TELEVIZORI

    Burim Myftiu

    Argëtimi kryesor i fundit të 60’tave ishte televizori. Ishte bardh e zi sepse televizori me ngjyra akoma nuk ishte zbuluar. Derisa ishte i fikur, nëna e mbulonte me një dantel të bardhë, maja e së cilës varej si një trekëndësh mbi ekran. Ky dantel e neverikoste shumë babën, sepse në mbrëmje kur lëshohej, duhej larguar. Televizorët ndryshonin, danteli i njëjtë ngelej mbi televizor. Ajo qëndroi mbi televizor me dekada, deri sa shtëpia e vjetër e gjyshit u rrënua. Mua më neverikoste më shumë danteli mbi telefonin e shtëpisë. Gati se çdo pajisje në shtëpi kishte nga një dantel përsipër.

    Daja im kishte televizor me “ngjyra”. Në fakt ai kishte blerë një filter plastik, pseudo hologramik që vendosej përpara ekranit dhe krijonte ndjenjën dhe iluzionin e ngjyrave. Ngjyrat ndyshonin kur shikohej nga kënde të ndryshme. Nga ana e majtë Miki Mausi dukej pembe, nga e djathta ishte portokalli. Ai filter dukej aq psikodelik, saqë ndonjëherë edhe më mirrej mendja nga qielli i gjelbër, drunjtë e kuq dhe pullaze të kaltërta! Në fillim ishte interesant por shpejtë u bë i bezdizshëm dhe daja e largoi. Në atë kohë, unë me mendje të të një fëmiu, konstatova se televizorët me “ngjyra” si e dajiut, nuk më pëlqenin. Në fakt “të gjithë ishin lodhur nga ngjyrat sureale.”

    Televizori shikohej në orë të caktuara dhe zakonisht në mbrëmje. Përpara saj qëndronin tërë famlja. Pak a shumë si në kino. Prindërit, komshinjtë dhe mysafirët uleshin në minder me jajgi të bardha danteli, ndërsa ne fëmijët në dysheme, nëpër shilte të pambukut, mbi gjunjë ose këmbëkryq. Fëmijët edhe pa televizor nuk uleshim asnjëherë në minder. Ishte e ndaluar të ulemi, sepse minderi ishte vend i privilegjuar për mysafirë. Dimrit shërbehej çaj me limon ndërsa gjatë ditëve të ngrohta të verës, shurup trëndafili nga uji i ftohtë i Prizrenit. Kënaqësi e vërtetë! Shpesh vinin farefisi dhe fqinjët, sidomos kur kishte ndonjë film, serial humori ose për të shikuar garat olimpike, patinazh në akull ose Festivalin e Sanremos. Ishte shumë normale që edhe komshinjtë të mos mungojnë, sepse shumë prej tyre nuk kishin akoma televizor në shtëpi. Të qeshurat nuk ndaleshin kur vinte “halla plakë”. Kur ishte dimër, ajo zakonisht ulej pranë stufës me dru, dhe pas disa minuta e zinte gjumi. Here flinte e herë i hapte sytë dhe në momente kishte bindje se ndonjë nga aktorët e filmit do të kërcenin edhe jashtë ekranit. Kur aktori largohej nga skena e filmit, ajo mendonte se u fut në kuzhinën e shtëpisë apo në hamamxhik.

    Unë, si fëmijë i gjallë që isha, dhe belaxhi, merja një pendël dhe pasi e zinte gjumi, ja xigëloja veshët hallës plakë. Një natë, derisa flinim, pak para agimit erdhi babai dhe na zgjoi:
    Zgjohuni fëmijë! – psherëtiti ai.
    Do ta shikojme zbarkimin e njeriut të pare në hënë!
    Ne u ngritëm nga dysheku duke i fërkuar sytë por të gëzuar pa masë. Vetë zgjimi në mes të natës ishte një përjetim.
    Janë ato çaste që nuk harrohen asnjëherë në jetë. Mund të paramendoj se si ndihej ai vetë, i cili tërë jetën e tij kishte kushtuar teknologjisë dhe eksperimenteve, i cili shkencën e kishte “religjion” dhe Ajnshtajni, Teslla, Faradeji dhe Njutoni ishin “profetët” e tij.

    Çdo shtëpi që kishte blerë televizor kishte edhe nga një antenë gjigante në çati. Antena ishte edhe indikator për taksambledhësit të cilët shetisnin nga lagjja në lagje dhe nuk pritonin të trokasin në dyer për të mbledhur tatimin mujor për televizion. Pa antenë nuk zinte programin.
    Armiku kryesor i antenës ishte era e cila kur fryente me furri e rrotullonte. Kur ndodhte që gjatë shikimit të ndonjë filmi, pamja zhdukej dhe në ekran dilnin “mizat”, ishte e qartë se antena ose ishte rrotulluar ose fluturuar nga stuhia. Ato mbrëmje, të gjithë të mërrolur, sepse filmi kishte mbaruar pa i ardhur fundi dhe që ditën e ardhshme dikush duhej ngjitur në pullaz për ta drejtuar antenën. Vetëm në një drejtim të caktuar të antenës mund të shikohej pamja në ekran. Derisa koordinimi për ta gjetur këndit adekuat të antenës për fotografi më qartë të ekranit është tregim në vehte. Hajt…edhe pak…hajt edhe pak…jo…jo, jo, jo…ktheje…edhe pak…derisa axha nervozohej dhe fillonte të uluris nga pullazi.

    Ne asnjëherë nuk ngjiteshim në pullaz për ta drejtuar antenën. Babai e kishte bërë një sistem gypash, dhe antenën e lëviznim nga “hamamxhiku” brenda shtëpisë, pa u ngjitur në çati.
    Kjo mënyrë ishte praktike edhe për veprime tjera “ilegale” në atë kohë.
    Në fillim të 70’tave Tirana kishte filluar me emitim televiziv. Regjimi Jugosllav e kishte ndaluar të shikohet programi i Shqipërisë. Për këtë veprim njerëzit shkonin në burg si tradhëtarë dhe si “nacionalist dhe kontrarevolucionarë”. Shumë shpesh milicia patrullonte nëpër lagje për të kontrolluar se në çfarë drejtimi ishin të kthyera antenat. Sapo ngrysej, ne shpesh e kthenim antenën kah Shqipëria për të shikuar kushërirën tonë Meliha Doda duke kënduar këngët e bukura Vlonjate. E nëna me mburrje thoshte: Melihën e kam timen, e kam vajzën e axhës.
    Shikonim me interesim, por edhe me ca dyshim se si “thyheshin rekordet në prodhimtari” dhe “aksionet vullnetare” në kooperativa të punës në Shkodër, Fier…

    Përkundër propagandës komuniste se Shqipëria “nuk ka borgje ndërkombëtare”, në shqipëri nuk ka hajni” dhe se “çdo pëllëmbë e tokës është e punuar” zemra ime dhe intuita më thoshte të kundërtën. Shpesh edhe si fëmijë, e pyesja veten: “Si mund të ndihet i lumtur një zog i mbyllur në kafaz.” E dinim edhe ne fëmijët se kushërinjtë nga Vlora e nga Tirana e kishin të ndaluar të na vizitojnë. Prandaj, e dija se as “bilbili i Vlorës” motra jonë Meliha, nuk vinte dot! Me ardhjen e televizorit radioja e shtëpisë filloi të pluhuroset…

    Lajmi Paraprak

    Atdheut tonë po i del dija “tepër”

    Lajmi i rradhës

    Kuvendi konstatoi dorëheqjen e Goran Milevskit

    Lajme tjera

    Mjedisi i egos

    DR. MIMOZA AHMETI Egoja mendohej si një konstrukt. Më vonë u pa se ky konstrukt ishte një koncept…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë