Obeziteti, një pistë e re…

    SHEFQET DELIALLISI 

    Pa sheqer. Pak yndyrë. Zero karbohidrate! Pa fund dieta që ndryshojnë sipas modës. Një konfuzion që dëmton aftësinë për t’u ushqyer si duhet. Ndërkohë, mbipesha dhe obeziteti rriten pa u ndalur. Fakti që pa sukses hidhemi nga një dietë në një tjetër, dëshmon se asnjëherë s’kemi qenë në pistën e duhur. Modelet e provuara për frenimin e obezitetit kanë dështuar me sukses. Zgjidhje e shpejtë kërkohet, por ende asgjë në horizont s’duket.

    PYETJE….

    Pse disa hanë çfarë i pëlqen, pak aktivitet fizik, dhe nuk shtojnë në peshë, të tjerë hanë sasi modeste, janë fizikisht aktivë, janë dhe mbeten obezë? Pse obeziteti është problem dekadave të fundit dhe jo më parë? Pse ka diferenca të mëdha në nivelin e obezitetit nga një vend në tjetrin?

    Stigmatizimi i njerëzve për obezitetin është tërësisht i gabuar. Obeziteti është një gjendje komplekse.

    Ndikohet nga faktorë: gjenetikë, dietetikë, aktiviteti fizik, gjumi, stresi psiko-social…

    E RËNDËSISHME DHE SHIJA…

    Ajo çfarë na pëlqen të hamë, është një nga misteret e mëdha të sjelljes njerëzore. Shpesh shija anashkalohet, konsiderohet një iluzion, ndërkohë që është një element i rëndësishëm për ushqyerjen dhe mbingrënien.

    Gjithashtu e çuditshme është si oreksi, konsiderohet i pavarur, primitiv, pa lidhje me obezitetin.

    Organi i shijes është gjuha, por jo vetëm. Strukturat ndijore në gjuhë zbulojnë shijen, sinjalet dërgohen në tru dhe ai i përkthen në shije të ëmbël, të kripur, të thartë apo të hidhur…

    “Talenti” i madh për vlerësimin e shijes është dhe hunda. Nuhatja e aromave është më e rëndësishme nga sa mendohet. Jo rastësisht hunda është vendosur pranë gojës. Aromat që çlirohen gjatë përtypjes kapen dhe përpunohen prej saj. Funksioni i hundës është vlerësuar si një teknologji e sofistikuar. Një pajisje me funksionin e saj llogaritet se do duhej të kushtonte rreth 350,000 dollarë… Ndërkohë organi më i rëndësishëm për shijen është truri, i cili me një “zgjuarsi” ushqyese analizon gjithçka hamë, dhe çfarë duhet te hamë, duke ruajtur peshën trupore të programuar në gjenet tona.

    Në librin “Efekti Dorito” (2022) Mark Schatzker paraqet një pistë të re: “Për obezitetin, rënien në peshë, fitimin e peshës së humbur, s’duhet të fajësohen as yndyrat, as karbohidratet. Është truri që me intuitë përzgjedh ushqimet në bazë të mikronutrientëve që ato përmbajnë, nisur nga nevojat që organizmi ka”.

    Dëshira për të shijuar nuk është aspak e rastësishme…

    LE TË KTHEHEMI PAS…

    Ideja që organizmi kërkon lëndët ushqyese që i mungojnë është e hershme. Në fund të viteve ‘20 të shekullit të kaluar, mjekja pediatre Clara Davis publikoi një studim me tre foshnje 7-9 muajshe. Duke i ofruar zgjedhje në një shumëllojshmëri ushqimesh, instinktivisht ato zgjodhën ushqimet e shëndetshme. Në vitin 1940, psikologu Curt P Richter përshkroi rastin e një të riu që hante kripë në sasi të paimagjinueshme. Mjekët ndërhynë duke e ndaluar.

    Disa ditë më pas ai humbi jetën. Rezultoi se kish pasur një çrregullim të gjëndrës mbiveshkore që shkaktonte humbje masive të kripës, dhe instinktivisht, për të kompensuar humbjen organizmi e shtynte të merrte kripë me shumicë.

    Judith Wurtman, biokimiste ushqimore në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts, duke studiuar njerëz me dëshirë të tepruar për karbohidrate, hodhi idenë se për të korrigjuar një mungesë në karbohidrate organizmi i kërkonte me shumicë ato. Shija e ëmbël, e menduar thjesht një ndjesi e këndshme, është një manual që udhëzon sa energji organizmi duhet të marrë.

    MOSPËRPUTHJA…

    Ushqimet natyrale janë më të shëndetshme. Organizmi është përshtatur me to në mijëra vite evolucion. Por shija ka mbi gjysmë shekulli që ndryshon me shpërthimin e revolucionit ne bujqësi…

    Domatet e përsosura në pamje s’kanë më shijen e domates. Mishi i pulës, luleshtrydhet, gjithçka që kultivohet, është më e madhe në përmasa, më e lirë në çmim, dhe me më pak shije! Përparimet në shkencë po përdoren dhe nga industria ushqimore me qëllim fitimi. Duke ndërhyrë në mekanizmat kimikë të sofistikuar të trurit, përpiqet t’i paraqesë si “natyrale”, ushqimet e prodhuara në mënyrë industriale, shija e të cilëve është zbehur…

    Duke shfrytëzuar kënaqësinë e shijes së ëmbël, “etjen” e brendshme për ëmbëlsira, kompanitë ushqimore i joshin konsumatorët duke shtuar sheqer në pothuajse çdo gjë që ato prodhojnë: kos, ketchup, ushqime me fruta, drithërave e mëngjesit të supozuara të shëndetshme. Përputhjen mes shijes dhe vlerës ushqimore të një ushqimi, ndërhyrja e teknologjisë së përpunimit dhe aromave sintetike e ka zhvlerësuar.

    Truri përkthen gabim kënaqësinë që i shkakton një shije artificiale dhe i jep mesazhe të rreme organizmit. Kjo mospërputhje humb aftësinë për të vlerësuar sasinë e kalorive që organizmi merr, duke shtuar dëshirën për të ngrënë. Kjo anomali mendohet si shkak i asaj çfarë po ndodh me mbipeshën dhe obezitetin, krizën e obezitetit në Amerikë, ku pjesa më e madhe e ushqimeve janë të përpunuara thënë ndryshe të mospërputhshmëri.

    PER ILUSTRIM

    Kur dikush merr një ushqim të manipuluar me pak yndyrë (80 kalori), këto kalori nuk digjen, por do depozitohen në mënyrë të gabuar. Nëse merret një ushqim me yndyra të plota (200 kalori), por të pamanipuluar, truri e njeh dhe i djeg të 200 kaloritë. Në fillim patatinat ishin thjesht patate të skuqura, pa ndonjë shije të veçantë.

    Pas shtimit të “aromatizuesve”, ato u bënë më të shijshme, konsumi u rrit në shifra alarmante duke krijuar probleme për shëndetin. Shembull është dhe pija mjaft e përhapur “Fanta”. Askush s’do kishte dëshirë të pinite ujë me sheqer, por kur përzihet me aromatizues, ai merr shijen e portokallit dhe bëhet i pëlqyeshëm.

    Bizneset ushqimore po mashtrojnë shijen tonë…

    SHIJA FAJTORE?!

    Ushqimet e shijshme shpesh anatemohen si të pashëndetshme, madje kalohet deri në ekstrem: “Nëse ka shije, pështyje”! E vërteta është se natyra ka krijuar shijen e mirë dhe të keqe… shija e ëmbël (e mirë) zbulon substancat e dëshirueshme në ushqime dhe na fton t’i hamë, shija e hidhur zbulon substancat e padëshirueshme (psh toksina), dhe truri na sinjalizon të ndalemi, ta pështymë ushqimin për të mbrojtur organizmin!

    Por ka dhe një tjetër tezë paradoksale “Ne mund t’i perceptojmë ushqimet e shijshme si të dëmshme dhe të pashijshmet si të shëndetshme”!! “Nëse kjo do të ishte e vërtetë, njerëzit më obezë në botë do të ishin italianët”, thotë Schatzker, të cilët, edhe pse hanë ushqime të yndyrshme, djathë, gjalpë, mish, etj., Italia vlerësohet si një vend me normat më të ulëta të obezitetit në botë, për shkak të kulturës së kuzhinës italiane që i kushton shume rëndësi shijes.

    ÇFARË E PENGON NDRYSHIMIN?

    Nuk duhet nënvleftësar fakti se ushqimi është një biznes shumë i madh, vështirë të mendohet se do kishte ndonjë industri të madhe që do të përfitonte nëse njerëzit do hanin më pak, jo vetëm bujqësia, por dhe industria ushqimore, tregtia ushqimore, restorantet, dietat apo industritë farmaceutike, të gjitha lulëzojnë kur njerëzit hanë më shumë, të gjitha punësojnë armata lobistësh për të dekurajuar qeveritë për frenimin e mbingrënies.

    Industritë e dietave e shmangin shkencën e bezdisshme të ushqyerjes, bazat e biokimisë ku ajo mbështetet, që njerëzit e zakonshëm e kanë të pamundur ta kuptojnë…

    Thjeshtëzimi i mbipeshës dhe obezitetit si një çekuilibër kalorik vazhdon. Promovohet dhe nga industria, e cila me këtë argument, në mënyrë të fshehtë, përjashton veten nga përgjegjësia për marketingun e ushqimeve të pashëndetshme.

    DUKE E MBYLLUR

    Kthimi i ushqimeve në shijen natyrale mund të ndihmojë në korrigjimin e epidemisë së obezitetit, mund të jetë një rrugë e re për zgjidhjen e problemit.

    Revolucioni bujqësor më i fundit premton shëndet më të mirë dhe jetë më të gjatë përmes ushqimit me shije sa më të mirë. S’duhet të kemi frikë të shijojmë. Jemi të projektuar për të ngrënë sa më shijshëm. Ushqim i shijshëm dhe ushqim i shëndetshëm janë e njëjta gjë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Ndotja e ajrit | Në një vit, 1.3 milionë njerëz në botë vdesin për këtë arsye

    Lajmi i rradhës

    Njëqind ushtarë nesër nisen për në Slloveni, janë kërkuar mjete materiale dhe teknike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë