Dorëzohen kapitenët e Kombëtareve europiane para FIFA, nuk do ta bartin shiritin me ngjyrat e ylberit

    Kapitenët e Anglisë, Uellsit, Belgjikës, Danimarkës, Francës, Gjermanisë dhe Holandës ishin të vendosur ta mbanin shiritin ‘One Love’ për të drejtat e komunitetit LGBTQ+.

    Edhe pse insistuan ata për ta mbajtur shiritin me ngjyrat e ylberit në krah, një gjë e tillë nuk do t’iu lejohet, pasi FIFA i paralajmëroi se do të ndëshkohen me kartonë të verdhë para se të nisë ndeshja.

    Federatat e këtyre shteteve treguan gatishmërinë për të paguar një gjobë nëse do ta mbanin shiritin, por pasi u bë e qartë se kapitenët e tyre do të sanksionoheshin, ata duhej të ndryshonin planet.

    “FIFA ka qenë shumë e qartë se do të vendosë sanksione sportive nëse kapitenët tanë mbajnë shiritat në fushën e lojës”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga Kombëtaret në fjalë, përcjell Telegrafi.

    “Si federata kombëtare, ne nuk mund t’i vendosim lojtarët tanë në një pozicion ku ata mund të përballen me sanksione sportive, duke përfshirë kartonët e verdhë, kështu që ne i kemi kërkuar kapitenëve që të mos përpiqen të mbajnë shiritat në ndeshjet e Kupës së Botës”.

    “Ne ishim të përgatitur të paguanim gjoba që normalisht do të zbatoheshin për shkeljet e rregulloreve të fanellave dhe kishim një përkushtim të fortë për të mbajtur shiritin në krah. Megjithatë, ne nuk mund t’i vendosim lojtarët tanë në situatën ku ata mund të ndëshkoheshin apo edhe të detyroheshin të largoheshin nga fusha e lojës”.

    “Ne jemi shumë të frustruar nga vendimi i FIFA-s, i cili besojmë se është i paprecedentë. I kemi shkruar FIFA-s në shtator duke i informuar për dëshirën tonë për të mbajtur shiritin ‘OneLove’ për të mbështetur aktivisht përfshirjen në futboll dhe nuk patëm përgjigje. Lojtarët dhe trajnerët tanë janë të zhgënjyer, ata janë mbështetës të fortë të përfshirjes dhe do të tregojnë mbështetje në mënyra të tjera”, thuhej në deklaratën e përbashkët të federatave në fjalë.

    FIFA njoftoi para fillimit të Kupës së Botës se do të ketë shtatë shirita të ndryshëm në dispozicion për çdo raund të garës, secila me slogane të ndryshme të mesazheve sociale.

    Por menjëherë pasi shtatë kombet njoftuan se nuk do të mbanin shiritin “OneLove” të hënën, FIFA njoftoi se do ta vërë në dispozicion shiritin ‘Pa diskriminim’, gjatë gjithë turneut, kur më parë ishte caktuar të vihej në fazën çerekfinale.

    Lajmi Paraprak

    Vuçiq: A jam homoseksual që nuk i kam vendosur sanksione Rusisë dhe që nuk e kam njohur Kosovën? Jam!

    Lajmi i rradhës

    A jeni gati për ta gjetur gjilpërën në një mullar kashte në më pak se nëntë sekonda?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë