Atdheut tonë po i del dija “tepër”

    Mimoza Hafizi

    Ndokujt mund t’i duket rastësi se si shifrat veçanërisht dramatike të regjistrimeve universitare në Shkencat e Natyrës po na pulsojnë para syve në të njëjtën kohë me peticionet e pedagogëve për rritje pagash e financimi për kërkimin shkencor. Janë dy ngjarje në dukje të pavarura. Janë dy kulme historish thuajse paralele. Në njërën linjë është zhvilluar historia e pashembullt e pagave universitare, të mbajtura pa lëvizur në një stanjacion thuajse njëzetvjeçar, ashtu siç lihen të ndenjen ujërat, ku politika ka bërë çmosin t’i mbajë universitetet publike.

    Ato paga në ngërç janë një tregues po aq i ndryshkur, sa dhe çdo gjë tjetër që mund të pluskojë në mjedise mbytëse, ku qeveritë e kanë zhytur me ngulm akademizmin. Të ardhurat tejet të pakta të stafit universitar e mungesa e mbështetjes financiare për kërkimin shkencor, krahasuar me çdo vend tjetër afër apo larg nesh, janë shenja më e qartë e shumë ndjesive acide që drejtuesit e shtetit shqiptar mbartin ndaj arsimit të lartë e përpiqen t’i kthejnë në lidhje armiqësore mes botës akademike dhe shoqërisë shqiptare.

    Financimi i munguar i universiteteve është një nga armët që politika ka përdorur me eficiencë kundër dijes, pa harruar assesi ta shoqërojë me të gjitha llojet e tjera të ndikimeve, në tentativën për t’i kthyer universitetet nga qendra të dijes në kopje po aq të shëmtuara të pamjes së vet. Vështirë që shqiptarët të mos kujtohen se çfarë ndodh gjatë fushatave zgjedhore në institucionet e arsimit të lartë.

    Në paralelen tjetër ndodhen Shkencat e Natyrës, e veçanërisht Fizika, shkenca e shkencave, krenaria e intelektit njerëzor, simboli i përpjekjes për pushtimin e universit nga ne, qenia e brishtë që ka marrë guximin t’i dalë përpara të Plotfuqishmit. Kjo degë studimi, e ndërtuar me standardet më të larta, me fizikanë të diplomuar që kanë bërë emër shkencor brenda dhe jashtë vendit, me mësues të diplomuar që kujtohen me respekt nga breza të tërë, këtë vit jubilar të 65-vjetorit të Universitetit të Tiranës, do të frekuentohet vetëm nga 10 studentë të rinj. E pra, Fizika ka qenë dega nismëtare e krijimit të këtij universiteti. Dekada të tëra, fizika bënte të ëndërronin me qindra të rinj.

    Sot, VETËM 10 STUDENTË! Nesër ndoshta asnjë fizikan e asnjë mësues fizike, për të mësuar nxënësit në shkolla. Braktisja e saj, braktisja e Shkencave të Natyrës, është treguesi më ulëritës se atdheut tonë fatkeqësisht i kanë dalë tepër njerëzit e dijes. Vendet e punës për studentët e diplomuar me standarde të larta në këto fusha janë limituar skajshëm. Perspektivat për ta janë thuajse të mbyllura. E papritur këto dy histori paralele po ndërthuren në këtë vjeshtë, në fillim të vitit të ri akademik.

    Mbase po gjejnë njëra-tjetrën për t’u bashkuar në një masë kritike, – do të thoshte ndonjë fizikan i energjive të larta. – Të formojnë një masë shpërthyese alarmi për publikun shqiptar, që kush ka veshë për të dëgjuar e sy për të parë, të reflektojë e kuptojë se si po bjerret dija në këtë vend. E të thotë me zë të lartë: Pra, ne nuk paskemi as nevojë e as respekt për dijen, Se pra, dija nuk është burim zhvillimi për vendin. Se vendeve ku lulëzon ekonomia informale nuk i duhen as fizika e as kimia, as pedagogë të paguar me dinjitet, as dije e as njerëz që të mbajnë barrën e saj. E mbase t’i bëjë një pyetje vetes: Çfarë ndodh po të vazhdohet kështu? /panorama/

    Lajmi Paraprak

    Në Kuvendin e RMV-së dorëzohen ndryshime në Ligjin për partitë politike

    Lajmi i rradhës

    TELEVIZORI

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë