Vuçiç mbetet Vuçiç!?

    XHEVAT MUSTAFA  

    Edhe një herë, në Beogradin e tij dhe në takimin e 31 tetorit 2023, me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi në serbisht dhe kuptueshëm edhe në anglisht, spanjisht, frëngjisht, rusisht, kinezçe… se “as de facto dhe as de jure nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës…”! Për të qenë sa më të saktë e të besueshëm, po e përcjell këtë deklaratë të tij, ashtu siç ia ka shprehur drejtueses më të lartë të BE-së. Aleksandar Vuçiç: “…për Serbinë nuk është në pyetje njohja e Kosovës.

    Dhe këtë e kam thënë pafundësisht dhe nuk është e vështirë për mua dhe nuk më vjen turp, jam krenar që e them para presidentes së KE-së… Ne e dimë se cilat janë obligimet tona nga dialogu dhe jemi të gatshëm t’i përmbushim ato. Serbia e ka të qartë se çfarë nuk mund të bëjë kundër Kushtetutës. Ky qëndrim i Serbisë nuk ndryshon! Jo më larg se dy ditë më vonë, këtë deklaratë të sinqertë ose allavuçiniane, ai e përforcoi me një tjetër, përcjellë në “Instagram”.

    Po aq këmbëngulëse dhe fare të qartë, jo vetëm për ata që e zotërojnë mirë, me gojë e me shkrim serbo-kroatishten. Si trashëgimtar apo vazhdues i Milosheviçit si dhe duke flakur çdo maskë, ai shprehet: “Ata që e kanë shpikur që unë jam gati të nënshkruaj pavarësinë e Kosovës, vetëm që të kalojnë zgjedhjet, unë dua që ju, popull i Serbisë, ta dini se kjo është një gënjeshtër famëkeqe…”.

    Këto dy deklarata pa asnjë të re për ata që nuk kanë asnjë iluzion ndaj ndryshimit të mendjes dhe qëndrimit të Vuçiçit ndaj Kosovës, nuk mbartin asnjë të papritur e diçka pozitive, që “ia vlen me e besue”, qoftë edhe fare pak, për qeverinë dhe popullin shqiptar të Kosovës. As personalisht për Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla! As për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, në diasporën shqiptare…

    Merret me mend se këto deklarata të reja të Vuçiçit të vjetër janë adresuar më shumë për ata miq dhe mbështetës të Serbisë në BE dhe DASH, që këmbëngulin në iluzionin dhe shpresën e tyre të kotë për ndryshim mendimi, qëndrimi, pozicioni… të tij ndaj Kosovës! Këto deklarime të reja të Aleksandar Vuçiçit janë përgjigje të drejtpërdrejta edhe për takimin e Brukselit, më 24 tetor të pesëshes së BE-së e për “projektin e moderuar” të tyre për asociacionin e komunave me shumicë serbe, një përpunim i pjesshëm i projektit franko-gjerman, paraqitur në takimin e Ohrit…!

    Merret me mend se janë përgjigje edhe për Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë apo në rrugë, në ndonjë udhëtim të ri me charterin e vet personal, duke u vetëndierë më pak zotërues i postit 10-vjeçar dhe më shumë “lider përtej ballkanik, kontinental, global”, sa mund të hartojë edhe drafte për zgjidhje krizash rajonale, duke “harruar” krizat e shumta në vendin e tij e nën hundën e tij!

    Jo rastësisht e as për t’u çuditur, për draftin “Made in TiranaEdi Rama”, reklamuar nga autori si “serioz” dhe të “miratuar” nga të dyja palët, si dhe të tjerë të plotfuqishëm në BE, sidomos nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron; Presidenti i Serbisë, Vuçiç nuk u shpreh as me miratim dhe as me kundërshtim. Nënkuptueshëm, me shumë gjasa, jo se e kishte harruar këtë “kryevepër” të Kryeministrit të Shqipërisë jo në pikturë, por në një “art” tjetër, me qëllimin dhe dëshirën “për të mos u keqkuptuar” nga miku i tij, Edi Rama e për të mos i mbetur gjatë hatri atij.

    Edhe pse Albin Kurti u shpreh i gatshëm ta pranonte këtë variant të ripunuar gjerësisht, që diskutoi me Ursula von der Lyen më 31 tetor, domethënë jo “variantin Edi Rama”, përsëri pesëshja e BE, sidomos nëpërmjet Borrellit dhe Lajçakut, vazhdoi t’u drejtohej të dyja palëve për të vazhduar takimet dhe arritur sa më shpejt marrëveshje. Po si mund të vazhdojnë takimet dhe bisedimet, kur Vuçiç dhe Serbia e tij nuk lëshojnë fare pe nga pozicioni dhe qëndrimi i tyre i vjetër?! Deri kur zyrtarë të lartë në Bruksel, Paris, Berlin, Madrid, Romë, Uashington do të vazhdojnë qëndrimet përkëdhelëse apo favorizuese ndaj beniaminit të tyre, Aleksandar Vuçiç dhe Serbisë së tyre dhe presionet dhe sanksionet ndaj shtetit dhe qeverisë së Kosovës, përfaqësuar nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti?!

    Për më tepër e më keq, deri kur do ta vështrojnë atë barabar “fajtor dhe përgjegjës” me Albin Kurtin, kur “mali i Himalajave” i pengesave për marrëveshjen përfundimtare e të pranueshme nga të dyja palët është në mes të Beogradit?! Deri kur disa drejtues dhe misionarë diplomatikë në Bashkimin Evropian dhe në Departamentin e Shtetit në SHBA do të kenë iluzionin dhe shpresën e kotë se do të mund ta joshin Aleksandar Vuçiçin sa ta shkëpusin nga trashëgimia e Milosheviçit nga krahët dhe gjokset e Putinit dhe të Xi Jinpingut e ta tërheqin përfundimisht, me bindje të sinqertë e të pandryshueshme, drejt Brukseli?!

    Sipas gjykimit tim, subjektiv, edhe pse është një manovër diplomatike, si një “karrem” për të joshur dhe shtyrë të bien në “rrjetë” të dyja palët, përsëri ndarja e njohjes së pavarësisë së Kosovës në dy faza, në de facto dhe de jure, është ngjashëm sikur t’i bësh Vuçiçit kërkesën: prano tani për tani njohjen de facto, atij apo të tjerëve, që do të vijnë pas teje, do t’u kërkojmë njohjen de jure! Përndryshe, popullorçe kësaj i thonë: prit gomar të mbijë bar!

    Zhvillimet e ditëve të fundit në Malin e Zi, me kapjen e parlamentit dhe të shumicës së qeverisë nga parti proserbe dhe proruse, deklarata e kreut të Republikës Srpska në Bosnje-Hercegovinë, Millorad Dodik, se “serbët duhet të kenë një shtet të vetëm”, pjesë të së cilit duhet të jenë edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina…”, pa harruar edhe sulmin e grupit terrorist serb në Banjskë të Mitrovicës më 24 shtator, shprehin një ambicie më të madhe dhe një projekt të vjetër e të ringjallur serbo-rus!

    Merret me mend se Dodik nuk flet me kokën dhe gojën e vet, pa u konsultuar më parë me shefat e tij në Beograd dhe Moskë, Aleksandar Vuçiç dhe Vladimir Putin! Përgjigja nga ambasadori i SHBA në Bosnje, Michael Murphy se Dodik “po bllokon qeverinë, kërcënon paqen dhe kërkon të shantazhojë ose ngacmojë liderët e tjerë politikë të vendit dhe komunitetin ndërkombëtar… Ne jemi të vendosur të mbrojmë sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të Bosnje dhe Hercegovinës!”, është e shpejtë dhe e fortë.

    Por Milorad Dodik dhe nëpërmjet tij, Vuçiç në Beograd dhe Putin në Moskë, meritojnë pa vonesë deklarata dhe paralajmërime nga qeveritarët dhe pushtetarët më të lartë të vendeve kryesore të BE-së dhe si BE si institucion ndërkombëtar. Natyrisht, edhe nga shefat e ambasadorit Murphy në Uashington, pra nga Sekretari i Shtetit Blinken, bile edhe nga Presidenti Biden. Këta janë vërtetë tejet të angazhuar dhe shqetësuar nga luftërat Rusi-Ukrainë dhe Izrael-Palestinë (Hamas), por për të mos iu shtuar edhe një luftë e re në Ballkan, “fuçi baruti” prej rreth 145 vjetësh, është e këshillueshme, e domosdoshme, urgjente të ndërhyjnë seriozisht për t’ua ulur dhe shuar orekset konfliktuese liderëve më të lartë serbë dhe padronëve dhe sponsorëve të tyre në Moskë, Pekin, Teheran…

    Sepse, prej kohësh është lënë të nënkuptohet se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç apo edhe Millorad Dodik, “ua kanë pirë lëngun” apo nuk ua vënë veshin seriozisht këshillave, “kërcënimeve të pambukta apo të leshta” të Ursula von der Lyen-it, Macronit, Borrellit, Lajçakut, Escobarit, duke i përkthyer në serbisht apo rusisht si “larje goje” e si justifikim të udhëtimeve dhe shpenzimeve prej këtyre misionarëve diplomatikë!

    Pra, më 31 tetor 2023 në Beograd, Ursula von der Lyen mori mesazhin e qartë: Putin, Vuçiç, Dodik… me “viça” të tjerë serbë, “nuk lëvizin nga ‘stallat’ dhe ‘fushat’ e tyre, pa lëvizur nga pozicionet dhe projekt marrëveshjet e tyre, qartësisht në favor të Beogradit presidencial dhe qeveritar, Uashingtoni dhe Brukseli”! Arsyeja e kokëfortësisë së tyre është lehtësisht e kuptueshme! Vuçiçi dhe Brnabiçi e njohin mirë traditën se pas ca “nazeve dhe lojërave diplomatike” BE dhe DASH do t’ua plotësojnë tekat dhe kërkesat! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Lëvizja BESA: Të mos pengohet procedura për anëtarin e KShZ-së

    Lajmi i rradhës

    Pas denoncimit publik, Këshilli Gjyqësor e thërret në takim Besa Ademin

    Lajme tjera

    Zgjimi europian

    Ditmir Bushati Konferenca për të ardhmen e Europës ishte një mundësi unike për qytetarët europianë për të debatuar…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë