Ndikimi i traumave gjatë fëmijërisë në jetën e individit

    Zana Miftari Reka – Psikologe

    Periudha e fëmijërisë konsiderohet si një nga periudhat më të lumtura të jetës. Në thelb, të gjitha kujtimet në fëmijëri shtrihen përmes vizionit të një ndjenje të bukur dhe të këndshme. Megjithatë, përvojat e fituara gjatë kësaj periudhe shpesh lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e mëtejshme të një individi. Duke marrë parasysh se jo për të gjithë kjo periudhë zhvillimore është e këndshme dhe gazmore, përvojat formojnë një qëndrim pozitiv apo traumatik ndaj një ndodhie të caktuar.

    Fëmijëria dhe adoleshenca kanë një ndikim shumë të rëndësishëm në zhvillimin e përgjithshëm të një individi në të ardhmen. Çdo ngjarje traumatike gjatë kësaj periudhe mund të rezultoje me ndryshime negative në zhvillim dhe të len pasoja afatgjate në aspekte të ndryshme të funksionimit në moshën madhore.

    Thelbi i traumës psikologjike është konflikti që paraqitet tek individi, nga njëra anë për shkak të dëshirës për të shtypur ngjarjen traumatike në pavetëdije dhe nga ana tjetër për shkak të nevojës për tu shprehur në lidhje me të njejtën ngjarje. Pra tek personi i cili është nën ndikim e ngjarjes traumatike paraqitet konflikit i refuzimit/tërhekjes së dyfisht. Megjithatë, sado e fortë të jetë dëshira për të fshehur dhe për të shtypur traumën, ajo gjithmonë gjen një rrugëdalje drejt sipërfaqes. Kur bëhet fjalë për traumat psikologjike, ato zakonisht janë aq të forta sa që  njerëzit që i kanë përjetuar e kanë të vështirë të flasin për to. Informacion zakonisht merren nga sjellja, mendimet dhe emocionet që personat në fjalë manifestojnë dhe shprehin.

    Fëmijët që kanë përjetuar ose janë duke përjetuar një përvojë traumatike shpesh nuk flasin për incidente për një sërë arsyesh, duke përfshirë: frika, ndjenja e stigmatizimit, turpi ose faji për ngjarjen, frika nga autori i dhunës ose frika se dhunuesi do të të jetë në vështirësi. Disa fëmijë (dhe disa shkelës) mund të mos e kuptojnë se ajo që u ndodhi atyre ishte e gabuar, ose ata mund të mos i etiketojnë incidentet si abuzim ose viktimizim. Për shembull, një fëmijë mund të mendojë se “dajaku” nga një prind për sjellje të pahijshme është e përshtatshme, edhe pse ai ishte i frikësuar dhe i dëmtuar gjatë përvojës.

    Ekzistojnë disa lloje të traumave, dhe atë tip I dhe tipi II. Tipi I i traumave janë ngjarjet traumatike të vetme, sikur ngjarje traumatike të paparashikueshme, tronditëse dhe intensive dhe shpesh rezultojnë me simptoma të ngjajshme me Çrregullimin e Stresit Postraumatik (PTSD). Ndërsa trauma e tipit II është zakonisht ngjarje traumatike e zgjatur, e përsëritur, e papritur, dhe mund të shoqërohen nga një sërë simptomash, duke përfshirë mohimin, shkëputjen, zemërimin, sjelljen vetëshkatërruese dhe trishtimin e vazhdueshëm. Trauma e tipit II quhet edhe trauma komplekse dhe përkufizohet me përsëritje të shumta, kohëzgjatje kronike dhe të dëmshme, të cilat mund të rezultojnë me efekte negative edhe në funksionimin kognitiv të individit.

    Vetëm disa ngjarje traumatike më të zakonshme në fëmijëri dhe adoleshencës

    Disa përvoja gjatë rritjes dhe zhvillimit për fëmijët dhe adoleshentët mund të jenë traumatike dhe të çojnë në vështirësi psikologjike, sociale, fizike dhe njohëse. Është e rëndësishme të theksohet se deri sa këto përvoja mund të jenë traumatike për fëmijët dhe adoleshentët, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që çdo fëmijë i ekspozuar ndaj tyre do të tregojë shenja të përshtatjes së dobët pasi t’i përjetojë ato. Disa fëmijë dhe adoleshentë mund të vazhdojnë të funksionojnë me sukses pa ose me mbështetjen e familjes ose me mbështetjen e njerëzve të tjerë të afërt. Më poshtë do të cekim vetë disa situata të cilat paraqasin përvoj traumatike

    • Divorcet me konflikte mes prindërve

    Ajo që është karakteristikë e këtyre divorceve është se partnerët nuk janë në gjendje të lënë mënjanë problemet dhe të fokusohen për të qenë prindër të mirë, por në këtë rast fëmija dhe nevojat e tij neglizhohen. Por duhet pasur parasysh se fakti që dikush ka qenë bashkëshort i keq nuk nënkupton domosdoshmërisht se ai është edhe prind i keq.

    Reagimet emocionale të fëmijëve që ndodhin kur kuptojnë se prindërit e tyre janë në proces të divorcit shprehen përmes  frikës nga largimi dhe separacioni nga njëri prindër, shqetësimet për prindërit, ndjenjat e trishtimit dhe melankolisë, izolimit social, zemërimit, agresivitetit dhe autoagresivitetit.

    • Abuzimi fizik

    Prindërit të cilët ushtrojnë abuzim fizik ndaj fëmijëve të tyre shpesh arsyetohen që në këtë mënyrë duan t’u mësojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe dhe e konsiderojnë atë si një metodë edukative. Në fakt, prindërit i rrahin fëmijët e tyre kur ata vetë janë të inatosur dhe në këtë mënyrë përpiqen të largojnë zemërimin e tyre. Megjithatë,  me këtë sjellje u dërgojnë një mesazh fëmijëve se kjo mënyrë e “edukimit”  është e pranueshme si raport mes fëmijës dhe prindërit.

    Fëmijët e abuzuar fizikisht janë në rrezik nga problemet e mëvonshme të sjelljeve ndërpersonale që përfshijnë sjellje agresive dhe adoleshentët janë në një rrezik shumë më të lartë nga çrregullimet e përdorimit të substancave narkotike apo alkoolizmi. Përveç kësaj, simptomat e depresionit, shqetësimi emocional dhe idetë për vetëvrasje janë gjithashtu tipare të zakonshme të njerëzve që abuzohen fizikisht. Rreth një e treta e fëmijëve që përjetojnë abuzim fizik janë në rrezik të bëhen abuzues si të rritur

    • Abuzimi psikologjik

    Abuzimi psikologjik i referohet sjelljes destruktive të të rriturve ndaj fëmijës, e cila përfshin praninë e sjelljes armiqësore dhe mungesën e qasjeve pozitive. Ky lloj abuzimi shpesh konsiderohet më pak serioz se format e tjera sepse nuk ka pasoja të menjëhershme fizike. Por me kalimin e kohës, abuzimi psikologjik mund të ketë pasoja serioze afatgjata për shëndetin dhe zhvillimin social, emocional dhe fizik të fëmijës.

    Format më të zakonshme të abuzimit psikologjik janë: refuzimi i nevojave të fëmijës, terrorizimi ose trajtimi i një fëmije me sulme verbale të vazhdueshme që krijojnë një klimë frike, tensioni dhe pasigurie, injorimi dhe degradimi i fëmijës, që përfshin mungesën e stimujve pozitivë, manipulimi i fëmijës me qëllim plotësimin e disa nevojave personale që nuk janë në përputhje me ato të fëmijës, izolimi, sarkazma e vazhdueshme, poshtërimi (turpi), mbështetja e sjelljes së papërshtatshme të fëmijës, sulmet verbale, presioni mbi fëmijën që të rritet më shpejt si rezultat i nevojave prindërore, të cilat fëmija nuk mund t’i plotësojë për shkak të fazës së zhvillimit të tij psikobiologjik.

    Pasojat e abuzimit psikologjik/emocional të fëmijës mund të jenë shkatërruese dhe afatgjate dhe përfshijnë rrezik nga depresioni gjatë gjithë jetës, ankthi, vetëvlerësimi i ulët, marrëdhënieve të papërshtatshme ose problematike, ose mungesës së ndjeshmërisë. Fëmijët që dhunohen emocionalisht mund të shfaqin më shpesh sjellje delikuente si vjedhja, bullizmi dhe ikja nga shtëpia ose shkolla. Abuzimi emocional mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të problemeve të shëndetit mendor, çrregullimeve në të ngrënit ose mund të çojë në vetëdëmtim dhe vetëtorturim.

    Nëse nuk marrin dashurinë dhe kujdesin që kanë nevojë nga prindërit e tyre, fëmijët do ta kenë të vështirë të zhvillojnë dhe mbajnë marrëdhënie të shëndetshme me njerëzit e tjerë më vonë në jetë.Të rriturit që janë abuzuar emocionalisht si fëmijë kanë kënaqësi më të ulët nga jeta dhe nivele më të larta të depresionit dhe problemeve shëndetësore.

    Përvojat traumatike janë pjesë e pandarë e jetës. Pra çdo person, si gjatë periudhës së fëmijërisë, por edhe gjatë periudhave tjera zhvillimore, së paku një herë do të ballafaqohet me përvojë e cila MUND të transformohet në atë truamtike. Themi “MUND” nga që jo çdo indvid në të njëjtën mënyrë e pranon përvojën që e godet. Mënyra e ballafaqimit me situatën e papëlqyeshme ka shumë të bën me mekanizmat mbrojtëse dhe stilet e jetës që një person i posedon. Mendimet dhe besimet e individitit e mbajnë personalitetin tonë të qëndrueshëm dhe drejton sjelljen tonë. Nëse keni përjetuar trauma si fëmijë, kjo nuk do të thotë që duhet të mbeteni viktimë e po asaj përvoje gjatë gjithë jetës. Edhe në rrethanat kur mendoni se nuk keni zgjidhje, gjithmonë ekziston një zgjedhje, duke filluar nga fakti që nuk jeni më fëmijë dhe se jeni më të aftë të ndryshoni situatën tuaj dhe të mbani kontrollin mbi jetën tuaj.

    Kur ju referohemi fëmijëve dhe zhvillimit të tyre është i nevojshëm jo vetëm edukimi i prindërve, por edhe i stafit pedagogjik dhe personave të tjerë të rëndësishëm në jetën e fëmijës që ata të reagojnë në mënyrën më funksionale dhe konstruktive. Përfshirja në kohë dhe adekuate e këtyre personave të rëndësishëm për fëmijën është me të vërtet e paçmueshme dhe jashtëzakonisht e dobishme si gjatë prëvojës e cila mund të jetë traumatike, por edhe pas saj.

    Mbani në mend se traumat e fëmijërisë, pikërisht për shkak të ashpërsisë së situatës dhe kalimit të kohës, janë një lloj problemi që mund të mos jeni në gjendje t’i përballoni vetë. Prandaj, nëse trauma është shumë e dhimbshme dhe mendoni se nuk jeni gati të kaloni vetë një formë të procesit terapeutik, kërkoni këshilla profesionale nga ekspertët e shëndetit mendor që do t’ju ndihmojnë më së miri të përballeni me traumën. Procesi do të jetë afatgjatë, por përfshirja juaj në të, vullneti dhe përpjekja për të përparuar do ta përshpejtojnë atë dhe do t’ju ndihmojnë të përmirësoni cilësinë e jetës suaj.

    Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Arsovska: Qëndroj pas të gjitha fjalëve që i thashë për Mickoskin

    Lajmi i rradhës

    Priten ndryshime të motit gjatë fundjavës në vend

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë