Ukraina, “Termopilja” e demokracisë

    PREÇ ZOGAJ

    Lufta nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i politikës me mjete të tjera”. Kjo frazë e famshme e gjeneralit dhe teoricienit ushtarak prusian të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Carl Von Clausewitz, shpjegon saktë agresionin ushtarak të Rusisë kundër një vendi sovran e të pavarur si Ukraina.

    Në fjalimin e tij të nesërmen e agresionit, fjalim që mund të quhet sinteza e luftës së tij, Putin përmendi shumë “pengje” dhe “plagë” me shtrirje të largët e të afërt në kohë, me të cilët kërkoi të përligjë bëmën e tij të përgjakshme. Nuk la pa përfshirë në listën e tij rivendikuese edhe fushatën ajrore të NATO-s për të ndaluar mizoritë dhe spastrimin etnik të Kosovës nga regjimi i Milosheviçit.

    Por emri i përmbledhës i armiqve dhe armiqësive të Putinit është Demokracia. Jo rastësisht, shembujt konkretë të “padrejtësive” që përmendi për të akuzuar Perëndimin janë emra diktatorësh dhe diktaturash.

    Politika e Rusisë putiniane, siç është përkufizuar nga qendrat më të shquara të mendimit në SHBA dhe në Europë, ka qenë dhe është sot e kësaj dite politika e “minimit të demokracisë” me një arsenal metodash e mjetesh që kanë për synim legjitimimin e praktikave jodemokratike dhe mënyrës joperëndimore të sundimit nga lart poshtë, nxitjen e korrupsionit, mbështetjen e politikanëve me qasje putiniste, përhapjen e teorive konspirative dhe lajmeve të rreme për diskreditimin e demokracisë dhe nxitje të trazirave.

    Demokracitë e reja të hapësirës ish-komuniste, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë, kanë qenë dhe janë në fokus të kësaj politike. Por si për të dëshmuar shkallën e lartë dhe rrezen e saj të largët të agresivitetit në këtë rrafsh, Rusia e Putinit, një vend që nuk bën për vetë zgjedhje, ka guxuar të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të SHBA në vitin 2016 dhe në disa vende të tjera të Europës Perëndimore.

    Është e kuptueshme që posaqë ka zgjedhur të sundojë si një autokrat tipik në vendin e tij, Putin ta urrejë demokracinë dhe Perëndimin.

    Demokracia ishte në themel të përmbysjeve të mëdha që ndodhen tridhjetë e ca vjet më parë në gjithë Lindjen ish-komuniste. Fryma e demokracisë ishte në themel të shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik, që ankon dhe vajton Putini në fjalimet e tij.

    Demokracia është çelësi i fuqisë dhe epërsisë së gjithanshme, ekonomike, ushtarake dhe teknologjike të SHBA, BE-së dhe familjes së vendeve të lira në raport me autokracitë dhe regjimet totalitariste.

    Ukraina, pavarësisht trazirave të brendshme, të provokuara nga Moska, ka bërë një diferencë të madhe në zhvillim në krahasim me ish-Republikat e ish-Bashkimit Sovjetik që nuk janë anëtarë të NATO-s dhe BE-së, si Bjellorusia, Kazakistani e tjerë. Madje, edhe me Rusinë. E gjithë kjo falë të qenit një vend demokratik.

    Demokracia në Ukrainë, një lloj “qyteti që po shndriste në kodër” në rajonin ku është vendosur, është një provokim i madh për Kremlinin autokratik dhe satelitët e tij që burgosin kundërshtarët politikë, shtypin opozitat dhe nuk bëjnë zgjedhje të lira.

    Për këto arsye e plot të tjera të kësaj natyre nuk është një rrufe në qiell të kthjellët që politika putiniste e minimit të demokracive me mjete të ndyra “paqësore” të kalonte në etapën finale të agresionit ushtarak me lloj-lloj pretekstesh që ngjajnë si dy pika uji me ato që ka përdorur Hitleri kur sulmoi Çekinë.

    Lufta e tij kërkon të imponojë në Kiev një qeveri kukull në vend të qeverisë së zgjedhur me votë të lirë; kërkon të krijojë me forcën e armëve një Bjellorusi tjetër në Ukrainë. Ëndrra e tij e lavdisë dhe mllefit, me të cilën është mbushur gjithë këto vite në pushtet është rikrijimi me një emër tjetër dhe në formë tjetër i ish Bashkimit Sovjetik, rikthimi në konfigurimin gjeopolitik të një Ballkani në revokim të anëtarësisë në NATO të vendeve që e kanë dashur e merituar anëtarësinë. Ëndrra e tij është lufta e tij, me të cilën kërkon t’u mohojë e rrëmbejë me tanke e raketa ukrainasve, lituanezëve, letonezëve, estonezëve, rumunëve, bullgarëve, maqedonasve, malazezëve e deri shqiptarëve atë që popujt e këtyre vendeve e kanë arritur me sakrifica dhe me zgjedhje të lira.

    Lufta e Putinit është dorashka shpërthyese që ai, Rusia e tij dhe autokracia si sistem politik, i kanë hedhur rendit ndërkombëtar dhe demokracisë. Për gjithë çfarë ka qenë dhe është e negociueshme, SHBA dhe Europa kanë qenë të hapura me Rusinë. Kanë promovuar diplomacinë dhe nuk heqin dorë prej saj. Edhe pse SHBA ia kishte lexuar letrat në xhep Putinit dhe dinte deri edhe datat e sulmit ndaj Ukrainës. Që do të thotë se Putini e kishte ndarë mendjen të sulmonte dhe po luante blofin me bisedime e tërheqje trupash.

    Por Putini do të mundet. Nuk ka asnjë referencë në histori që të kreditojë sadopak suksesin e tij në aventurën që ka nisur. Aq më pak në kohën tonë kur aleanca e vendeve demokratike të botës, së cilës u prijnë SHBA, është superiore, më fortë dhe më e bashkuar se kurrë, rreth vlerave mbi të cilën është ngritur dhe rreth qëndresës heroike të Ukrainës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së saj.

    Në këtë moment, Ukraina është “Termopilja” e demokracisë dhe humanizmit; ukrainasit që po luftojnë për vendin e tyre janë spartanët e kohës sonë, janë emri i rigjetur i sakrificave sublime për atdheun. “Lavdi Ukrainës” është psalmi dhe lutja që mban frymën e miliarda njerëzve në planet. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Segmenti BudapestVilnius dhe trekëndëshi Kiev-Tiranë-Prishtinë

    Lajmi i rradhës

    Forca nuk vendos, luftërat e padrejta janë të destinuara për t’u humbur

    Lajme tjera

    Gorilla

    BEN ANDONI Eksperimenti social që lid het me këtë subjekt nuk ka aq lidhje me gorillën, por me…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë