Tregtari i “kokave të mëdha” në korniza të vogla…

    Foto: Ora News

    ARTUR ZHEJI

    Vdiq në moshë të madhe ay. E tërhoqi këmbën zvarrë për shumë mote. Dhe kishte një shitore sa një varr të vogël, por ama në qendër të qytetit. Dhe qyteti e vizitonte shpesh e me merak të madh, më poshtë do t’ua zbuloj se përse. Emri i tij nuk mbahet mend, mirëpo jehona e këmbëzvarritjes së tij qarkullon akoma nëpër Tiranën e pluhurosur. Mirëpo në të vërtetë ay ishte i njohur në qytet (kur qyteti ishte qytet, që të kuptohemi). Në vitrinën e tij, Perandoritë dhe Fuqitë e mëdha, kokat e mëdha të liderëve, lindnin, fryheshin, shfryheshin e më pas humbisnin në greminat e kohës, për t’u lënë vendin të tjetërve…

    Ay pra ishte për të larguar çdo mister të rremë një batakçi, që kishte zgjedhur të jetonte duke shitur portrete njerëzisht shumë të pushtetshëm, të mbërthyer dhe të qëndisur në korniza të posaçme. Kishte edhe një karrocë me ca varëse, në grepat e secilës varëse vareshin dhe llamburitnin dy ose tri fotografi me kornizë që lëkundeshin sipas erës që frynte.

    Mua këtë tip ma bëri të njojtur Petro, im atë dhe njëkohësisht më bëri edhe zbërthimin përkatës të kësaj qënieje, aspak mbresëlënëse në vetvete.

    – Ky tipi – më tha Petro (Petro Zheji, kuptohet) – sillet vërdallë nëpër qytet prej shumë e shumë vitesh. E mbaj mend qëkurse isha fare i ri. Shiste asokohe fotografitë në kornizë të lyera me varak të verdhë, të Mbretit Zog dhe të të gjithë Familjes Mbretnore. Dhe njerëzit blinin. Sidomos ata që vinin në Tiranë për sefte dhe donin të ktheheshin në fshat me një nishan të posaçëm nga kryeqyteti…

    – Kaq shumë shiste ky? – e pyeta unë.

    – Po, po, asokohe ky ishte mjeshtri dhe kishte edhe ndihmës në kornizabërje. E kështu pra, servilët e kohës ktheheshin me një mbret apo më një Geraldinë me vete, me një Princeshë Sanie apo edhe ndonjë bukuroshe të kohës paksa e zbuluar që shitej nën banak. Fill më vonë ky tipi, mbas vitit 1939, e zhduku dhe e shfarosi nga faqja e shitores së tij krejt Familjen Mbretnore. E mbushi Tiranën (sepse ju shtuan shumë shitjet në kohë të fashizmit) me Vittore Emanuelin, Musolinin. Kontin Ciano (ministri i Kashtëm i Musolinit) dhe Edda Musolinin (vajza e Mussolinit), në përqafimet e tyre romantike…

    Ndërkohë, këmbëzvarritja e tipit pa emër më ngjau se jehonte më fort. Ay, të cilin unë me mendjen time e quajta Kotherja (sepse ngjante si një kothere buke e hedhur tej. I mykur. I kotë, por edhe i pamposhtur), filloi të zgjonte me të vërtetë vëmendjen time.

    – Mirëpo kur ia behën gjermanët, të gjithë u habitën se sa shumë shitej Adolfi në vitrinën e tij, ndërkohë që çifti Ciano u zhduk, Mussolini u rrallua, Zogu u harrua dhe Gëbelsi dhe Heinrich u shtuan. Shqipot i blinin dhe ngrinin zërin që të dëgjoheshin: “trima dhe çfarë trimash këta gjermanët!”

    Mirëpo kur ikën gjermanët, ky Kotherja e mbajti mbyllur shitoren ca kohë. Ishte me sa duket në panik dhe gjendja i dukej lëmsh dhe disi pa lidhje.

    – Mirëpo edhe hutimi i tij – vijoi rrëfimin e tij Petro, – nuk vazhdoi pafund. Një ditë një patrullë partizane kishte ndaluar para tezgës së tij dhe kish kërkuar kërcënueshëm foton e shokut Stalin, sepse ia kish kërkuar babai në fshat. Ky Tipi (Kotherja, sipas meje) kish kërkuar falje me gjithë shpirt dhe të nesërmen tezga shkëlqente me shokun Stalin, me marshallin Josif Broz Tito, me shokun Molotov, me gjeneral Enver Hoxhën, e më the e të thashë… Kurse tani, pasi ka palosur Titon, Molotovin, Stalinin (nuk shitet më), Hrushovin, Mao Ce Dunin dhe Çu En Lain, e ka mbushur vetëm me Enverin dhe diku-diku me Mehmetin (se këta mallakastriotët janë lokalistë të mëdhenj thonë)…

    Pas ca vitesh këtë Kotheren nuk e pashë më. Por ai la mjaft trashëgimtarë, ndoshta jo trashëgimtarë biologjikë, por trashëgimtarë të të njëjtit zakon:

    “Ku forma, sipas tyre, është gjithçka, dhe ku esenca nuk ekziston!”.

    Po të ishte gjallë Kotherja sot, nuk besoj se është mister se me çfarë fotosh do ta mbushte shitoren e tij. Po shyqyr Zotit kemi portalet dhe Kotherja rron e rron, shtohet e shtohet, shtohet e shumëfishohet.

    Do shiste sot shumë portrete të Vuçiçit, Ay, Kotherja.

    Me siguri.

    Sepse “blihet shumë ky serbi këtej nga Tirana këto kohëra. Pavarësisht se ay (Aleksandër Vuçiçi) ishte Gëbelsi i Milosheviçit në kohë të Luftës së Kosovës (ministri i Informacionit, apo e thënë ndryshe ministri i Propagandës). Kur së bashku me Milosheçin (ndoshta edhe speechmaker i liderit serb) edhe ky thërriste për shfarosje të “shiftarëve”. Por atë kohë ishte i ri, ndërsa Marshalli ynë asokohe ishte vërdallë nëpër Paris dhe s’ka nga ta dijë! – do të vijonte Kotherja po të ishte gjallë fizikisht (megjithëse në të vërtetë është edhe sot më gjallë se kurrë Ay, Kotherja!)

    Ja këtu vjen edhe fundi i këtij rrëfimi, por jo fundi i Kotheres dhe kothereve. Në qoftë se sot Kotherja do të varte në shitore ndonjë kornizë me foto të Albin Kurtit, me siguri do t’ia behnin tatimorët dhe ay, Kotherja, vendet bosh të Albin Kurtit do t’i mbushte me foto të Vuçiçit, të Ceces dhe të ca çunave trima, që lëvdojnë shefin e qeverisë për vizionin e tij dhe lëshojnë topa balte veç mbi opozitën.

    Nejse, aktualitetin e përpunon secili sipas mënyrës së vet. Përqendrohuni te “Kotherja” dhe miti i tij, që ende nuk perëndon në Shqipëri…/Panorama/

    Lajmi Paraprak

    “Vuçiçizmi” i Ramës

    Lajmi i rradhës

    Ahengjet dhe koncertet rrisin numrin e rasteve me COVID-19

    Lajme tjera

    Pse refuzimi është sekreti i suksesit

     Antonia Hoyle Letra ishte e sjellshme, por e drejtpërdrejtë. Kompania e marrëdhënieve më publikun (PR),ku kisha aplikuar për një vend pune më falënderoi për kohën që kisha shpenzuar,…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë