Të mburresh kur duhet të bësh të kundërtën…

    PËLLUMB NAKO

    Mania për t’u mburrur e kësaj qeverie shpesh kap përmasa groteske. Krahasohet e pakrahasueshmja, injorohet çdo shenjë e kohës që ecën, e fenomeneve sociale negative apo pozitive që ndryshojnë apo zhvillohen. Rritja e sjelljeve negative sociale të lidhura me krimin dhe format e tij, natyrshëm kërkon edhe rritjen e përgjigjes ndëshkuese nga ana e institucioneve kompetente. Ky lloj reciprociteti njihet për shekujsh. Po kështu zhvillimet globale të shoqëruara gjithmonë e më shumë nga rritja e lirisë së lëvizjes së mallrave dhe njerëzve (duke i bërë kufijtë shtetërore të vendeve të ndryshme gjithmonë e më të zbehtë), kërkojnë mjete të tjera teknike e ligjore, të integruara në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, si kundërpërgjigje ndaj fenomeneve dhe rrugëve të reja kriminale. Pra, një bashkëpunim më të strukturuar dhe më të ngushtë ndërmjet organeve kompetente. Tipike në këtë fushë janë fenomenet kriminale të trafiqeve, pastrimit të parave dhe të tjera të lidhura me format dhe përmasat e tyre.

    Pikërisht në kundërshtim me këtë logjikë, arsyeton edhe ministri i Brendshëm nëpërmjet fjalimit të tij të fundit para studentëve të sapodiplomuar të Akademisë së Policisë. Ai nuk i shpëtoi dot tundimit për të krahasuar një realitet të sotëm kriminal dhe sukseset e reklamuara në luftë kundër tij, me atë të kohës kur në qeveri ishte opozita aktuale, megjithëse kanë kaluar dhjetë vite.

    Në harkun e një dekade kur shqiptarët lëvizin shumë më shumë, kur një numër i konsiderueshëm i tyre jeton dhe vepron jashtë kufijve të vendit e krahas tyre edhe ata që merren me trafiqe e krime, efikasiteti i ndëshkimit të krimeve të gjeneruara në këtë kontekst kërkon forma të tjera dhe në përputhje me mungesën e kufijve shtetërorë.

    Pra, rritja dhe integrimi i bashkëpunimit me agjencitë e huaja vjen natyrshëm si kërkesë e brendshme për të kontrastuar krimin në një realitet të ndryshëm nga ai i dekadës së shkuar dhe nuk vjen si dëshirë subjektive banale se kam besim te policia shqiptare e kësaj kohe më shumë dhe më pak te ajo e asaj kohe. Krahasime të tilla realisht mbeten të njëjta me ato të kohës së diktaturës kur gufonim duke u krahasuar pa reshtur me kohën “para çlirimit”. Dhe për ta treguar epërsinë, gjithmonë i mëshohet argumentit të mbipërdorur se partnerët ndërkombëtarë të policisë së sotme kanë shumë më tepër besim te kjo e fundit sesa tek ajo e dekadës së shkuar.

    Është normale që një ministër i Brendshëm të bëjë politikë me çështjet e sigurisë, por nuk është serioze që në bazë të detyrës së rëndësishme që ka, të bëjë demagogji. Ose ka shumë të ngjarë që ata që i përgatisin fjalimet, me mediokritetin e vizionit të tyre, pa dashur e fusin në qorrsokak. Ministri mburret se sot policia ka nivel të lartë bashkëpunimi me partnerët sepse organizon mjaft aksione të përbashkëta me partnerët e huaj, kurse dje ky nivel bashkëpunimi ishte vetëm në nivel shkëmbimi informacionesh. Pavarësisht se konstatimi është kryekëput i pavërtetë, por është normale që niveli i bashkëpunimit të vijë gjithmonë e në rritje sepse edhe intensiteti i krimit, sidomos të organizuar, është rritur madje duke marrë forma paralele me globalizimin. Dhe kjo do të thotë që të mbetesh vetëm në nivelin e shkëmbimit të informacionit, është të mbetesh shumë prapa dinamikes së zhvillimit të krimit dhe në pamundësi për të qenë efikas. Krahasimi më shumë se naiv, është mediokër. Analizat mund të tregojnë se ajo që trumbetohet pozitive, në thelb është e kundërta.

    Për shembull, bashkëpunimi me Italinë, Spanjën, Britaninë, SHBA-në është mjaft i ngushtë, por marrëveshjet e ekstradimit me këto vende, ku parashikohet dërgimi edhe i shtetasve shqiptarë drejt drejtësisë së tyre, nuk mund të merret si shenjë besimi. Jo. Sepse dihet që këto lloj marrëveshjesh vijnë të propozuara nga vendet e mësipërme në një kohë kur krimi shqiptar ka filluar të forcohet shumë në territorin e tyre. Jemi përballë një nevojshmërie konkrete dhe jo një dashurie besimplotë për këtë apo atë krah. Fakti është se të gjitha marrëveshjet e mësipërme janë bërë nga mbarë spektri politik që ka qeverisur vendin tonë. Arsyetime në këtë drejtim mund të ketë shumë, por për të qenë më konkret, si shembull ilustrues për argumentet e dhëna më sipër mund të marrim krimin kibernetik.

    Disa dekada më parë, gjithë bota e civilizuar nuk e njihte krimin kibernetik si dhe krimet nëpërmjet rrjeteve sociale. Ende këto fenomene nuk shiheshin si shqetësim madhor, madje i barabartë edhe me sigurinë kombëtare të këtyre vendeve. Të paktën në përmasat aktuale. Ndërkohë, një kërcënim i kësaj forme u provua qartësisht dhe frikshëm së fundmi në vendin tonë.

    Organizatorët kriminalë të sulmeve kibernetike, pavarësisht se kush janë, nuk e shkelën tokën shqiptare. Pra, policia dhe organet tona të sigurisë u përballën për herë të parë me një lloj krimi specifik mjaft të rëndë.

    Pyetja që vjen natyrshëm është: Në çfarë lartësie ishte përgjigjja e institucioneve tona policore për një akt të tillë kriminal? Sa janë kapacitetet teknike dhe njerëzore të Policisë për të garantuar sigurinë kibernetike? Kryeministri shkoi në Izrael për këtë punë. Po ashtu, Kryeministri foli shpesh për të qetësuar publikun se qeveria po punon me organet kompetente partnere. Ç’do të thotë kjo? Se këto organe partnere kanë besim më shumë te homologët e tyre të vendit tonë sesa te ata të djeshëm? Absurde, banale dhe qesharake. Dje ishin këto organe partnere që ndërtuan si sistemin TIMS dhe sistemin MEMEX. Dhe sot janë po ato që vijnë e na ndihmojnë për t’i ruajtur nga hakeret e çdo lloj kallëpi. Pra, partnerët e ndërtuan, partnerët po e mbrojnë dhe ne vetëm mburremi duke hedhur baltë te tjetri.

    Në vend që të rrisim kapacitetet teknike dhe njerëzore për t’i mbrojtur, ne mburremi se sa shumë na duan sot partnerët dhe sa pak besim kishin dje. Shqetësim duhet të ishte pikërisht fakti se përse kapacitetet shqiptare për të mbrojtur dy sistemet nuk janë në nivelin e duhur edhe kaq vite pas ndërtimit të tyre. Ndaj dhe sot, të mburresh duke krahasuar statistikat e goditjeve të mundshme të krimit kibernetik nga organet kompetente me ato të dhjetë viteve më parë, nuk ka asnjë logjikë serioze.

    Kur ministri mburret se sa shumë e duan partnerët e huaj sot policinë dhe sa pak atë dje, nuk është e thënë t’i përgjigjesh me të njëjtën monedhë dhe t’i thuash: Policia e djeshme e la TIMSin dhe MEMEX-in në punë, përse nuk e mbrojte nga hakerat e Iranit? Por nuk funksionon kështu. Nuk është normale të bëhet një pyetje e tillë. Sepse në çështje serioze si siguria e qytetarëve, ka vazhdimësi, qëndrueshmëri dhe ecje para. Jo ndarje epokash lavdie dhe epokash turpi. Turp është ndarja. Aq më tepër kur bëhet para policëve të porsadalë nga shkolla. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Sundimi i ligjit – Çfarë do të thotë dobësimi i tij në mbarë botën

    Lajmi i rradhës

    Përplasja e ardhshme e Kinës me realitetin ekonomik, ja sfidat e Xi Jinping

    Lajme tjera

    Evolucioni i nji enigme

    SAMI REPISHTI Anëtarët e Parlamentit (Bundestag) u ngriten në kambë dhe duertrokiten, të prekun nga fryma e ripajtimit…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë