Sanksionet si mjet i luftës së sotme

    Anastas Angjeli

    Lufta Rusi-Ukraine po merr jetë njerëzish. Përpjekjet dhe lufta e popullit të Ukrainës ka gjetur një mbështetje të gjerë ndërkombëtare, të vendeve perëndimore: SHBAsë, Britanisë së Madhe, vendeve të BE-së, Aleancës së NATO-s etj. Përpjekjet janë të gjithanshme dhe të shumëllojshme për të ndalur këtë luftë, për t’ju kthyer paqes…

    Kjo luftë është rasti ku po përdoren më shumë në histori se kurdoherë, sanksionet, veçanërisht sanksionet ekonomike. Ato tashmë janë një mjet i rëndësishëm i luftës që nuk merr jetë njerëzish, por ndihmon për frenimin e saj, edhe pse pasojat ekonomike e sociale, jo vetëm për palët ndërluftuese, por për ekonominë globale në këtë rast, duket se janë dhe do të jenë të mëdha.

    Bota ekonomike është tronditur thellë, tregjet financiare ndërkombëtare, ato të mallrave dhe të aksioneve kanë marrë goditje të forta, zinxhiri i furnizimit të mallrave ndërpritet herë pas here, kriza energjetike dhe e naftës ka pushtuar gjithë vendet, rritja e çmimeve dhe inflacioni janë çmendur, sinjalet për një krizë të lendëve të para tashmë janë dhënë, një krize e re ushqimore është shfaqur në horizont.

    Duket se “furtuna ekonomike, financiare e sociale” e këtyre 3 viteve, nisur me pasojat e krizës së pandemisë së koronavirusit dhe tashmë me ato të luftës së Rusisë në Ukrainë, nuk ndalet. Ndryshimet që po shkaktohen janë të mëdha. Ato po ndikojnë edhe në ekonominë tone.

    Por çfarë janë sanksionet, kjo “armë ekonomike” që po përdoret kaq shumë në këtë luftë?

    PAK HISTORI

    Termi “sanksion”, në kuptimin në të cilin përdoret këto kohë për qëndrimet e një numri të konsiderueshëm shtetesh përkundrejt Rusisë, për luftën që ajo ka ndërmarrë ndaj Ukrainës, trajtohet gjerësisht edhe në të drejtën ndërkombëtare. Me të kuptohet një masë ndëshkuese e zbatuar në mënyrë të njëanshme nga vetë shtetet ose në mënyrë kolektive nëpërmjet një organizate ndërkombëtare. Ajo duhet të përjashtojë përdorimin e forcës.

    Por përdorimi i sanksioneve nga një pushtet politik është një praktikë e hershme. Ai ka evoluar nga antikiteti, Greqia e lashtë (bllokadat, embargot dhe rrethimet e tjera ishin të gjitha teknika të përdorura për të ushtruar presion mbi një kundërshtar dhe për ta dobësuar atë) dhe filloi të instalohet si praktikë që nga shekujt XVII dhe XVIII, kurse kodifikimi në kuptimin juridik lidhet me Konventat e Hagës të viteve 1899 dhe 1907. Me tej u rimorën nga Lidhja e Kombeve të Bashkuara dhe vazhdoi deri në kohët e sotme moderne.

    Në vitin 1919 Presidenti amerikan Woodrow Wilson deklaroi për bojkotin: “Në zbatimin e këtij mjeti ekonomik, paqësor, të heshtur dhe vrastar, nuk ka nevojë të përdoret forcë” [4]. Disa vjet më vonë, John Maynard Keynes mori pjesë në një ‘projekt konventë për ndihmën financiare nga Lidhja e Kombeve’”.

    Përballë këtij joefikasiteti dhe skandaleve që rezultuan, lindi ideja për t’iu drejtuar sanksioneve më të synuara, fillimisht në kuadrin e procesit të Interlakenit në 1998-ën, pastaj ato të Bon-Berlinit në 2001-shin dhe Stokholmit në 2003-shin. Studiues, përfaqësues të OKB-së, përfaqësuesit e qeverisë dhe shoqëria civile më pas ndërtojnë konceptin e të ashtuquajturave sanksione të zgjuara, “Sanksionet SMART”, të cilat synojnë të kenë një objektiv më të saktë, efekte më të synuara, duke u përpjekur veçanërisht të shmangin strategjitë e anashkalimit të subjekteve të sanksionuara. Është nga ky këndvështrim që tani duhet të merren sanksionet, siç specifikohet në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

    Sanksionet mund të vendosen jo vetëm ndaj shteteve, por edhe ndaj entiteteve apo edhe individëve, siç ka ndodhur në rastin e serbëve të Bosnjës, talibanëve etj. Sanksionet duket se kanë marrë dhe po marrin një rol të rëndësishëm, sepse nëpërmjet tyre shmanget lufta dhe kursehen jetë njerëzore e dëme materiale. Sanksionet rezultojnë efikase edhe si rezultat i realiteteve aktuale botërore, të cilat karakterizohen nga një ndërvarësi e dukshme ekonomike. Po cilat janë llojet e sanksioneve?

    SANKSIONET NE TE DREJTEN NDERKOMBETARE DHE LLOJET E TYRE

    Bazuar në historinë dhe evoluimin e konceptit “sanksion”, sanksioni ndërkombëtar është një masë e politikës së jashtme që zbatohet për të ruajtur ose rivendosur paqen, për të parandaluar konfliktet, për të forcuar sigurinë ndërkombëtare, demokracinë, për të mbështetur parimet e sundimit të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, ose për të luftuar terrorizmin.

    Qëllimi i vendosjes së një sanksioni ndërkombëtar në një kuptim më të ngushtë është të detyrojë shtetet e treta ose personat ndaj të cilëve janë vendosur sanksione që të respektojnë normat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare. Sanksionet mund të ndahen në 3 lloje: i. politike (diplomatike); ii. ekonomike, sportive dhe kulturore; iii. ushtarake.

    1-Sanksionet politike. Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike është një sanksion politik që synon të shprehë mosmiratimin ose pakënaqësinë ndaj një veprimi të caktuar të shtetit dhunues me mjete diplomatike dhe politike, ndërsa qëllimi kryesor nuk është të ndikojë në marrëdhëniet ekonomike dhe ushtarake. Masat përfshijnë: minimizimin ose anulimin e vizitave qeveritare të nivelit të lartë ose dëbimin e misioneve dhe stafit diplomatik; mosnjohjen e një qeverie si legjitime; mohimin e anëtarësimit në një organizatë ndërkombëtare ndërqeveritare; pezullimin e statusit të anëtarit në një organizatë ndërkombëtare ndërqeveritare, për shkak të shkeljes së normave të së drejtës ndërkombëtare; përjashtimin nga anëtarësimi në një organizatë ndërkombëtare ndërqeveritare për shkak të shkeljes së normave të së drejtës ndërkombëtare; ndalimin e kalimit të kufirit të një shteti për individë ose grupe të caktuara të individëve (shpalljen si persona “non grata”); tërheqjen e plotë ose të pjesshme e punonjësve të misioneve diplomatike nga vendi që u nënshtrohet sanksioneve; anulimin e vizave diplomatike.

    2 – Sanksionet ekonomike. Sanksionet ekonomike janë lloji më i përhapur i masave shtrënguese ndaj një shteti shkelës të normave të së drejtës ndërkombëtare – embargo, bllokadë ekonomike, tregtare, ngrirje të burimeve financiare, ndalimi i investimeve në territorin e shtetit objekt të sanksioneve etj.

    3-Sanksionet sportive dhe kulturore. Ndalimi i pjesëmarrjes në garat sportive të personave ose grupeve të personave që përfaqësojnë shtetin që u nënshtrohet sanksioneve, ndërprerja e bashkëpunimit shkencor, teknik dhe kulturor nëpërmjet shkëmbimeve të stafeve akademike etj

    4-Sanksionet ushtarake. Janë mjeti më i fuqishëm shtrëngues dhe ndërmerren në fazën e fundit, për garantimin e sigurisë ose rivendosjen e paqes dhe zbatohen vetëm nëse masat e parashikuara në nenet 40, 41 të Kartës së OKB-së nuk janë të mjaftueshme për arritjen e rezultatit të dëshiruar.

    SANKSIONET KUNDER RUSISE. EFEKTET DHE PASOJAT

    Sanksionet ekonomike e financiare po e dëmtojnë rëndë dhe po e çojnë Rusinë drejt një krize serioze ekonomike e financiare dhe sociale. Tashmë janë një numër i madh vendesh që i janë bashkuar angazhimit për ta sanksionuar Rusinë për luftën në Ukrainë: SHBA; Britania e Madhe; vendet e BE-së, si Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Portugalia, Polonia, Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia, Rumania, Holanda, Belgjika, Luksemburgu, Greqia, Bullgaria etj.; vende anëtare të NATO-s; vende të tjera, si Kanadaja, Australia, Japonia, Koreja e Jugut etj., që janë bërë pjesë e paketës së sanksioneve ndëshkuese për Rusinë.

    Sanksionet prekin një gamë shumë të gjerë masash e politikash kufizuese e ndëshkuese. Ato prekin fushën ekonomike dhe financiare, sistemin bankar dhe atë të tregtisë, të transportit, biznesin privat dhe investimet e huaja etj. Në mënyrë të përmbledhur, në funksion të angazhimit dhe përzgjedhjes nga vendet e sipërpërmendura, ato nënkuptojnë: BE – sanksione ndaj 351 deputetët rusë që votuan në favor të njohjes së dy territoreve separatiste; 27 individë dhe entitete që minuan integritetin territorial të Ukrainës (përfshirë 5 zyrtarë qeveritarë, 6 komandantë të forcave ruse dhe 5 persona të cilësuar si “figura qendrore të propagandës” ruse); 4 subjekte ruse (një kompani “propagande”, dy banka të lidhura me energjinë ruse dhe një bankë zhvillimi); marrëdhëniet ekonomike të territoreve të republikave të vetëshpallura; qasja e Rusisë në tregjet e kapitalit të Bashkimit Europian (BE), si dhe në shërbimet e saj financiare (siç është Banka Qendrore e Federatës Ruse); BE, SHBA dhe Kanadaja deklaruan mbylljen e hapësirës ajrore për kompanitë ruse të aviacionit; përjashtimin e Rusisë në fushën e aktiviteteve sportive, kulturore etj. Gjermania njoftoi pezullimin e autorizimeve për projektin e gazsjellësit “Nord Stream 2” etj. BE ka ndaluar transmetimet e mediave ruse në territorin e tij – “RT” dhe “Sputnik”. Ndalimi i eksportit të objekteve të luksit (makina të shtrenjta dhe bizhuteri); një listë e re me emrat e shtetasve rusë të akuzuar për dezinformim; ndalimin e investimeve të reja në sektorin energjetik rus; ndalohen agjencitë e ndryshme të elaborimit të të dhënave të publikojnë rating-e të Rusisë

    SHBA ka filluar zbatimin e sanksioneve që kanë “një kosto të menjëhershme” dhe ndëshkuese për Rusinë, që synojnë “të izolojnë Rusinë nga sistemi financiar global”, duke e përjashtuar nga rrjeti ndërbankar “Swift”, ndalimi i importeve të një sërë mallrash e produktesh nga Rusia; duke ndërprerë lidhjen me sistemin bankar amerikan për “Sberbank” etj. SHBA ka dekretuar një “bllokim të plotë të sistemit financiar amerikan” për bankën VTB, e dyta mbas “Sberbank”, si dhe tri institucione të tjera financiare ruse: të gjitha asetet e tyre në dollarë janë ngrirë. SHBA ndalon mbledhjen e fondeve në monedhën amerikane për 13 kompani në pronësi të shtetit rus (përfshirë gjigantët e energjisë “Gazprom” dhe “Transneft”).

    SHBA deklaroi ndalimin e importit të naftës ruse, të disa nënprodukteve të naftës, gazit të lëngshëm dhe qymyrgurit. Masat synojnë gjithashtu individët që konsiderohen si “elita ruse dhe familjet e tyre”, por edhe individë bjellorusë, për të detyruar Bjellorusinë “të tërheqë mbështetjen e saj për agresionin rus në Ukrainë”. Transaksionet në dollarë janë të ndaluara dhe asetet që ata mbajnë në SHBA janë të ngrira. Ata janë të ndaluar të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Eksporti në Rusi i produkteve ushtarake ose të teknologjisë së lartë me komponentë ose softwer amerikanë është i kufizuar në mënyrë drastike (mikroprocesorë INTEL dhe AMD për kompjuterët etj.).

    Britania e Madhe njoftoi “paketën më të madhe dhe më të ashpër të sanksioneve ekonomike që Rusia ka parë ndonjëherë”: përjashtimin e plotë të bankave ruse nga sistemi financiar britanik, i cili është më i madhi në Europë”; parandalimin e kompanive publike dhe private nga mbledhja e fondeve në Mbretërinë e Bashkuar; kufizimin e shumave që qytetarët rusë mund të mbajnë në llogaritë e tyre bankare në Mbretërinë e Bashkuar, duke sanksionuar mbi 100 subjekte. Britania e Madhe deklaroi se në fund të 2022-shit do të ndalojë importin e naftës dhe nënprodukteve të saj nga Rusia

    EFEKTET E SANKSIONEVE

    Sanksionet ekonomike perëndimore duket se ndihen shumë: Një javë pas fillimit të luftës në Ukrainë, Rusia ishte në një krizë të rëndë financiare. Rubla, e cila tashmë ishte 60% në rënie që nga viti 2014; mjaft banka ruse po i tremben falimentimit. E detyruar të reagojë, Banka Qendrore ruse dyfishoi normën e interesit, nga 9.5% në 20%, duke i dhënë një goditje të rëndë ekonomisë ruse.

    Në të gjithë vendin, qytetarët rusë po qëndrojnë përpara ATM-ve, duke kërkuar valutë. Rritja e inflacionit dhe varfërimi i papritur i Rusisë duken të pashmangshme. Fillimi i një paniku bankar po afrohet: filiali europian i “Sberbank”, banka e parë ruse, në pronësi të shtetit, falimenton, pas tërheqjes masive të depozitave nga klientët e saj. Banka qendrore ruse ka 630 miliardë dollarë (562.3 miliardë euro), sipas shifrave të saj të publikuara në janar. Mjaft për të “mbuluar njëzet e një muaj importe” nga Rusia. Nga kjo shumë, një pjesë (167 miliardë dollarë) është në rubla dhe sot vlen shumë më pak.

    Një pjesë e tyre është në ar (132 miliardë dollarë), në Rusi dhe nuk ndikohet nga sanksionet. Por një pjesë (95 miliardë dollarë) është depozituar në bankat kryesore qendrore perëndimore, veçanërisht në Rezervën Federale Amerikane (Fed), ose në Bankën e Francës, e cila ka rreth 3 deri në 4 miliardë euro depozita. Këto para tani janë të ngrira. Konkretisht, institucioni monetar rus nuk ka më të njëjtën fuqi për të mbrojtur rublën në tregjet financiare. Në rast të një krize valutore, normalisht mund të blejë rubla për të frenuar zhvlerësimin. Tani ajo është e kufizuar në veprimin e saj.

    Nderkaq edhe Rusia ka kunder reaguar me anti-masa nga ana e saj.

    Sanksionet e Rusise kunder Shteteve “jo miqësore” ndaj saj! Deri më tani janë miratuar 13 ligje të reja nga Duma ruse, si dhe 2 paketa antisanksione, po përgatitet paketa e tretë e antisanksioneve. Shitja me detyrim e fitimeve të kompanive ruse në valutë të huaj (shitje e detyrueshme e valutës së huaj), 80% e valutës së huaj që zotërojnë kompanitë duhet t’ia shesin shtetit për mënjanimin e deficitit të valutës së huaj në treg. Kompanitë IT lirohen nga detyrimi i pagesës së taksës ndaj fitimit për tre vjet. 500 milionë rubla investim për krijimin e rrjetit rus të restoranteve të ushqimit të shpejtë në Moskë pas largimit të Mc Donald’s, Burger King etj.Fiksimi i tarifave të kredive (mosrritja e përqindjeve pas sanksioneve të perëndimit).

    Rrjedhojë e luftes dhe e politikave tregtare duket se janë dhe problemet që po sjkaktohen në furnizimin me gaz dhe naftë dhe lendet e para, sidomos ato minerale, metale dhe
    drithrat. Ndërkaq, Rusia ditët e fundit ndërmorri paketën që i ndalon hyrjen në Rusi disa
    personalitete të larta amerikane.

    Lajmi Paraprak

    Rama: Nuk e ulim taksën e naftës

    Lajmi i rradhës

    Tri sukseset e protestës qytetare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë