KF Shkëndija reagon ndaj referimit në tre xhirot e para të Ligës së Parë Futbollistike

    Klubi i futbollit Shkëndija reagon ndaj referimit katastrofal në tre xhirot e para të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Konsiderojmë se në këto tre ndeshje jemi të dëmtuar nga gabimet e arbitrave, si dhe nga zvarritja e lojës dhe shtrirja e vazhdueshme në terren, njofton Nistori.

    Duke mos u përpjekur që të gjejmë alibi për rezultatet jo të kënaqshme, e kemi patjetër të potencojmë se gabimet katastrofale të arbitrave kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në rezultatin final. Arbitrat poashtu kanë mbajtur kriteriume të ndryshme dhe standarde të dyfishta gjatë ndarjes së drejtësisë, si dhe gjatë gjithë ndeshjes nuk kanë ndërmarrë asgjë për të ndaluar zvarritjen e vazhdueshme të lojës, shtrirjes në terren pas çdo kontakti minimal, si dhe shumë pengesave tjera të cilat arbitrat nuk i kanë sanksionuar.

    Zvarritja e lojës dhe shtrirja e lojtarëve kundërshtarë në terren ka qenë shumë e theksuar në ndeshjen si mysafir kundër Tikveshit, ku në vend të 90 minutave, futboll është luajtur vetëm 60 minuta. Lojtarët kundërshtarë janë shtrirë në terren pas çdo kontakti minimal, por arbitri nuk ka ndërmarrë asgjë për të penguar zvarritjen e lojës. Në ndeshjen kundër Tikveshit, në minutën e 77-të, Shkëndija avancoi me rezultatin 0:1 pas një autogoli të lojtarëve të Tikveshit, por arbitri anësor e anuloi golin për shkak të pozitës jashtë loje, edhe pse bëhej fjalë për autogol. Vlen të theksohet se arbitri kryesor në fillim e pranoi golin, por vetëm ai e din se pse më pas vendosi të anulojë të njëjtin.

    Në ndeshjen kundër Renovës në Tetovë, gjatë golit të dytë të Renovës, në minutën e 48-të lojtari kundërshtar shkakton ndërhyrje të palejueshme duke ngritur këmbën mbi kokën e Dashmir Elezit, arbitri lejon vazhdimin e lojës dhe në po të njëjtin aksion Renova shënon gol. Me këtë rast potencojmë se gabimi i arbitrit ka ndikuar drejtpërsëdrejti në epilogun e ndeshjes.

    Zvarritja e lojës ka qenë evidente edhe në ndeshjen kundër Renovës në Tetovë, ku poashtu konsiderojmë se futbolli nuk u luajt 90 minuta. Lojtarët kundërshtarë vazhdimisht shtriheshin në terren, e arbitri Jovan Kaçevski nuk e pa të udhës që të ndërmerr masa kundër zvarritjes së lojës.

    Po i njëjti arbitër Jovan Kaçevski ka ndarë drejtësinë edhe në ndeshjen në Shtip kundër Bregallnicës. Luhej minuta e 31-të kur pas një asistimi të Timovskit, Valmir Nafiu u gjet në aksion para portierit kundërshtar, me rast 100 përqind për të shënuar gol. Paramendoni, portieri kundërshtar del nga 16-metërshi i tij dhe drejtpërdrejtë bën ndërhyrje të palejueshme ndaj Nafiut duke e mos e lejuar të shënojë gol. Dhe në habi edhe të publikut vendas, arbitri nuk e  ndëshkon me karton të kuq portierin kundërshtar, por i jep vetëm karton të verdhë. Është ky po i njëjti arbitër që në xhiron paraprake ndëshkoi pa asnjë arsye me karton të kuq ndihmës trajnerin e Shkëndijës. 

    Nëse arbitri konsideron se këto raste nuk ndëshkohen me karton të kuq, atëherë është dashur të lejojë të vazhdohet loja, e jo të referojë ndërhyrje të palejueshme. Andaj konsiderojmë se arbitri Kaçevski ka përdorur standarde të dyfishta gjatë arbitrimit. Pyesim arbitrin se a ka shikuar ndonjëherë ndonjë ndeshje futbolli të kampionateve më të forta evropiane, e të sheh se si vendos arbitri në këto raste?!

    Poashtu në ndeshjen kundër Bregallnicës, Bruno Dita në minutën e 36-të pas një solo aksioni është ndaluar nga mbrojtja kundërshtare brenda 16-metërshit, por arbitri nuk ka akorduar penalti. Ndërsa në dy raste ndaj Dorievit dhe Nafiut është shkaktuar ndërhyrje e palejueshme në fytyrë, por arbitri jo vetëm që nuk i ka sanksionuar me karton të verdhë, por nuk ka referuar as ndërhyrje të palejueshme.

    Shkëndija pret që në të ardhmen të mos përsëriten këto gabime dhe arbitrat të mos jenë aktorët kryesorë të epilogut të ndeshjes dhe të mos ndikojnë në rezultatin final. Krejt kjo me qëllim që të rritet cilësia e futbollit në vendin tonë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Pajtim Thaçi, bartës i listës së PDSH-së në Tetovë për zgjedhjet e ardhshme lokale

    Lajmi i rradhës

    Librat që duhet të lexoni gjatë kësaj kohe vere

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë