Probleme serioze për Ronaldon | Rangnick nuk ka mendim të mirë për të

    Ralf Rangnick e gjen veten në një udhëkryq dhe duhet të vendosë. Ai do të jetë trajner i Manchester United deri në fund të sezonit, më pas do të ketë një opsion edhe për dy vite si konsulent klubi. Megjithatë, Djajtë e Kuq aktualisht janë ndërtuar me vlera dhe ide shumë larg atyre të trajnerit gjerman.

    Një figurë mbi të gjitha: Cristiano Ronaldo. Strategu do të duhet të kuptojë nëse do të jetë më largpamës për të siguruar që klubi të përqafojë filozofinë e tij, ose përkundrazi, do të duhet ai që t’i afrohet qasjes së yjeve dhe të rishikojë idetë.

    Në vitin 2016, Rangnick, drejtor sportiv i RB Leipzig në atë kohë, iu përgjigj pyetjes se cilin do të kishte preferuar të blinte mes Messit dhe Ronaldos, duke thënë se “të dy janë shumë të vjetër”. Në atë kohë CR7 ishte vetëm 31 vjeç.

    Sot, Rangnick e gjen portugezin në Old Trafford në moshën 36-vjeçare. Jo vetëm kaq, sepse kur bëhet fjalë për CR7 duhet të ndërtosh të gjithë ekipin rreth tij. Për trajnerin, i cili është mësuar të punojë duke menduar gjithmonë planin afatgjatë, kjo qasje është jo saktësisht ideale.

    Në Leipzig, gjermani kishte vendosur një kufi kurioz në merkato: klubi nuk mund të blinte lojtarë mbi 24 vjeç. Rangnick, nga ana tjetër, erdhi në idenë e tij për lojën pas vitesh studimi. Në vitin 1991 mori pjesë në kampin stërvitor të Zeman (Foggia).

    “Ai bënte stërvitje rraskapitëse”, – kujton Rangnick. “Zeman më shpjegoi se për të luajtur futbollin e tij duhej të kishte ekipin më të mirë në kampionat. Kuptova se një presion i vogël nuk ishte i mjaftueshëm për lojën time. Të bësh pak presion është si t’i thuash një gruaje se është pak shtatzënë. Është e pamundur”.

    Pikërisht për këtë, gjermani ka qenë gjithmonë shumë i rreptë në pozicionet e veta. Në fillim të vitit 2020 ishte në bisedime me Milanin, teksa saktësoi se nuk do të kishte vend për Ibrahimovic në skuadër. Në fakt, sipas idesë së Rangnick, skuadrat ndërtohen me të rinj të etur për t’u zhvilluar profesionalisht.

    Paratë e paguara për lojtarët me përvojë shpenzohen, nuk investohen. Nëse prej vitesh merkatoja është e orientuar te të rinjtë, ambicia e përbashkët për rritje të talenteve vihet në pah. Duke marrë lojtarë që synojnë të rrëmbejnë një kontratë të fundit (të pasur), në dhomat e zhveshjes nuk ka nxitje për t’u rritur, por përhapet një ndjenjë vetëkënaqësie.

    Për të kuptuar se sa shpërblehen idetë e Rangnick, mjafton të mendoni se Austria e kaloi Rusinë në renditjen e UEFA-s. I vetmi klub austriak që fiton pikë në renditje është Salzburgu i tij. Në fakt, një qytet me 150.000 banorë ka tejkaluar një komb prej 145 milionë banorësh.

    Talentët e gjetur shpejt si Upamecano, Naby Keita apo Sabitzer, ai i vuri në duart e duhura për t’u zhvilluar. Gjermani fuqizoi klubin e kontrolluar nga Red Bull në çdo aspekt. Klubi ka gjeneruar shumë më tepër para se sa ka investuar. Në idenë e tij për futbollin, megjithatë, nuk ka lojtarë që janë centralizues.

    Lojtarë për të cilët të tjerët duhet të sakrifikojnë. Prioriteti duhet të jetë gjithmonë rritja e përbashkët, jo ekzaltimi i individit. Dhe pas sukseseve të arritura me Hoffenheim e Leipzig, të marra në ligat e vogla dhe të sjella në futbollin e madh, tani dëshiron të krahasojë idenë e tij për futbollin me realitetin e Premier League.

    Ai do të duhet ta bëjë Ronaldon pjesë të grupit, të kuptojë se do të ketë të njëjtën rëndësi si të gjithë lojtarët e tjerë. Një mundësi e artë për të treguar se sa i mirë është mentaliteti i tij. Natyrisht, gjermani rrezikon të përplaset me yjet dhe do të detyrohet të shkelë filozofinë e tij. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Prokurorët bullgarë: Përfaqësuesi i “Besa Trans” është i kapshëm për organet e hetuesisë

    Lajmi i rradhës

    Kurti: FSK është vazhdimësi e UÇK-së, ata janë ushtarët e një populli historik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë