“Urimi” fqinj: Kurti, qëndro sa më shumë në pushtet!?

    BEN ANDONI

    Ndarja e madhe që ndodhi këto ditë mes shqiptarëve të Kosovës e Shqipërisë ka pasur vetëm një emërues dhe ai ka qenë i përcaktuar me qëndrimin ndaj këshillave dhe paralajmërimeve amerikane. Rregulli i shenjtë për Prishtinën dhe Tiranën lidhur me marrëdhënien ndaj SHBA-ve ka marrë një goditje të madhe, kur kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti në tagrin e tij por edhe në pezmatimin për daljen e situatës nga kontrolli në Veri, u shpreh se: “është i zgjedhur nga populli dhe jo i emëruar nga ambasadori” (nënkuptohet Hovenier, ambasadori i SHBA-së në Kosovë). Fjalë të hidhura, por që u shoqëruan me veprime po kaq të hidhura, kur dy kryetarët e rinj të Komunave të Veriut, pjesë e Vetëvendosjes, as nuk i shkuan në takim z. Hovenier! Nga ana tjetër duhet sqaruar edhe se: të gjitha veprimet e Kryeministrit të Kosovës janë të arsyetuara mbi funksionalizimin e Republikës, që dëgjoi këshillat evropiane dhe SHBA-ve për shtyrjen e zgjedhjeve, kthimin nga reciprociteti, problemin e targave etj.

    A po ndahet Kurti pragmatik nga ai shtetar apo prej liderit që punon thjesht e vetëm për kultin e tij? Është shumë e lehtë, kur nuk ke barrën e pushtetit dhe sidomos përgjegjësinë e dhënies së përgjigjeve në momentet e vështira të gjykosh. Është veçse tejet e vështirë të mjedisosh në një terren ku po kalon Kosova dhe ku Republika e Serbisë bën çmos jo thjesht të shmanget nga përgjegjësitë e saj, por edhe të deklarojë kurdo që mundet se kurrë nuk do e njohi si të pavarur Kosovën. Ish-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, do deklaronte tek një intervistë e seksionit serb të “Zërit të Amerikës” shumë qartë: situata e krijuar në veri i ka rrënjët tek mospranimi nga Serbia i realitetit të pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës, kurse përgjegjësia për vendimmarrjen që çoi në incidentet e fundit rëndon mbi Kosovën. Më saktë, nuk ka.

    Por, ndërkohë Kosova flet në logjikën e saj përmes Kurtit, që në intervistën e parapak-ditëve me NBC-në do të sqaronte se: “Duhet të jemi të sigurt të zbatohet marrëveshja e Brukselit, e cila e ka njohjen defacto. Për shtensionim këta banditë, këta ekstremistë të kthehen në Serbi ose do të arrestohen në Kosovë. Dhe pastaj zgjedhje të hershme. BE-ja të jetë aktive në këtë dialog. Javën tjetër, Lajçak dhe Escobar do të vijnë në Kosovë dhe do të diskutojmë detajet. Besoj në zgjedhjet e parakohshme, por fillimisht kemi nevojë për sundim të ligjit dhe fushatë fer para zgjedhjeve”, deklaroi ai. Fjalë korrekte që përcjellin ato të mëparshmet në intervistën për median vendase kur u shpreh për protestat si “një tufë shovinizmi serb”. Dhe, kuptohet ankesa për praninë e “milicisë fashiste” sesa për pasojat e lëvizjeve të tij, që mund të rrjedhin pas sanksioneve ndërkombëtare. Për t’i hedhur dhe pak benzinë zjarrit: rreshtoi emrat e serbëve të turbullirave në parlamentin e Kosovës, ku i dha drejtim shumë më të egër qëndrimit të tij, kur e justifikoi aksionin e njësive speciale të policisë jo “nga dëshira, por nga detyrimi”, pasi serbët “bënë thirrje për dhunë”.

    Prej kohësh, Kurti është duke bërë një udhë të veçantë, që duket se po e nxjerr shumë problematik. Këtë e kupton edhe nga qëndrimi opozitar serb dhe atyre që duan t’i shohin gjërat në një vështrim që i intereson mëtuesve të pushtetit në Beograd, shprehur me cinizmin e kryetarit të partisë “Dosta je bilo”: “Kjo intervistë e Kurtit duhet të studiohet në fakultetet e shkencave politike për mënyrën sesi nuk duhej të ishte”, ka thënë Sasha Raduloviq, themeluesi dhe kryetari i partisë, duke iu referuar intervistës së Kurtit për KTV-në e Prishtinës. Dhe, ashtu si ndodh rëndom me politikanët e Ballkanit ka sjell një realitet që “përkonte”: Në momentin kur njësitet speciale të Policisë së Kosovës hynë në tri komuna të veriut me kryetarët e sapozgjedhur shqiptarë, mijëra serbë nga Kosova në atë moment ndodheshin në Beograd për të marrë pjesë në takimin e presidentit serb!!! Pikëpamja e Raduloviq për këtë situatë megjithëse ka sens i shkon më shumë teatrit absurd: “Nëse Vuçiq i tërhoqi njerëzit e tij nga veriu i Kosovës dhe Metohisë në takimin e tij në Beograd në marrëveshje me Kurtin, në mënyrë që Kurti të hynte më lehtë në ndërtesat komunale në veri dhe të merrte autobusë prej tij, duke planifikuar tradhti, fati ynë është që SHBA-ja dhe BE-ja e shpëtojnë Serbinë nga ato tradhti”, tha ai.

    Kjo është një hipotezë, por ajo që dihet qartë është e dukshme: Serbia do të bëjë çmos që të mos e njohë Kosovën dhe nga ana tjetër do të përfitojë nga konjukturat ndërkombëtare të marrë gjithmonë sjellje më pozitive nga SHBA-ja dhe BE-ja me rolin e saj të viktimës. Është gati postulat se njohja dhe përpjekja për të lëshuar për Kosovën është pothuaj vetëvrasje për individin dhe partinë apo subjektin që e bën, paçka se Serbia e ka lëshuar e detyruar Kosovën. Problemi është se Serbia nuk po përballet si duhet me realitetin e saj: Kosova nuk është dhe nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë, sepse realiteti i ishJugosllavisë sot konsiderohet si fantomatik, qoftë si mbretëri, qoftë si monarki dhe më vonë edhe si Federatë. Ashtu si me të drejtë shprehen serbët se: nuk mund të drejtohen nga shqiptarët në Veri, ashtu duhet të kuptojnë se serbët nuk mund t’i drejtojnë më shqiptarët, ndaj së cilës kryen aq tmerre.

    Po a duhet të jemi pak më të kujdesshëm me zhvillimet e sotme, konjukturat e Serbisë dhe me qëndrimin e Kurtit nga SHBAve. Ka një interes në rritje nga potenciali i SHBA për të investuar në Serbi, në përputhje me tendencat pozitive ekonomike dhe me anëtarësimin e ardhshëm të Serbisë në BE. Në shtator 2018, Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin në projektet e infrastrukturës, kurse në vitin 2020 Serbia nënshkroi Angazhimet e Uashingtonit për të promovuar normalizimin ekonomik me Kosovën. Firmat e SHBA-së kanë investuar rreth 4 miliardë dollarë në Serbi dhe punësojnë më shumë se 20,000 punëtorë atje (State Departament, 2021).

    Kjo duhet të lexohet me kujdes veç shumë e shumë gjërave të tjera: Ndaj, është një situatë, në të cilën Shtetet e Bashkuara mendojnë se pa këshillën e tyre qeveria e Kosovës ka bërë një gabim serioz, këto ditë dhe ka krijuar një situatë të vështirë, ka konfirmuar ndihmës sekretari i shtetit, Daniel Fried. “Këto veprime (ndërhyrja në veri) i përkeqësuan gjërat dhe KFOR-i dhe Shtetet e Bashkuara u detyruan të merreshin me pasojat e këtyre veprimeve. Mendoj se kjo ishte një mënyrë për t’i thënë Kosovës se nuk mund të krijoni probleme të panevojshme për Shtetet e Bashkuara dhe më pas t’i largoheni përgjegjësisë. Sërish dua ta theksojë se Serbia ka përgjegjësi shumë më të madhe për problemet në veri të Kosovës. Por druaj se qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për këtë incident të veçantë. E njoh ambasadorin Hovenier, ai është një person serioz. Dhe zemërimi i tij gjatë konferencës për mediat ishte i qartë”.

    E megjithatë, sërish një ngërç për Kosovën, pasi amerikanët i premtojnë dhe e ndihin Serbinë t’i ndihmojë qytetarët e zakonshëm serbë! “Kështu që unë mendoj se për Presidentin Vuçiç do të ishte më mirë të përfitonte nga kjo mundësi për të thelluar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën dhe të jetë një forcë konstruktive në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Ka interesa krejtësisht legjitime serbe në Kosovë. Ajo duhet të kërkojë një trajtim më të mirë të serbëve në Kosovë. Këto do të ishin kërkesa të arsyeshme dhe mendoj se ato do të respektoheshin”, citojmë Fried. Dhe, këshilla amerikane është e qartë për këtë: që nga vetëqeverisja lokale, asociacioni i komunave serbe, e plot ide që mund të jenë të realizueshme. Por, në këtë rast i kërkohet Kosovës që të mos peshkohet nga propaganda serbe në ndërtimin e asaj që mund të ndërtohet. Rruga ku po mundohen ta fusin Serbinë është rruga e prosperitetit, krejt e kundërta me atë që i propozohet nga Rusia. Ndaj, duket se përpjekja është që të dyja palët të rikthehen te dialogu, i cili deri tani nuk ka zgjidhur shumë çështje pavarësisht arritjes së Marrëveshjes së Ohrit. Sa më shumë të acarohet gjendja dhe të kthehemi në pikën 0, aq më shumë janë gjasat që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ta rishqyrtojnë strategjinë e tyre për Serbinë dhe Kosovën? Serbët po e kuptojnë se pa SHBA-BE janë të humbur, kurse Kosova duhet të kthjellohet se prej tyre ekziston. Me një ton ironik, Raduloviç i uroi Kurtit.

    “…Kurtit i uroj më të mirat dhe të qëndrojë sa më gjatë në pushtet dhe të mbajë politikën e ndarjes së mësimeve të SHBA-së dhe BE-së, pa të cilat nuk do të ekzistonte as ai dhe as administrata e Prishtinës. Veçanërisht e theksoj rëndësinë e ofendimit të zyrtarëve të tyre, është një formulë e dëshmuar për sukses”, tha Sasha Raduloviq. Fjalë cinike, paçka se udha e Kosovës është natyrshëm dhe e garantuar drejt BE-së e SHBA-së, krejt ndryshe nga sforcimi i Serbisë, që fiton dhe nga këto gabime. Ndaj Kurtit &Co i kërkohet pak më shumë racionalitet. Tek e fundit SHBA dhe BE nuk mund të merren kaq shumë me një dialog që nuk prosperon dot edhe të mundshmen. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Shkatërrohet banda e trafikimit të emigrantëve, 10 persona përfundojnë prapa grilave

    Lajmi i rradhës

    Java nëpërmjet fotografive

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë