Ukraina s’ka vdekur

    Daria Meshcheriakova

    Ndryshe nga mendimi i njohur që rastiset të dëgjohet shpesh në Ballkan, Rusa dhe Ukraina nuk kanë qenë kurrë popuj vëllazërorë. Kjo është një fytyrë e përpjekjeve propaganduese ruse, që e kam hasur madje edhe këtu në Kosovë. Marrëdhëniet historike midis Rusisë dhe Ukrainës mund të krahasohen me marrëdhëniet e një çifti jofunksional, ku burri rrah, poshtëron dhe shtyp gruan e vet për vite të tëra me radhë dhe ajo s’mund të shkojë gjëkundi sepse është e varur nga ai. Posa ajo përpiqet të dalë nga ky ferr, marrëdhënia bëhet ende më toksike. Për shekuj me radhë, Ukraina ka qenë pjesë e Perandorisë ruse kundër vullnetit të saj dhe pastaj edhe e BRSS-së për më shumë se 70 vjet. Kur u pavarësua dhe mëtoi t’i ndërpresë lidhjet, Rusia e pushtoi Ukrainën.

    Disa muaj më parë, këtu në Prishtinë, një gazetar më tha se Rusia dhe Ukraina “kanë qenë gjithmonë të afërta” dhe kanë pasur “marrëdhënie miqësore”. Edhe një herë, kjo më bëri të kuptoja që Ukraina e ka humbur mjerisht luftën e informacionit, sepse këtë mendim e dëgjoj të shprehet kudo. Tjetër mendim është që populli rus “nuk është fajtor për këtë luftë”. “Kjo është veç lufta e Putinit”, thonë ata. Do të thosha që të dyja mendimet janë të pasakta. T’i shohim për së afërmi veç e veç.  

    Përse nuk jemi vëllezër

    Rusët janë shumë ledhatarë kur thonë se ukrainasit janë vëllezërit e tyre të vegjël. Ata madje e quajnë Ukrainën “Rusia e vogël”. Dhe ky mendim ekziston jo vetëm midis politikanëve të qeverisë aktuale, për të cilët Ukraina nuk duhet të ekzistojë fare, por edhe midis rusëve të thjeshtë.

    Edhe para luftës më 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe pushtoi pjesët jugore të rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut, përshkrimet përbuzëse dhe tiparet ofenduese që u visheshin ukrainasve ishin të kudondodhura. Në filma, këngë e libra, ukrainasit përshkruheshin si Cалоеды и колхозники – “provincialë të marrë që rrisin patate në fshatrat e tyre” dhe “hanë petë me sallo”.

    Natyrisht, ky qëndrim kolonial shprehet nëpërmjet një tipari të njohur të shfajësimit kolonial: “rusët janë një komb i ndriçuar i cili thjesht ‘po u sjell civilizim këtyre njerëzve të prapambetur’”. Rusëve u pëlqen të vijnë verës në fshat dhe të hanë qershi e kajsi, pasi, për shkak të klimës në gjerësinë e tyre gjeografike, një bollëk i tillë me fruta e mana është i rrallë. Gjithë arrogancë ata enden nëpër fshatrat tona dhe i detyrojnë banorët me forcë të flasin me ta “normalisht”, pra në rusisht. Në fund të fundit, gjuha ukrainase nuk është “gjuhë e vërtetë”, sipas rusëve.

    Në të vërtetë, shtypja e gjuhës ukrainase nga Perandoria ruse ka nisur disa shekuj më parë, me një dekret të Carit Aleksis të Rusisë dhe babait të tij, Patriarkut Filaret, respektivisht nga viti i largët 1627. Sipas atij urdhri, librat e shtypur në gjuhën ukrainase duhej të mblidheshin dhe të digjeshin në zjarr. Që atëherë u vendos një ndalim i ashpër për librat ukrainas. Kjo shënoi fillimin e një fushate konsistente nga pothuajse të gjithë carët rusë për të shtypur gjuhën ukrainase.

    Akademia e parë ukrainase u themelua në Kiev më 1632, kur nuk kishte as edhe një gjurmë në horizont për arsim të lartë në Moskë. Mësimdhënia në akademinë Kiev-Mohyla mbahej kryesisht në latinisht ose ukrainisht – që në Moskë u ndalua përfundimisht. Dhe nën sundimin e Aleksandrit I, institucioni arsimor u likuidua.

    Librat ukrainas u dogjën, pagëzimi i emrave ukrainas u ndalua dhe fjalimet zyrtare në gjuhën ukrainase u ndëshkuan. Nga ana tjetër, në BRSS – që nga rusët konsiderohej si koha e fundit kur “të gjitha kombet jetonin në paqe së bashku” – ukrainasit u dëbuan shumë larg, në Siberi, Kazakistan e Urale, me qëllim të spastrimit etnik dhe eventualisht eliminimit të plotë të popullit ukrainas.    

    Kjo është arsyeja pse Rusia ka një nostalgji aq të përzemërt për “madhështinë perandorake” të Bashkimit Sovjetik. Në atë konstelacion famëkeq, rusët ishin “raca superiore” dhe të gjithë të tjerët duhej të hiqeshin nga “faza e tyre inferiore dhe barbare e civilizimit” dhe të bëheshin rusë.

    Kjo ideologji prodhoi një gjenocid të tmerrshëm kundër ukrainasve në vitet 1932-1933, kur miliona njerëz vdiqën përgjatë urisë së krijuar artificialisht, ajo që njihet si Holodomori. Stërgjyshes sime iu desh të ikte në këmbë dhe të ecte për 700 kilometra nga rajoni i Cherkasy-t te rajoni i Luhanskut, nga frika se do të hahej e gjallë nga fqinjët e saj. Luhansku qëndronte pak më mirë për shkak të industrisë. BRSS-ja u dha qyteteve furnizime më të majme në mënyrë që skllevërit të mund të punonin më shumë për të mirën e shtetit.

    Rusët bënë gjithçka që mundën për të shpërbërë dhe shkatërruar ukrainasit, por diçka rrugës shkoi keq dhe ata u treguan të pasuksesshëm në përpjekjet në fjalë. Ukraina shpalli pavarësinë e saj më 1991 dhe Rusisë kjo gjë nuk i pëlqeu edhe aq. Meqenëqë Rusia kishte shumë probleme të brendshme në vitet 1990, Ukraina u la e qetë për një kohë dhe posa Putini erdhi në pushtet më 1999, menjëherë ndjemë një ndryshim ndjesish.

    Pse nuk është “veç lufta e Putinit”

    Kam lindur në Luhansk dhe kam jetuar atje deri në vitin 2006. Pastaj shkova për studime në Kiev, në atë Akademinë e mirënjohur Kiev-Mohyla, që ishte ringjallur me shpalljen e pavarësisë. Gjuhën ukrainase s’e flisja mirë, sepse BRSS-ja ia kishte dalë ta shkatërronte plotësisht ukrainishten në rajonin tim por jo edhe ta asgjësonte krejtësisht identitetin ukrainas.

     Babai im vjen nga rajoni i Rostovit, që kufizohet me Ukrainën. Gjithë fëmijërinë time e kam kaluar me gjyshen në qytetin e Millerovos, nga ku aktualisht na lëshojnë lloj-lloj raketash. Të afërmit e mi rusë u përkujdesën që të mos harroja se isha “racë më e ulët.” Edhe pse flasim të njëjtin dialekt rus, festojmë të njëjtat festa dhe përgjithësisht i përkasim një grupi kulturor (dhe kjo është shumë e logjikshme kur shtetet nuk ndahen nga malet por nga stepat), të afërmit e mi e kanë konsideruar veten prore si Rusë të Mëdhenj. Kur i vizitonim, nuk harronin kurrë të na përkujtonin se ne ishim “khokhly” (emër nënçmues për ukrainasit) dhe që “po u vidhnim gazin.”

    Kushërira ime, të cilën e konsideroja përherë si motrën time, më talli me nënçmim pse isha ukrainase. Ajo urren emrin e vet – Oksana – pasi është tejet i popullarizuar në Ukrainë. I detyroi të gjithë ta thërrisnin Ksenia, që ishte i njëjti emër por në Rusi. Ata kanë pasur gjithmonë një frazë popullore “pse po ha si khokhly” (që do të thotë të hash veç një kafshatë dhe të mos mbarosh së ngrëni).

    Gjatë Revolucionit Portokalli në Ukrainë në vitin 2004, kur mijëra ukrainas protestuan në sheshin Maidan kundër falsifikimeve masive, ne sapo kishim arritur në dasmën e Oksanës. Ky ishte veç fillimi i një operacioni masiv propagandistik të përqendruar në Rusi. Putini ishte paranojak se populli i tij do ta rrëzonte, kështu që fillimisht helmoi pa sukses Viktor Jushçenkon dhe pastaj nisi të shpikte dhe pedalonte të gjitha llojet e dezinformatave në lidhje me protestat në sheshin Maidan. I konvenonte që ta mbante në pushtet Viktor Janukoviçin, një vendas i rajonit të Donetskut. Janukoviçi ishte një politikan i korruptuar që lehtë mund të kontrollohej nga Putini dhe kësisoj arrihej edhe qëllimi i Rusisë për ta mbajtur Ukrainën jashtë NATO-s dhe BE-së.

    Maidani fitoi më 2004 dhe neve na u desh të dëgjonim nga të afërmit tanë se qemë mashtruar dhe nuk merrnim vesh gjë. Madje, në atë dasmë, ata na rrethuan dhe na thënë se nuk duhej të përkrahnim Maidanin.

    Kjo situatë arriti kulmin në vitin 2014 kur Rusia pushtoi Ukrainën. Rusia kishte nxjerrë një numër tmerrësisht të madh falsifikimesh në lidhje me Maidanin. Qe kjo lindja e idesë se nëse përkrah Maidanin dhe vjen nga Ukraina, je nazist.

    Pas Maidanit, i pandershmi dhe kukulla e Putinit, Janukoviçi, ik për në Rostov. Rusia pushton menjëherë Krimenë dhe sulmon Donetskun dhe Luhanskun. Prindërit e mi jetonin asokohe në Luhansk dhe unë shkova për t’i vizituar në korrik të vitit 2014, pikërisht kur nisi bombardimi më brutal i qytetit tim. Janukoviçi, me ndihmën e Putinit, shkatërroi ushtrinë ukrainase. Si rezultat, Ukraina humb dy qytete të mëdha dhe të rëndësishme në lindje – Donetskun dhe Luhanskun.

    Derisa prindërit e mi po iknin nga shtëpia sa më shpejt që mundnin, duke marrë me vete veç macen dhe dy çanta me gjërat e domosdoshme, sulmet e të afërmve të mi rusë kundër nesh u përshkallëzuan. I thanë babait tim “t’i linte këto naziste” (mua dhe nënën time) dhe të shkonte në Rusi, ku do t’i gjenin një “grua normale ruse”. Mua më quajtën prostitutë Bandera (Bandera është hero kombëtar i Ukrainës) dhe gjithashtu u zotuan se do të “na tregonin qejfin herën tjetër” që do të shiheshim. Ende s’jemi parë. Burri i Oksanës vesh një bluzë me fotografinë e Putinit në të. Nipi im 25-vjeçar është pjesëtar i ushtrisë ruse. Ata sinqerisht na urrejnë thjesht pse jemi ukrainas. Në shkurt të vitit 2022, kur Kievi u granatua, të afërmit e mi më dërguan mesazhe për të më thënë se të gjitha ato lajme dhe imazhe ishin të rreme, që kisha sajuar gjithçka dhe se isha thjesht një naziste.

    Mos u mashtroni: kjo nuk është veç lufta e Putinit! Populli rus ka pasur pikëpamje gjenocidale ndaj ukrainasve për shekuj të tërë, duke krijuar kësisoj një mjedis që lejon shtypjen dhe asgjësimin e popullit ukrainas. Mos u gaboni: shumica absolute e rusëve e mbështesin këtë luftë dhe duhet të mbahen përgjegjës për planin e liderit të tyre ideologjik për të kryer një tjetër gjenocid kundër popullit ukrainas.

    Artikullin në anglisht e gjeni këtu.

    Lajmi Paraprak

    Revizioni: Në MPPS ka parregullsi – nuk janë regjistruar plotësisht mjetet materiale

    Lajmi i rradhës

    INFLACIONI – Edhe gjermanët blejnë prodhime ushqimore me zbritje

    Lajme tjera

    Mbi modelin Ramiz Alia

    GENC POLLO Në 31 mars 1991, katër muaj pas themelimit të Partisë Demokratike, u mbajtën zgjedhje parlamentare, të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë