Trafiku i makinave, një humbje e madhe për shoqërinë

    Arben Vojvoda

    Çdo 10 kilometërsh që udhëtoni me makinë, shoqërisë dhe xhepit tuaj i kushton minimum 5 euro. Në këtë kosto llogaritet ndikimi negativ në mjedis dhe efektet negative në shëndet. Zgjedhja e biçikletës si mjet transporti kushton vetëm një e gjashta, tregon një studim të ri kërkimor nga Universiteti i Lund -it, i  cili thotë se investimi në shtigje biçikletash është një biznes i pastër fitimi për zonat urbane.

    Jo vetëm në portofolin tuaj vërehet nëse vendosni të merrni makinën në vend të biçikletës. E gjithë shoqëria kontribuon në koston totale të udhëtimit me makinë, duke përfshirë koston e  ndotjes së ajrit, mbingarkesës në trafik, ndryshimit të klimës dhe efekteve negative të shëndetit.

    Por, sa paguan shoqëria në të vërtetë për një udhëtim me makinë krahasuar me një biçikletë? Këtë janë munduar të llogarisin grupe të ndryshme shkencëtaresh duke marrë parasyshë të gjithë indikatorët e mundshëm matës.

    Një shembull konkret është në Kopenhagë të Danimarkës, ku është bërë një përpjekje përballë investimeve të saj të mëdha në infrastrukturën e biçikletave. Përmes një analize të ashtuquajtur kosto-përfitim, danezët u përpoqën të krahasonin se çfarë do t’i kushtonte qytetit, individëve dhe shoqërisë për të investuar në shtigjet e biçikletave krahasuar me shtigjet e makinave. Rezultati u përdor më pas për të llogaritur fitimet në raport me investimet.

    Stefan Gössling, profesor në Departamentin e Service Management and Science Institute në Universitetin Lund-it, u impresionua kur dëgjoi për analizën e Danimarkës. Ai thotë se, gati isha plotësisht i hipnotizuar. Mendova se kjo duhet të bëhet publike sa më parë, dhe ne duhet të mësojmë nga përvojat e tyre.

    Tani ai, së bashku me studiuesit në Universitetin e Queensland, kanë shqyrtuar më hollësisht analizën e Kopenhagës. Dhe përfundimi është pothuajse komik në saktësinë e tij: për çdo kilometër të kaluar me biçikletë, shoqëria fiton rreth 0.14 euro – për shkak të efekteve pozitive të biçikletës në shëndet. Ndërkohë çdo kilometër e kaluar me makinë, shoqërisë i kushton 0.15 euro.

    Rezultati është edhe më i habitshëm nëse llogaritet kostoja e shoqërisë dhe ajo private. Atëherë kostoja e makinës për kilometër do të jetë afërsisht 0.5 euro. Biçikleta kushton 0.074 euro për kilometër.

    – Kështu do të jetë gjashtë herë më e shtrenjtë nëse zgjidhni makinën në vend të biçikletës si mjet transporti, thotë studimi.

    Pa dyshim, makina ka disa përfitime ekonomike, duke qenë shpesh më e shpejtë se biçikleta. Dhe koha është, siç e dina, e para. Por kostot e makinës janë shumë më të mëdha se kaq, për shkak të efekteve të saj negative në shëndet, tollovisë së shkaktuar në rrugë, ndikimit negativ në mjedis, etj. Tani, sigurisht, ekzistojnë sasi të mëdha të pasigurive që rrethojnë këtë lloj llogaritjeje. Pasiguria më e madhe në këtë analizë të veçantë është ndoshta kostoja e ndryshimit të klimës, sipas Stefan Gössling.

    – Askush nuk e di sakt se sa mund të kushtojnë efektet e ndryshimit i klimatikë, por në të njëjtën kohë ju duhet të ndani kostot për çdo kilometër që bëni me biçikletë dhe koston që vozisni një makinë për një vit. Përndryshe është shumë e vështirë, thotë ai.

    Këtu, danezët zgjodhën të llogarisin koston e emitimit të gazrave serë. Aspekte të tjera nuk janë përfshirë fare në llogaritjet, të tilla si aroma e tymrave të shkarkimit ose efektet e mundshme pozitive në turizëm me një infrastrukturë më të mirë të shtigjeve të biçikletave. Por, përkundër të gjitha pasigurive në model, pa dyshim mund të thuhet se është një biznes i qartë fitimprurës të investosh në shtigjet e biçikletave para rrugëve të makinave.

    – Nëse ndërtojmë rrugë të reja në qytete, duhet që gjithmonë të mendojmë që paralelisht të kemi edhe infrastrukturën e biçikletave që nga fillimi, thotë studimi.

    Dhe kur bëhet fjalë për ristrukturimin e qyteteve – e cila ndoshta është dukshëm më e kushtueshme, përshembull rasti i Prishtinës dhe qyteteve tjera në Kosovë – do të ketë përfitime të qarta nga investimi i madh në infrastrukturën e biçikletave dhe shtigjeve të këmbësorëve.

    – Rezultatet janë të qarta, është një avantazh i madh të investosh në shtigje biçikletash krahasuar me rrugët e makinave në zonat urbane, thotë studimi – por thekson se ekziston një problem në këtë kontekst.

    – Kostot për shtigjet e biçikletave janë në nivelin komunal, por përfitimet, për shembull, në një shëndet më të mirë shpesh janë në nivelin kombëtar. Ky është një problem që duhet të adresojmë dhe ta kemi parasyshë. /Sbunker/

    ***

    Burimi i studimit shkencor: http://www.pressen.se

    Lajmi Paraprak

    PDSH e rikandidon Azem Sadikun për Studeniçanin

    Lajmi i rradhës

    Zaev: Përfitimi i parë milionësh ishte nga shitja e specave të kuq

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë