Tri sukseset e protestës qytetare

    Blendi Kajsiu

    Pavarësisht përpjekjeve të pushtetit për ta delegjitimuar si “pro-ruse”, “berishiste” apo “metiste”, protesta e fundit qytetare ka arritur të paktën tri suksese të rëndësishme. Së pari, ajo arriti të ulë çmimin e naftës; së dyti, ajo i dha një goditje modelit zhvillimor neoliberal të qeverisë Rama, sipas të cilit, shteti nuk ndërhyn në ekonomi, por thjesht i bën fresk tregut konkurrues; së fundi, protesta qytetare zëvendësoi me sukses mungesën e opozitës politike, duke i treguar kësaj të fundit se shoqëria ka nevojë për alternativë qeverisëse dhe jo thjesht denoncim. Ulja e çmimit të naftës ishte një sukses i rëndësishëm jo vetëm për xhepat e qytetarëve dhe për ekonominë shqiptare në përgjithësi, por edhe sepse në pak ditë ajo tregoi forcën e protestës qytetare. “Dorëzimi” i Kryeministrit përballë zemërimit qytetar është një sinjal stimulues për protestat e ardhshm e. Sidomos në një vend ku dominon apatia qytetare frymëzuar nga filozofia, “këtu nuk funksionon asgjë, përveç bandave” apo “ky vend s’bëhet”. Ulja e çmimit të naftës tregoi se protesta qytetare funksionon.

    Ajo jo vetëm uli çmimin e naftës, por i dha një goditje të fortë ideologjisë neoliberale të qeverisë Rama, sipas së cilës, shteti nuk mund të fusë duart në ekonomi, por lejon tregun e lirë të arrijë çudinë e tij nëpërmjet konkurrencës. Ky është një model që bazohet në dy supozime fantastike. Së pari, që tregu i naftës në Shqipëri është i lirë dhe konkurrues, edhe pse kontrollohet nga shumë pak aktorë; së dyti, që në kapitalizëm shteti nuk mund të ndërhyjë për të kontrolluar çmimin e produkteve bazë, si buka apo nafta. Protesta që e detyroi qeverinë Rama të ndërhynte dhe të kontrollonte çmimin e naftës duke ushtruar presion mbi ata pak aktorë që e kontrollojnë tregun, i hodhi në erë këto supozime, duke krisur modelin zhvillimor që ato mbajnë në këmbë.

    Së fundi, por jo për nga rëndësia, protesta qytetare i dha një leksion të madh opozitës politike. Ajo e zëvendësoi me sukses këtë të fundit, duke treguar se qytetarët nuk kanë nevojë për opozitën politike për të ushtruar presion ndaj qeverisë. Atyre nuk u nevojitet opozita politike për të detyruar qeverinë që të ndërmarrë politika publike në shërbim të nevojave të qytetarëve dhe jo në funksion të xhepave të oligarkëve. Përkundrazi, protesta qytetare është shumë më efikase se opozita politike për të arritur këto qëllime.

    Atë që protesta qytetare e arrin me vështirësi, është krijimi i alternativës qeverisëse. Ndaj, në vend që të fokusohet thjesht te denoncimi i Ramës dhe i oligarkëve të tij, opozita politike duhet të prodhojë alternativë qeverisëse. Pra, nga denoncimi duhet kaluar te përmirësimi i qeverisjes. Për këtë qëllim, opozita politike duhet të fillojë t’u thotë dhe t’u premtojë qytetarëve se çfarë do të bëjë ndryshe nëse vjen në pushtet, dhe jo thjesht se çfarë Rama po bën gabim. Gabimet e Ramës dhe të Partisë Socialiste, qytetarët tashmë i njohin mirë, sepse i kanë provuar në kurriz. Ama ende nuk kanë kuptuar se si do të qeverisë ndryshe opozita. Cili është modeli i saj zhvillimor?

    Nëse kjo e fundit nuk prodhon alternativë qeverisëse, nuk është çudi që diçka e tillë të lindë gradualisht në gjirin e protestës qytetare. Në fund të fundit, opozita politike që kemi sot lindi nga protestat qytetare që u zhvilluan dje ndaj regjimit komunist. Ndaj frustrimi qytetar me qeverisjen aktuale dhe me opozitën e delegjitimuar politike mund të prodhojë një opozitë të re. Dhe kjo do të ishte arritja e katërt dhe më madhore e protestave qytetare. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Sanksionet si mjet i luftës së sotme

    Lajmi i rradhës

    Arthur zbulon sekretet e Ronaldos, Neymarit dhe Messit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë