Federata e Futbollit e Maqedonisë njoftoi se ka marrë informacione nga UEFA lidhur me disa ndeshje të dyshimta. Këto njoftime i referohen ndeshjeve të Ligës së Parë dhe Ligës së Dytë, si dhe një ndeshjeje testuese, përcjell Nistori.
“Lidhur me informacionin që është shfaqur në disa media për një hetim mbi manipulimin e ndeshjeve nga klubet vendase, dëshirojmë të informojmë se, në interes të transparencës së plotë dhe të një informimi objektiv për publikun, po publikojmë dokumentet e marra nga Departamenti i Integritetit i UEFA-s”, thuhet në deklaratë.
Njoftimet i referohen disa ndeshjeve nga kampionati vendas, si dhe ndeshjeve testuese, në të cilat janë vërejtur parregullsi lidhur me bastet.
Dokumentet e publikuara përmbajnë informacione të ndjeshme, të cilat janë të mbrojtura, kryesisht për të ruajtur integritetin e hetimit dhe në përputhje me udhëzimet e autoriteteve kompetente. Publikimi i këtyre pjesëve në këtë kohë mund të ndikojë negativisht në procedurat në vazhdim.
Federata e Futbollit e Maqedonisë po bashkëpunon në mënyrë aktive me Departamentin e Integritetit të UEFA-s dhe institucionet shtetërore për të sqaruar plotësisht akuzat dhe dyshimet.
“Është e rëndësishme të theksohet se FFM nuk është një organ hetimor, por vepron sipas informacionit të marrë, në koordinim me institucionet që kanë autoritet ligjor për veprime të mëtejshme”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të FFM-së.
UEFA ka tërhequr vëmendjen për ndeshjet: Bashkimi–Shkëndija (1:3), Struga–Bashkimi (6:0), si dhe ndeshjen e Ligës së Dytë midis Bashkimit dhe Vardar Negotino.
Dyshime ekzistojnë edhe për dy ndeshje në Ohër: Ohër–Teteks (4:3) dhe ndeshjen kontrolluese Ohër–Rabotniçki (2:8).






