DR. JORGJI KOTE
Më 16 janar, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, Kryeministri Rama u shpreh me tonë të ashpra për Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme (MEPJ). Madje, e la “amanet” bashkë me RTSH, një krahasim vërtet pa vend. Ky “viktimizim”, që siç do të shihet më poshtë mund të çojë deri në “kurbanizimin” e diplomacisë sonë, ka habitur të gjithë ata që e njohin apo që për dekada kanë qenë pjesë aktive e diplomacisë sonë, ku bën pjesë edhe autori i këtyre radhëve. Themi kështu, mbasi ka një mirëkuptim të gjerë kudo se krijimi dhe konsolidimi i një trupe cilësore të diplomacisë së karrierës, sipas kritereve ndërkombëtare në 35 vitet e fundit përbën arritje të shënuar të politikës sonë nga të dy krahët.
Në fjalimin e mësipërm, Kryeministri Rama u shpreh se kur shkon në selinë e MEPJ-së, sheh se vetëm ministrja, sekretarja dhe roja punojnë! Nëse është kështu, fajin e ka vetë ministrja, por kjo është larg të së vërtetës. Se mjafton të ngjitej një kat më lart dhe Rama do të shihte dhe njihte shumë diplomatë dhe diplomate, ish-ambasadorë me një dhe me disa mandate në vende dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, përgjegjës sektori, drejtorë dhe drejtorë të përgjithshëm, të cilët nuk u lenë asgjë mangët homologëve të tyre jashtë vendit. E pra, janë pikërisht ata diplomatë që pa bujë dhe zhurmë kanë bërë më të mirën e mundshme në Tiranë dhe në metropolet e shumta të botës në shumë dimensione madhore; sidomos anëtarësimin në OSBE, në KiE, në NATO dhe në BE, të cilat kohë më parë me të drejtë Kryeministri Rama i ka përmendur si arritje dhe suksese! Sa për ilustrim, në respekt të ambasadorëve të tjerë të nderuar, po përmend vetëm tri histori të mëdha suksesi; atë të ish-ministrit Igli Hasani, tani kryetar i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit.
Në vitin e vështirë 2020, zoti Hasani ishte ambasadori ynë në Vjenë, ku drejtoi procesin e shumëfishtë të kryesimit të suksesshëm të OSBE-së; Ferit Hoxha, me shtatë mandate ambasadoriale, krahas të tjerash, në vitin 1998 kur ishte në Bruksel, drejtoi çeljen e procesit të Stabilizim–Asociimit me BEnë, ndërsa vitin e kaluar, i rikthyer në Bruksel, bashkërendoi procesin e çeljes në kohë rekord të 6 grupkapitujve të negociatave të anëtarësimit në BE. Ndërsa në vitin 2022-2023, ai drejtoi me vlerësime të larta praninë tonë si anëtar jo i Përhershëm i KS të OKB-së, madje e kryesoi atë edhe për dy muaj. Në vitin 2014, ish-ambasadorja jonë në Bruksel, Suela Janina, tani shefja e Përfaqësisë sonë Diplomatike në OKB, ishte në krye të procesit të marrjes së statusit “kandidat” të vendit tonë në BE; para ca kohësh ndjeva shumë kënaqësi kur një zyrtar i Komisionit Europian më tregonte se Suela ishte vlerësuar prej tyre me një letër falënderuese për bashkëdrejtimin e një prej proceseve më të rëndësishme të OKB-së lidhur me axhendën dixhitale, në kuadrin e Shoqërisë së Informacionit.
Ishte hera e parë që vendi ynë bashkëpunonte me një vend tjetër në një proces të tillë ndërqeveritiar për gati një vit me plot punë dhe përpjekje. Duke iu rikthyer temës sonë, sipas Ligjit mbi Shërbimin e Jashtëm dhe përvojës së tyre me mbi 3 dekada plot përkushtim dhe profesionalizëm, diplomatët tanë mbajnë gradat përkatëse personale diplomatike, të cilat nuk janë “ pengmarrje apo pengesë” për reforma, ndaj edhe nuk mund të anashkalohen si pa gjë të keq. Krahas ushtrisë, vendosja e sistemit të gradave diplomatike në 20 vitet e fundit është arritje tjetër e dukshme, mbasi i jep fund çdo subjektivizmi në vlerësimin dhe promovimin e diplomatëve tanë, që bëhet sipas meritave dhe me drejtësi sociale, pa e trajtuar “njërin si të nënës dhe tjetrin si të njerkës”! Mirëpo për të rritur deri aty, ata kanë filluar nga atashe, duke kaluar në Sekretar i Tretë, i Dytë, i Parë, e pastaj me radhë Këshilltar, Ministër Këshilltar, Fuqiplotë dhe Ambasador. Diplomatët e shërbimit të karrierës, ndryshe nga ata që vijnë nga jashtë, dallohen, ndaj edhe kanë përparësi absolute mbasi u shërbejnë deri në fund interesave madhore dhe afatgjata të shtetit e jo të një partie apo koalicioni partish të caktuara.
Ndaj, natyrisht pa mohuar mungesa dhe mangësi, ndonëse në pjesën më të madhe jo për faj të saj, MEPJ-ja dhe trupa e saj kudo meriton përgëzime dhe vlerësime! Por përse ky qëndrim aq negativ me diplomacinë? Veç të tjerash, kjo mund të shpjegohet edhe me pakënaqësinë e tij mbi vonesat në paraqitjen dhe miratimin e projektligjit të ri mbi Shërbimin e jashtëm. Drejtuesit e lartë të MEPJ-së e kanë hedhur atë në diskutim publik dhe në media dy vite rresht, me ç’rast janë bërë shumë vërejtje serioze dhe rekomandime; krahas ekspertëve të njohur, këtu është shquar Këshilli prestigjioz i Ambasadorëve të Shqipërisë (KASH), i cili ka në përbërjen e tij mbi 60 ish-ambasadorë, drejtorë dhe këshilltarë diplomatikë dhe 4 ish-ministra të Jashtëm. KASH-i vlerësohet nga përfaqësitë diplomatike në Tiranë dhe nga homologët e tij amerikanë, italianë, të Kosovës, Maqedonisë së Veriut etj.. Me një deklaratë tjetër publike të tij më 19 janar, KASH denoncoi faktin se në projektin e dorëzuar këto ditë në Kuvend, nuk është pasqyruar asnjë vërejtje dhe sugjerim i bërë dy vitet e fundit; ndaj ai i ka bërë thirrje Kuvendit të mos e miratojë këtë projektligj, duke kërkuar të jetë i pranishëm në seancën përkatëse dëgjimore.
Ca më tepër kur ligji në fuqi është miratuar vetëm 10 vite më parë dhe ndryshimet thelbësore në të nuk janë fare të justifikueshme. Madje, me efektet e tyre negative, kaq rrezik që “në vend që t’i vejnë vetullat, do t’i nxjerrin sytë” dhe do ta varrosin përfundimisht shërbimin tonë diplomatik të karrierës. Në fakt, goditjet ndaj saj me disa hapa të mëparshme dhe veçanërisht në projektligjin në fjalë pasqyrohen dhe realizohen nëpërmjet përmbysjes “së butë” të raporteve midis diplomacisë së karrierës dhe të ashtuquajturës diplomaci e rrugës/outsiders; nëpërmjet uljes së nivelit të gradave diplomatike për ata që do të vijnë nga jashtë sistemit dhe emërimit të tyre të pritshëm në poste të larta drejtuese në MEPJ apo misione/përfaqësi diplomatike jashtë vendit; nëpërmjet heqjes së fashave kufizuese për ata që do të emërohen si Titullarë Misionesh, duke synuar shtrirjen e trupës së antikarrierës dhe në poste drejtuese brenda MEPJ etj.. Madje, duket qartë se në këtë funksion është edhe klauzola mbi organizimin e një provimi ku do të kalojnë të gjithë diplomatë.
Një praktikë absurde dhe unikale në botë! Ca më tepër kur as te ne nuk gjen dot një diplomat të pakualifikuar dhe të patrajnuar në institucione dinjitoze, brenda dhe jashtë vendit! Ndaj, kushdo e ka të qartë se “ku fle lepuri” me këtë demek provim, “skartimi” artificial i të padëshiruarve! Ca më keq akoma, në vend që të rivendoset kufiri i dikurshëm, madje i reduktuar lidhur me përqindjen e ambasadorëve politikë ose të jashtëm, ajo është hequr fare, ndërkohë që oreksi qeveritar dhe politik për shtimin e numrit të tyre vazhdon të rritet. Natyrisht, nuk ka pse të jemi kundër caktimit si titullarë përfaqësish të personaliteteve të spikatura nga politika, arti, kultura, letërsia, bota akademike dhe sporti; por kjo në ligj të kufizohet deri në 10 për qind, nga 20 për qind që ishte deri në vitin 2015. Në fund të fundit, përse na u dashkan tani ambasadorë politikë ose nga jashtë, kur kemi plot ambasadorë karriere me përvojë, me kontribut dhe imazh shumë të mire brenda sistemit? Tani, nëse ambasadorin nga politika mund ta justifikojmë, OK, në Uashington, në Ankara e ndonjë organizatë ndërkombëtare, askush nuk i jep dot përgjigje pyetjes përse na duhen ambasadorët politikë në Kanada dhe në mbi 10 vende të tjera si aktualisht, kur të tillë nuk kemi pasur as në SHBA, as në BE dhe as në vitet 90! Tani, vërtet që as Franca, Belgjika, Gjermania, Spanja nuk e kanë këtë klauzolë kufizuese.
Por, dallimi i madh me ne është se atje ka një frymë dhe traditë të konsoliduar që rrallë, shumë rrallë emërojnë ambasadorë politikë ose nga jashtë, ndërsa diplomatë në përfaqësitë diplomatike nga jashtë absolutisht fare. Atje përpara se të emërojnë një ambasador nga politika, duhet ta kenë shumë mirë të argumentuar, ndryshe “bëhet nami” në komunitetin diplomatik, në media dhe në publik me pyetjen asgjësuese “Përse?”, të cilës është tejet e vështirë t’i japësh përgjigje. Pikërisht nga kjo duhet të mësojmë, se janë shumë më afër nesh. Ndërsa në SHBA ndryshon puna, atje vërtet 50 për qind e ambasadorëve (por jo e diplomatëve) janë politikë ose të jashtëm, por ky nuk është shembull për t’u ndjekur domosdoshmërish nga ne për shkak të synimeve dhe kushteve krejt të ndryshme që ne kemi me SHBAtë dhe kryesorja, profili dhe madhësinë gjigante të ambasadave atje, të cilat kanë departamente me shefa që janë diplomatë karriere. Dhe, kryesorja, kur mbarojë shërbimin apo kur kryhet rotacioni në pushtet, nuk ka asnjë klauzolë ligjore që i mban ata në shërbimin diplomatik apo ca më keq akoma t’i konvertojë në “diplomatë karriere”, siç propozohet në projektligjin tonë.
Për pasojë, ashtu siç është theksuar nga ekspertë të njohur, projektligji i tanishëm, në vend t’i shërbejë forcimit dhe modernizimit të diplomacisë së karrierës, e zhvesh atë edhe më shumë nga ana profesionale, duke e kthyer në një ligj klientelizmi politik dhe partiak, ku përfaqësues të politikës ose edhe jashtë saj, të veshur me kostumin e diplomatit do ta kthenin atë në një diplomaci partiake. Po aq shqetësues është fakti se projektligji në fjalë dobëson sistemin e karrierës diplomatike në favor të vendimeve arbitrare dhe hyrjeve të pakontrolluara në sistem. Kjo sjell dëm sistemik, duke ulur interesimin e kandidaturave të mira për diplomatë karriere pa mbështetje politike apo njohje personale, rrjedhimisht edhe të cilësisë së personelit diplomatik. Në disa nene të veçanta të projektligjit shohim me keqardhje se shqetësimi dhe meraku më i madh është përshtatja e ligjit dhe rregullave përkatëse ndaj akomodimit të nevojave në rritje për zgjerimin e diplomacisë sonë, tashmë nga jashtë, në dëm të shërbimit përcaktues të karrierës nga brenda. Kështu, ndërkohë që forcohen më tej kushtet, kriteret dhe kërkesat për diplomatët dhe titullarët e karrierës, ato liberalizohen dhe lehtësohen ndjeshëm për kooptimin e diplomatëve nga jashtë, duke krijuar një pabarazi dhe padrejtësi sociale të dëmshme.
Ky rrezik pasqyrohet në ndryshimin tjetër me pasoja serioze për shërbimin e diplomacisë së karrierës, siç është rekrutimi i ekspertëve të ndryshëm nga jashtë dhe sidomos nga organizatat ndërkombëtare, pa caktuar asnjë kufi apo kuotë dhe duke lënë vend për abuzime, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Në fakt, ligji ekzistues dhe rregullorja përkatëse nuk pengon që për nevoja të ndryshme të veçanta të rekrutohet një ose një numër tepër i kufizuar i këtyre ekspertëve. Po ashtu, edhe ndonjë bashkatdhetar me pozicione drejtuese në organizatat ndërkombëtare mund të caktohet ambasador, siç edhe ka ndodhur. Por, edhe këta për një periudhë të caktuar, të përkohshme dhe me kontratë, por jo të kooptohen si diplomatë karriere.
Nëse ka ndonjë prej tyre që do të bëhet diplomat karriere, dakord, rrugën e kanë të hapur, por ama duke iu nënshtruar si gjithë të tjerët konkursit të pranimit dhe formaliteteve të tjera ligjore, por jo me kooptim dhe katapultim, siç tentojnë këto ndryshime të propozuara. Gjithashtu, këtu është vendi që të shmanget fetishizimi i ekspertëve tanë në organizatat ndërkombëtare, qoftë dhe në BE dhe gjetkë. Duke vlerësuar aftësitë e tyre, gjithsesi ata nuk i kalojnë caqet e një eksperti për një temë të caktuar. Për të qenë realistë, diplomatët tanë kanë epërsi ndaj tyre, sepse e kanë zanat dhe pasion, plus kanë përvojë të lakmueshme diplomatike në poste dhe vende të ndryshme, ku kanë fituar dhe gradat përkatëse, sipas vjetërsisë në punë. Dhe me këtë përvojë, çdo krahasim i tyre me të tjerë jashtë sistemit, sado të aftë qofshin është pa vend.






