Pse politikanët kanë nam të keq? Kush e ka fajin?

    GËZIM TUSHI

    Nuk duhet ndonjë studim i madh sociologjik për të bërë sondazh dhe të sintetizosh reflektimet e opinionit publik, kritikat, vlerësimin e tyre për vlerën e cenuar, reputacionin në krizë të politikanëve tanë. Kurrë më parë kriza e identitetit dhe autoritetit të tyre, si “lojtarë” të klasës politike dhe profesionistë të realizimit të saj, nuk ka qenë në këto kuota kritike sikurse është sot. Pjesën më të madhe të këtij cenimi të autoritetit, sidomos atij individual dhe kësaj situate të “rrënimit” të reputacionit publik ata e kanë sjellë vetë me akuzat, kundërakuzat reciproke, faktet dhe dokumentet e akuzimit reciprok, herë me gjëra autentike e të vërteta e herë të alambikuara, të falsifikuara për qëllimet e luftës politike për pushtet.

    E cila përgjithësisht, kështu sikurse po e zhvillojnë politikanët tanë në Shqipëri, është tejet e deformuar, atipike me standarde të ulëta makiaveliste, larg kuptimit të saj si mision, duke shkelur hapur e në mënyrë flagrante principet deontologjike të politikës profesioniste. Dhe këtu është fjala për elitën politike shqiptare, për ata që janë të “zgjedhur” e të “përzgjedhur” si qytetarë përfaqësues dhe vlerat e kërkuara, nga politikanë që atë duhet ta kishin jo thjesht profesion por mision jetik dhe etik. Për mua personalisht, por dhe për një pjesë të miqve të mi që janë brenda apo jashtë politikës aktive, ky realitet i përçudnueshëm e ka katandisur politikën shqiptare në kuotat më të ulëta të kredibilitetit dhe ndikimit të shëndoshë social. Ndonjëherë, kur shikon cilësinë e të bërit politikë në vendin tonë, të duket sikur ajo është katandisur aq keq nga mënyra si bëhet, që të bën pesimist për faktin që tani ajo ka rënë në një “pikë të vdekur”.

    A e kuptojnë politikanët këtë situatë të degradimit të politikës në Shqipëri? A e ndjenë ata përgjegjësinë si “klasë politike” dhe nominalisht si individë dhe aktorë kryesorë ekzekutorë të saj?

    Mua më duket se ata janë ambientuar dhe kanë mundur të punojnë për të siguruar status kuonë personale dhe ekzistenciale në këtë politikë, ashtu siç është dhe me ato defekte që ka. Prandaj duket qartë se kjo situatë e “banalizimit të politikës”, humbja e kredibilitetit publik të saj, atyre nuk u bën ose u bën shumë pak përshtypje individuale e sociale. Kjo është arsyeja që edhe kur dalin në publik apo në media, me dëshirë apo të imponuar për rrogë apo kontinuitet të karrierës personale, nuk e kanë problem të flasin “kodra pas bregut” dhe të mbrojnë shpesh pa argumentet e duhura “statusin e rrënuar” të personalitetit si politikanë profesionistë. Janë bërë mjeshtër edhe ndaj kritikave të “holla” shpesh të papërballueshme nga “nivelet infantile” të kulturës së tyre.

    Kanë gjetur si “tapë shpëtimi” dhe përpiqen që pozitën e tyre të lëkundur ta “mbrojnë” me koracën universale të faktit që kudo në botë ka qëndrime nihiliste e kriticiste të publikut ndaj profesionit të politikanëve. Është e vërtetë, që kudo raportet e politikës në përgjithësi dhe politikanëve nominalisht me publikun, janë të brishta e delikate. Në përgjithësi ato brehen nga dyshimi, mungesa e besimit, për shkak të sjelljeve morale apo “dyfaqësisë” së tyre, zakonit të mosmbajtjes së premtimeve, jetës personale me dubël standarde financiare e morale, përfshirja në korrupsion dhe abuzime me fondet shtetërore, sjellje e veprime jo morale publike apo private etj.

    Por politikanëve tanë që këtë argument e përdorin me “psikologjinë e strucit” duhet t’u themi se është e vërtetë që këto patologji të politikës shfaqen edhe në vendet e perëndimit me demokraci më të konsoliduar, por kjo tipologji në këto vende ka masën por dhe kontrollin e duhur, intensitetin e kuptueshëm, brenda raporteve normale në raportet midis dyshimeve të qytetarit dhe korrektesës dhe politesës qytetare të politikanit.

    Por situata në Shqipëri, për shkaqe të shumta sociale, por dhe të personalizuara nga niveli, defektet e përzgjedhjes individuale dhe sjellja e klasës politike, është krijuar një situatë e zgjeruar mosbesimi, skepticizmi dhe konfliktualiteti në zgjerim në marrëdhëniet midis tyre. Besoj se nuk ka kategori tjetër sociale më të diskutuar, anatemuar dhe kritikuar në këto kohë sesa politikanët, sjellja individuale dhe problemet e efiçiencës dhe mënyrës defektoze të komportimit social. Kjo sindromë morale publike është një sëmundje e përgjithshme sociale, e lidhur sa me profesionin e politikanëve tanë, po aq dhe me pritshmëritë e parealizuara të publikut, natyrën e qëndrimit me dy faqe të tyre dhe konceptin puritanist që kanë njerëzit e zakonshëm, për vlerat morale dhe staturën sociale të politikanit. Personalisht mendoj se nuk janë aq shumë rrethanat, pas të cilave politikanët duan të fshehin sjelljet e tyre agresive, brutale, pse jo në shumë raste edhe pa “cipë morale”, por është një “plagë gjenetike” e politikës sonë, tipike dhe e zgjatur në këto tre dekada, që në mënyrë permanente ka gjeneruar këtë situatë ontologjike të politikës shqiptare, dhe në të njëjtën kohë dhe paralelisht këtë perceptim të sjelljes së tyre nga publiku, qytetarët e zakonshëm. Nuk mund të mos pranohet si fakt, që në klasën politike shqiptare ka njerëz aksidentalë, të pakultivuar, të pakulturuar që nuk e njohin, as nuk e kanë në gjak “ligjin e mirësjelljes” publike, si kusht i parë për të qenë politikan.

    Madje, kohët e fundit, situatat dhe negacionet e politikës janë shtuar, shumëfishuar. Kuotat e neurotizmit dhe banalitetit të komunikimit janë në nivele kritike. Një situatë që ka mbërthyer keq tërë dinamikën e bërjes së politikës dhe komunikimit në takim me njerëzit, militantë apo qytetarë, në media dhe në mënyrë të veçantë në aulën e demokracisë në Parlamentin Shqiptar. Njerëzit, tashmë në mënyrë masive, thonë se me këtë klasë politike nuk mund të ecet më tej. Ata janë shkaku që është krijuar ideja, se politika ka rënë në “pikë të vdekur”

    Realiteti kompleks, hallet, sfidat dhe problemet e mëdha të jetës ekonomike, sociale, arsimore, kulturore e morale janë aq të mëdha e të komplikuara, saqë të krijohet ideja se pothuaj është e pamundur që ato të zgjidhen nëpërmjet “vogëlsirave”, me të cilat merret politika dhe politikanët tanë. Ka një diferencë evidente midis asaj “politike që kemi” dhe nivelit të kërkuar të “politikës për të cilën kemi nevojë”

    Nuk është rastësi që shpesh dëgjon fjalë të rënda për politikën dhe politikanët tanë.

    Nuk është fare çudi që një politikë që luhet nga një sasi jo e vogël njerëzish të papërshtatshëm, por që janë kapur me thonj pas saj të sjellë vetëm produkte negative. “Politika është bërë një turp apo që politikanët nuk kanë moral politik”, këto janë fjalët që përdoren gjithnjë e më shpesh tek ne. Por kjo situatë nuk është fare e mire, sepse as diagnoza për politikanët nuk është e saktë nga që është e përgjithësuar kuturu, por as ilaçi i sharjes në përgjithësi të gjithë politikës dhe politikanëve nuk është ajo që duhet. Shqiptarët janë të pakënaqur me klasën politike aktuale, të dëshpëruar, me shpresa të vakëta në pritje të “politikës moderne”, që do mund t’u japë zgjidhjen e duhur problemeve dhe shqetësimeve të tyre personale, sociale e kombëtare.

    Politika shqiptare për shumë arsye ka qenë “flu” nga aftësitë e njerëzve që merren me politikë, por që një pjesë jo e vogël prej tyre nuk janë politikanë pse janë të tillë, por janë në vende që janë uzurpuar nga “aksidentet e personaliteteve” që kanë mundur të penetrojnë në të. Në këtë kontekst nuk është fare vështirë të dallosh, se në shoqërinë tonë akoma nuk ka klasë politike të vërtetë, që të jetë një shtresë që ka aftësi të luajë këto role dhe të mbajë ato përgjegjësi që i takojnë politikanit profesionist. Kohët e fundit janë bërë të neveritshëm disa politikanë, që nuk kanë sensin e duhur human, aftësinë për të kuptuar raportin midis debatit politik të fortë por të kombinuar me maturinë qytetare. Sepse trajtimi i problemeve politike të shoqërisë kërkon cilësi kulturore dhe interpretative të politikanëve tanë, të cilat shpesh, për fat të keq mungojnë, për pasojë ata e banalizojnë politikën me sjelljen e tyre. Parlamenti kohët e fundit është inonduar nga “politikanë të zjarrtë”, të cilët janë angazhuar duke përdorur një gjuhë militanteske, politikisht apologjetike, shpesh tërësisht të korruptuar nga pikëpamja kulturore e linguistike.

    Personalisht mendoj se “binariteti i politikës” së ashpër gjuhësore, kulturalisht me defekte dhe etikisht jashtë kontrollit, që është përdoruar dendur në debatet parlamentare, më shumë ka qenë qëllim në vetvete, fare pak të lidhura me interesat e vërteta të shqiptarëve. Nganjëherë me një “unitet” të brendshëm të deputetëve të caktuar, që ka sjellë mediokritet parlamentar evident shoqëruar me një format shtresëzimi të debatit të kthyer në tautologji boshe. Kjo është arsyeja pse qytetarët janë të mërzitur, pikërisht sepse nuk kuptojnë ku është fusha e të “bërit politikë”, ku janë faktet dhe si bëhet paraqitja e tyre në Parlament. Politika nuk është “llafe pa bukë”, por formë polemike konsistente e veprimit të njeriut politik. Politika nuk është “art papagallës”, por veprimtari e mendjes pjellore politike. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    “Washington Post” zbulon pse fshihet Rama

    Lajmi i rradhës

    Sulmi ndaj gazetarëve në RMV, do të llogaritet si sulm ndaj personave zyrtarë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë