Arsim Leskovica
Një botë që gjithnjë e më shumë karakterizohet nga plasimi i informacioneve dhe gara për të qenë më i shpejtë (por jo më i saktë) në nxjerrjen e lajmit, çfarëdo qoftë ai, shpesh më lind pyetja: A është patjetër të reagojmë në gjithçka?
Nëse ndalemi dhe reflektojmë pak, do të kuptojmë se jo çdo situatë, mendim apo ngjarje, kërkon qoftë a priori ose a posteriori, përgjigjen/reagimin tonë.
Të reaguarit në çdogjë mund të konceptohet e komentohet si shenjë e ndjeshmërisë dhe angazhimit, por njëkohësisht mund të çojë në konsumim emocional dhe të na largojë nga qëllimet tona kryesore, aty ku jemi dhe ku mund të japim më shumë si njerëz kompetentë të një fushe të caktuar.
Reagimi është një impuls natyror i qenies njerëzore. Që nga kohët e lashta, njerëzit janë ndikuar nga mjedisi i tyre për të mbijetuar, duke reaguar ndaj kërcënimeve nga jashtë. Në epokën moderne, megjithatë, ne jemi të bombarduar nga ngjarjet në nivel global, debatet shoqërore dhe ndodhitë e përditshme. Rrjetet sociale kanë shtuar ndjeshëm presionin për t’u shprehur mbi çdo temë, shpesh duke krijuar një iluzion se heshtja do të thotë indiferencë, apati ose mungesë qëndrimi.
Shumë njerëz, pavetëdijshëm ndihen të detyruar të reagojnë për shkak të nevojës për pranim shoqëror, për të treguar empati ose për të mbrojtur qëndrimet e tyre. Sido që të jetë, ky lloj detyrimi që ia imponojmë vetes sonë, shpesh mund të jetë i dëmshëm, pasi krijon konflikte të panevojshme ose ndjenjën e tejngopjes me shqetësime të jashtme.
Reagimi i vazhdueshëm ndaj temave e ngjarjeve njëditore, triviale, mund të ketë pasoja të thella në mirëqenien tonë psikologjike dhe emocionale.
Së pari, ai mund të shkaktojë lodhje emocionale, pasi energjia jonë mendore dhe emocionale, megjithatë është e kufizuar. Të reaguarit ndaj çdo provokimi ose ngjarjeje na lë pak hapësirë për të reflektuar ose për të ndërtuar qetësinë e brendshme.
Së dyti, reagimi i tepruar mund të minojë cilësinë e marrëdhënieve tona, duke krijuar keqkuptime, paragjykime dhe konflikte të panevojshme. Njerëzit që ndihen të detyruar të reagojnë ndaj çdo komenti ose situate shpesh shihen si impulsivë ose të bezdisshëm, çka mund të ndikojë në mënyrën se si të tjerët i perceptojnë.
Heshtja, në të shpeshtën e rasteve është një mjet i fuqishëm që nënvlerësohet. Duke zgjedhur të mos reagojmë në çdo situatë, ne krijojmë hapësirë për të analizuar më mirë atë që po ndodh dhe për të marrë vendime të bazuara në mendim racional, jo thjesht yshtje emocionale. Siç thotë një filozof, “Heshtja është burimi i forcës së madhe.” Të heshturit na mundëson të ruajmë energjinë tonë për ato çështje që vërtetë kanë rëndësi dhe që kërkojnë vëmendjen tonë.
Heshtja gjithashtu mund të jetë një formë reagimi më i duhur se sa fjalët. Ajo tregon vetëkontroll, pjekuri dhe aftësi për të mos u tërhequr nga çdo provokim apo debat që mund të jetë kalimtar. Në një shoqëri që vlera e individit matet përmes zhurmës që krijon, të heshturit është akt dinjitoz dhe “shenjë me ngjyrë të kuqe” që sinjalizon sipërfaqësinë.
Disa ngjarje kërkojnë angazhimin dhe zërin tonë, veçanërisht ato që lidhen me drejtësinë sociale, dinjitetin njerëzor dhe kauzat për të cilat besojmë. Por është e rëndësishme të dallojmë mes asaj që është urgjente dhe asaj që është thjesht një shpërqendrim. Përndyshe, bëhemi si macet, të cilave nuk u shpëton asnjë lëvizje më e vogël pa e parë e reaguar ndaj saj.
Për të vendosur kur të reagojmë dhe kur të heshtim, duhet të bëjmë disa pyetje thelbësore:
A është kjo çështje me rëndësi të madhe për mua dhe të tjerët?
A mund të sjellë reagimi im një ndryshim pozitiv?
A është koha dhe vendi i përshtatshëm për të ndërhyrë me ndonjë reagim, koment, studim e soditje të rastit?
Nëse përgjigjet tona janë të pasigurta, ndoshta është më mirë të qëndrojmë në heshtje dhe të presim që situata të qartësohet.
Të reagosh nuk është gjithmonë një domosdoshmëri. Ndonjëherë, fuqia jonë qëndron te zgjedhja për të mos reaguar.
Fjala bie, a do të kishin marrë popullaritetin e pamerituar disa individë sharlatanë, sikur ne të mos u kishim kushtuar vëmendje? Sidomos vëmendjen mediatike.
Tekefundit, heshtja e vetëdijshme nuk është dobësi, por mençuri që reflekton fuqinë e vetëkontrollit dhe vetëdijes për të dalluar zhurmën nga melodia.






