesëtar i grupit paramilitar, shumica e mediave shqipe të rajonit raportonin me titullin “Gjendet edhe një trup i pajetë i një terroristi të vrarë në veri“.

    Mediat shqipe i referohen portalit “Kossev”: Ishte luftë e vërtetë!

    Titulli i mediave në gjuhën shqipe lidhur me këtë ngjarje, siç vërteton portali grumbullues i lajmeve në gjuhën shqipe Fax.al ishte “Ishte luftë e vërtetë”, bllokohet rruga drejt Banjskës“, ndërsa shumica e portaleve i referoheshin portalit në gjuhën serbe Kossev, i cili vepron në veri të Kosovës.

    Një polic i Kosovës ka mbetur i vrarë të dielën në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, dy të tjerë janë plagosur.

    Rruga drejt Banjskës është bllokuar, ndërkohë banorët kanë thënë se ka qenë një “luftë e vërtetë e vogël”, ka raportuar Kossev.

    Sipas kësaj medie, më pas, në rrugën Sharen Kamen (Gurri i larmë) për Banjskë, e cila është njëra nga rrugët që vazhdon nga drejtimi i fshatrave përreth Zveçanit, më tutje drejt Banjskës, janë vendosur më shumë pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, raportonin mediat shqipe, duke iu referuar “Kossev”-it.

    Në mediat maqedonase, deklaratat e Vuçiqit prezantohen pa pikë dyshimi

    Portali në gjuhën maqedonase “Faktor” publikoi shkrimin e titull “Policët kosovarë qeshin dhe thonë – nuk kemi arsye t’i ndihmojmë, le të vdesë: Vuçiq publikoi audio incizim pas incidentit në Banjskë“:

    Portali, duke mos vënë aspak në dyshim vërtetësinë e deklaratës, publikoi se “Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në fjalimin drejtuar me rastin e gjendjes në veri të Kosovës lexoi transkript nga incizimi audio në të cilin siç tha dëgjohet se pjesëtarët e policisë kosovare nuk i kanë ndihmuar serbit të plagosur, duke e lënë të vdesë“.

    Këto janë pjesë të incizimit audio:

    “Adem, Adem, mos u brengos”, dëgjohet zë burri në shqip.

    “Ndërsa nëse vdes, asgjë”.

    Por, portali “Faktor” nuk e shtroi dyshimin pse Vuçiqi, nëse e ka poseduar incizimin, nuk e publikon me zë, por vetëm ka lexuar transpriktimin e tij.

    Transmetim jokritik i deklaratës së Vuçiqit mbi paralelen me vitin 2001

    Portali “Press24” publikoi raportin me titull “Vuçiq: Kur kishte konflikt në Maqedoni, bota e pengoi, ndërsa sot tha ‘vrisni të gjithë‘”.

    Portali publikoi deklaratën e Vuçiqit, sipas së cilit “Kur Serbia shkoi në Drenicë, që të konfrontohet me ata që donin shkëputje nga shtetet e pranuara ndërkombëtarisht (fjalën e ka për ish Republikën Federale të Jugosllavisë dhe Serbinë), ata thanë se ata janë luftëtarë për liri, të drejtuar nga Adem Jashari, e jo terroristë. Si duket vetëm serbët janë çdoherë terroristë“.

    Ky portal në raportin gazetaresk nuk bëri kontekstualizimin e deklaratës së Vuçiqit, se bëhet fjalë për konfliktin e vitit 2001, kur bashkësia ndërkombëtare dhe faktori politik shtetëror arritën kompromis me faktorin politik shqiptar, por edhe me ish Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, që u kurorëzua me dokumentin paqësor, i njohur me emrin Marrëveshja e Ohrit.

    Ndërsa portali, po ashtu, nuk shpjegoi se Vuçiq fliste për ndërhyrje të armatosur të pushtetit serb në kohën e Sllobodan Millosheviqit, i cili ishte i padëshirueshëm tek shqiptarët e Kosovës, ndërsa një pjesë e shqiptarëve të Maqedonisë u ngritën kundër pushtetit dhe aparatit shtetëror, duke u shprehur se janë të pakënaqur me statusin e tyre juridikkushtetues.

    Media shqipe: Radojçiqi i përfshirë në aksion, Telma: Publikohet incizimi, gjoja shihet Radojçiqi

    Mediat shqipe i kanë kushtuar vëmendje të madhe prezantimit të municionit të konfiskuar. Në lajmin e titull “Policia e Kosovës prezantoi armatimin që u konfiskua në Banjskë“, mediat raportuan si vijon:

    Një ditë pas sulmeve terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër, Policia ka prezantuar gjithë arsenalin e armëve të zjarrit që kanë sekuestruar më 24 shtator në Zveçan.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se në armatimin që kanë sekuestruar në veri, ka armë të vitit 2021, që janë të Ushtrisë serbe.

    Sveçla para mediave konfirmoi se plani terroristëve ka dështuar, ndërsa tha se tre sulmues janë vrarë, e gjashtë terroristë po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit. Ministri kërkoi nga Serbia t’i dorëzojë terroristët.

    Shumë media shqipe hapësirë të konsiderueshme i kanë kushtuar së pari dyshimit, e më pas faktit se në aksionin e grupit serb, jo vetëm që ka qenë i përfshirë Millan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, por edhe ka qenë organizator i tij. Titulli i lajmit të portalit “Ina-online”, por edhe i shumë portaleve tjera ishte ” Sveçla: Dyshohet se në mesin e terroristëve në Banjskë, ishte edhe Milan Radojçiq“.

    Policia e Kosovës ka prezantuar arsenalin e armëve që ka gjetur në manastirin e Banjskës. Aty u bë e ditur, se në një veturë është gjetur edhe dokumenti i lejes së armës së Millan Radojçiqit.

    “Një nga automjet Mercedes GClass, BB 1107 YY është gjetur një dokument i lejes së armës së personit Millan Radojçiq, njëherësh nënkryetar i Listës Serbe. Kjo ngrit dyshimin e fuqishëm se mes personave të armatosur dhe të uniformuar ishte edhe vetë Millan Radojçiqi”.

    Kjo sipas Sveçlës, dëshmon pjesëmarrjen e tij në sulmin e djeshëm.

    Ndërsa Televizioni Telma, duke raportuar mbi këtë rast, publikoi titullin “Sveçla publikoi incizimin, në të cilin gjoja shihet nënkryetari i Listës Serbe në manastirin Banjskë gjatë të shtënave“. Siç shihet, Telma në titull ngre dilema lidhur me vërtetësinë e video incizimit.

    Mediat maqedonase: Sulmuesit serbë gjoja shihen duke ikur

    Portali “Mkd.mk” publikoi raportin me titull “Mediat kosovare publikuan video se si policia gjoja i përzë sulmuesit, të cilët ikin nga manastiri në Banjskë“, në të cilin thuhet:

    “Siç transmetoi Televizioni Klan Kosova, me dron janë xhiruar momentet kur sulmuesit ikin, pasi kishte ndodhur përplasja me policinë, në të cilën ka humbur jetën rreshteri i policisë kosovare. Autenticiteti i incizimit dhe ngjarja brenda saj nuk janë vërtetuar“, raportoi portali “Mkd.mk”.

    Ndërsa portali “Plusinfo” raportoi me titullin “Sulmuesit në Banjskë kanë ikur përmes kodrave? Policia kosovare publikoi incizim nga droni“. Edhe ky portal raportonte se “Autencititeti i videos nuk është i vërtetuar”.

    Një pjesë e mediave maqedonase vazhdon me përdorimin e emërtimit “Kosovë dhe Metohi”

    Kosova, edhe pse tashmë e njohur nga Maqedonia e Veriut dhe shumë shtete të botës si shtet i pavarur dhe sovran me emrin e saj, në disa media maqedonase emërtohet si Kosova dhe Metohia, që në fakt është qasje e politikës dhe mediave serbe ndaj shtetit të Kosovës. Dhe kjo nuk ndodh vetëm kur mediat i atribuojnë deklaratat përfaqësuesve të politikës serbe në Beograd dhe në Kosovë.

    Televizioni Telma në raportin me titull “Burgoset edhe një sulmues i policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë, hyrja është ende e ndaluar” thekson “Janë mbyllur vendkalimet administrative Jarinje dhe Bërnjak në drejtim të Kosovës dhe Metohisë”.

    Në të njëjtën vijë është edhe gazeta më e vjetër në gjuhën maqedonase “Nova Makedonija”, e cila në raportin me titull “Gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës ende është e tendosur, janë bllokuar të gjitha hyrjet drejt Banjskës” thotë “Një ditë pas tentimit të një grupi të serbëve që ta bllokojnë rrugën në fshatin Banjskë në Kosovë dhe Metohi…”.

    Portali “Faktor” emërtimin që konsiderohet pezhorativ për Kosovën e përdor që në titull “Lajçak arriti në Kosovë dhe Metohi: Përfaqësuesi i BEsë në Prishtinë, KFORi dhe EULEKSi në terren“.

    Edhe portali “Mkd.mk”, nuk ka hezituar që në raportin i cili përcjell deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të përdorë emërtimin e narrativit serb ‘Kosovë dhe Metohi’: “Vuçiq: Është duke ndodhur pastrimi etnik në Kosovë dhe Metohi“.

    Portali “Expres.mk” në raportin me titull “Radojçiq është liruar nga paraburgimi pas 48 orëve“, jo vetëm që përdor emërtim pezhorativ, por Kosovës i referohet si ish krahina jugore serbe. Në raport thuhej “I dyshuari për konfliktin e armatosur në fshatin Banjskë në veriun e ish krahinës jugore serbe, Kosovë dhe Metohi, Millan Radojçiq, është liruar nga paraburgimi, pas më pak se 48 orëve, pasi u arrestua, njoftoi Gjykata e Lartë në Beograd“.

    Hipoteza e Geopostit u bë lajm në shumë media

    Portali “Geopost” publikoi shkrimin me titull “Dikush nga Manastiri i Banjskës e tradhtoi Vuçiqin“, në të cilin thuhej:

    Dikush nga Manastiri i Banjskës ka tradhtuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot për “Geopost” një burim i lartë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) të Serbisë.

    “Dje dikush e tradhtoi presidentin Vuçiq dhe shërbimet e inteligjencës serbe do ta hetojnë këtë”, tha burimi.

    Sipas tij, Vuçiqi është tradhtuar në lidhje me rezistencën në Banjskë.

    “Të paktën 6 serbë janë vrarë. Aksioni nuk duhej të përfundonte kështu, me këtë bilanc. Kjo e dëmton shumë Vuçiqin dhe institucionet e Serbisë, serbët e Kosovës dhe pozitën e Serbisë në dialog”, ka thënë burimi nga strukturat e sigurisë serbe.

    Kjo hipotezë e Gepostit pati jehonë të madhe në mediat shqipe, një pjesë e madhe e të cilave e publikuan në tërësi.

    Emisari gjerman mbi Banjskën: Një deklaratë, dy të vërteta!

    Media shqipe dhe maqedonase dallojnë sa i përket kumtimit të dy të vërtetave mbi Kosovën, fakt që vërehet edhe kur transmetohen deklarata të ndryshme, të cilat shpesh cungohen, përkatësisht selektohen për motive politike ose etnike.

    Kjo ka ndodhur gjatë përcjelljes së deklaratës së emisarit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Portali “Gazetaexpress” deklaratën e tij e raportoi e titullin “Emisari gjerman e dënon sulmin ‘kriminal dhe terrorist’ ndaj Policisë së Kosovës: Qëndrojmë krah jush“.

    Ky portal përcjell deklaratën e emisarit gjerman në mënyrë objektive “Ne dënojmë ashpër këtë sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës dhe jemi këtu që të shprehim ngushëllimet dhe solidaritetin për familjen e policit të vrarë dhe gjithë Kosovën. Në këtë situatë qëndrojmë krah jush”, tha Sarrazin.

    Por në mediat maqedonase, siç vërteton portali që grumbullon lajmet në gjuhën maqedonase Time.mk, pjesa e deklaratës “Qëndrojmë krah jush” nuk është publikuar.

    Shtetasit nga Maqedonia e Veriut kthehen të sigurt

    Mediat shqipe gjithashtu në masë të madhe janë marrë edhe me faktin që shtatë shtetas nga Maqedonia e Veriut, të cilët ditën e sulmit kanë qëndruar në Banjskë, e më pas janë kthyer të sigurt në shtëpi.

    Portali “Ina-online” ngriti pyetjen: Kush ishin 7 shtetasit e Maqedonisë në hotelin pranë Manastirit Banjska në Zveçan?

    Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut dje papritur dha lajmin se në hotelin spa “Rajska Banja” (Banja e Parajsës) pranë Manastirit të Banjskës në Zveçan ishin gjetur edhe shtatë shtetas të saj.

    Por kush ishin ata?! MPJ sot ka dhënë informacione të përgjithshme se shtatë shtetasit janë kthyer pas verifikimeve dhe bisedës me autoritetet kosovare të sigurisë. MPJ nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër, duke bërë të ditur se bëhet fjalë për persona jopublik.

    Por, nga ana tjetër, siç mëson INA nga burime të saj, bëhet fjalë për tre çifte nga Maqedonia e Veriut, ku mes tyre ka qenë edhe një fëmijë. Nuk zbulohen detaje tjera për identitetin e tyre, por siç bëhet e ditur ata ishin për pushime në hotelin-spa, që njihet edhe me banjën e shërueshme për sëmundje të ndryshme.

    Portalet tjera në gjuhën shqipe kanë raportuar në mënyrë neutrale dhe objektive lidhur me kthimin e shtatë personave, ndërsa titulli i tyre ka qenë “Shtetasit e Maqedonisë së Veriut kthehen të sigurt në shtëpi nga Banjska“.

    Ngjashëm kanë vepruar edhe portalet në gjuhën maqedonase, të cilat, njësoj si mediat shqipe, raportonin se qytetarët nga Maqedonia e Veriut kthehen të sigurt nga Kosova, gjë që vërtetohet nga portali grumbullues i lajmeve në gjuhën maqedonase Time.mk.

    Përfundime

    Siç dëshmon edhe mënyra e raportimit për rastin  e Banjskës, edhe 32 vite pas fillimeve të pluralizmit në Maqedoninë e Veriut, një pjesë e madhe e mediave në gjuhën shqipe dhe maqedonase vazhdojnë të kenë dy narrative paralele raportuese lidhur me zhvillimet në Kosovë.

    Në disa media maqedonase deklaratat e Vuçiqit mbi ekzistimin e një incizimi audio mbi mosndihmën e policisë kosovarë ndaj një të armatosuri serb në Banjskë dhe mbi paralelen me konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni u pasqyruan në mënyrë jokritike dhe pa asnjë dyshim.

    Në anën tjetër disa informacione, që u publikuan nga institucionet e Kosovës u kumtuan me dyshime dhe pikëpyetje, ndërsa në shumë prej tyre, madje edhe ato që e mbajnë veten si media serioze referohen me “Kosovë dhe Metohi”.

    Për dallimet në raportim të mediave në gjuhën shqipe dhe maqedonase flasin edhe përmbajtjet për përfshirjen e nënkryetarit të Listës Serbe në Kosovë, Millan Radojçiq në rastin e Banjskës. Përderisa për mediat shqipe pjesëmarrja e tij ishte e pakontestueshme, për një pjesë të madhe të mediave maqedonase kjo nuk ishte e vërtetuar. /IMA/

    (Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

    Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi Paraprak

    Gjashtë superushqime që forcojnë sistemin imunitar

    Lajmi i rradhës

    Kërkohet zgjidhje e veçantë për rregullimin ligjor të medias online në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë