MAHMUD EFENDI ASLLANI – NJË ÇEHRE QË TA PËRKUJTONTE KRIJUESIN

    Metin Izeti

    Tetova dhe trojet shqiptare më gjerë e humbën një shtyllë të rëndësishme dhe model shumë të veçantë të fetarisë dhe përkushtimit ndaj Krijuesit. Mahmud Efendi Asllani 6-7 dekada me punën dhe qëndrimin e tij ka qenë simbol i përpjekjes dhe flijimit për të mirën e shoqërisë me qëllim të afrimit me Krijuesin. Xhamia e Larme në shekullin e fundit, krahas dekorimit të veçantë pamor, me Mahmud Efendi Asllanin ka përfituar edhe një kolorit shumë të lezetshëm të shpirtërisë. Mahmud Efendi Asllani nuk ishte vetëm një hoxhë dhe mësues i hafizëve, por ai ishte njeri i mirë dhe i dashur për çdokend. Fizionomia e tij gjeneronte një dritë të tejdukshme shpirtërore e cila i mundësonte soditësit ta ndjejë shpirtin dhe zemrën e çiltër dhe të pastër të tij. Ai ishte me karakter të butë dhe ledhatues edhe atëherë kur përdorte metodat pak më të ashpra për t’i shtytur hafizlerët që ta mësojnë leksionin e asaj dite nga Kurani. I tërë personaliteti i tij ishte zhytur në thellësitë e detit të Kuranit dhe hapësirës së xhamisë dhe për te në jetë nuk ekzistonte asgjë tjetër përveç xhamisë dhe Kuranit. I them këta fjalë për të theksuar çështjen që duhet të mësohet nga jeta dhe vepra e Mahmud Efendiut. Ai ishte teolog, por asnjëherë nuk dilte në plan të parë me konceptin e dijes së tij teologjike dhe atë ta shfrytëzojë për ta ushqyer egon e tij, këtë na e mësonte edhe neve, që asnjëherë mos ta ushqejmë nefsin tonë me punën dhe përpjekjen, por përkundrazi puna dhe përpjekja duhet të shfrytëzohen për ta mposhtur nefsin dhe për ti shërbyer Krijuesit.

    Unë, në moshën dhjetë vjeçare, afërsiht në vitin 1980 kam vajtur për të filluar hifzin tek Hoxha i nderuar. Që nga ajo kohë kam pasur një dashuri të veçantë ndaj Hoxhës. Më vonë, kur më kisha doktoruar dhe isha profesor universitar, në vitin 2007, edhe njherë me tempo të sforcuar, afro dy vite kam qëndruar bashkë me Hoxhën, në periudhën kur djali im Muhammedi e bënte hafizllëkun pranë Hoxhës së nderuar. I përmenda këta dy periudha si etapa kohore kur kam pasur rastin që më shumë të qëndroj në afërsi të tij. Por kjo e dyta ka qenë periudha kur e kam përjetuar dritën e përkushtimit të tij. Në këtë periudhë 40 vjeçare kanë ndodhur shumë raste të vështira për Hoxhën. Ka pasur sfida shumë të rënda, që unë për hatër të Hoxhës, i cili nuk dëshironte që të flitet për njerëzit që kanë bërë probleme, nuk do t’i përmendi. Por, një pjesë e konsiderueshme e njerëzve, që tash i shoh edhe të krenohen me personalitetin e Hoxhës së nderuar, i kanë penguar dhe e kanë mërzitur shumë Hoxhën. Por, ec e shihe se çka bën Zoti, miqtë e vet, i lavdëron edhe me gjuhët e atyre që nuk mund ta paramendoni se mund të bëjnë një gjë të tillë.

    Helem nejse, lindja e tij në ahiret, tuboi një numër të madh të hoxhallarëve dhe besimtarëve nga mbarë trojet shqiptare, për t’u përshëndetur dhe për ta përjetuar për herë të fundit, fizikisht, afërsinë me këtë mik të Zotit. Përndryshe, si do ta sqaronim, praninë e të gjithë atij xhemaati, për një person që nuk ka qenë i pasur, nuk ka qenë në pozitë, nuk ka ndonjë karierë akademike?! Nuk mund ta sqarojmë me konceptin e prestigjeve lëndore. Pozicionimi i tij në afërsi të Krijuesit, ishte titulli më i lartë i Hoxhës tim të dashur, Mahmud Efendiut. Evliallëku i tij e bën të gjallë atë dhe asgjë tjetër.

    Hoxhë Mahmud Efendi Asllani gjatë tërë jetës së tij është angazhuar për t’ua mësuar fjalën e Allahut fëmijëve, madje një pjese prej tyre edhe t’ua mësojë përmendsh Kuranin. Kjo punë është shumë e vështirë. Ta mësosh përmendësh Kuranin është shumë më lehtë se sa t’ia mësosh dikuj përmendësh Kuranin. Hoxha efendiu është bërë hafiz bashkë me çdo hafiz që ka dalë nga rahlet e tij. Ai vinte në xhami para namazit të sabahut dhe largohej prej xhamie pas namazit të jacisë, dhe brenda kësaj kohe pandërpreë para Hoxhës kishte dikush që lexonte hapur ose përmendësh Kuranin. Këtë që e them unë këtu e dinë po aq sa unë, madje ndoshta edhe më tepër shokët e mi hafizlerë që kanë dalur nga kjo shkollë e bekuar e Kuranit. Pra, veçanërisht gjashtëdhjetë vitet e fundit të jetës së tij, ai është ndarë prej nxënësve të tij, ndoshta vetëm katër-pesë orë kur ka vajtur në shtëpi për të fjetur. Dhe si rrjedhojë e kësaj pune, krahas 200 hafizëve që e kanë përfunduar hafizllëkun te Mahmud efendiu, ka, më pak 50-60 mijë fëmijë të cilët e kanë mësuar Kuranin ta lexojnë me të gjitha rregullat, si një hafiz, pranë Hoxhës së nderuar. Tempoja e tillë nuk është ndalur edhe në çastet më të vështira, kur policia e ka ndjekur dhe e ka thirur në bisedë në polici, gjatë luftës, kur ka qenë vetë i sëmurë, kur i është sëmurë dikush nga familja,jo, asgjë nuk ka qenë pengesë që ai të vijë në xhami tek nxënësit e tij. Mësimi i Kuranit për te ka qenë prioritet numër një i jetës dhe gjallërisë së tij.

    Dashuria që Hoxha e kishte ndaj Kuranit ishte e pranishme edhe në fizionominë e tij. Fytyra e tij ndriçonte me një dritë të veçantë, me një nur të ashkut dhe miqësisë ndaj krijesave për hirë të Krijuesit. Ai nuk folte asnjëherë keq për dikë dhe as që dëshironte që në praninë e tij të folet për dikë tjetër. Ai, në rastet kur diçka nuk i pëlqente, duke mos përmendur emra dhe cilësuar të tjerët, vetëm tregonte se si duhet të bëhet ajo punë për të cilën bëhej fjalë. Veçanërisht kjo ndodhte kur biseda ishte në lidhje me mësimin e Kuranit. Hoxhës së nderuar nuk i pëlqente mënyra e të mësuarit të Kuranit pa rregullat e sakta të leximit dhe shpeshherë e theksonte këtë çështje por pa folur asgjë për askend. Në rastet kur ne dëshironim që të hapim ndonjë bisedë për dikë tjetër, në kontekst të kritikës, ai heshte, ose ngrihej që ta kontrollojë ndonjë prej nxënësve dhe, në një mënyrë, pa na e thyer zemrën na tregonte se nuk është dakord për një bisedë të tillë. Ai, na nderonte edhe neve pa masë. Mua shpeshherë më vinte turp kur ai ngrihej në këmbë për të na përshëndetur, kur shkonim në vizitë. Ishte modest, por hijerëndë. I donte ata që i kishte afër zemrës, ndërsa kishte respekt për të gjithë njerëzit.

    Hoxha Efendiu tipar kryesor e kishte heshtjen.  Heshtja e tij bëhet edhe më e rëndësishme kur shohim se teologjia moderne  është mbytur në zhurmë, në mori fjalësh dhe imazhesh. Teologjia, për fat të keq, e shurdhon thirrjen e heshtjes, krekoset para fjalimit të saj. Për teologjinë tonë, vetmia është sinonim i shkatërrimit, jo një kohë kur njeriu mund të takohet më intensivisht me veten. Vlera e heshtjes është e madhe, është e nevojshme si ajri, dielli dhe nxehtësia që na ngrohin. Mahmud efendiu kishte një heshtje të zemrës që lutet ose është në qetësi, këndon ose qan, ka frikë ose shpresë,  dhe pikërisht aty ai gjente një dritë që ndriçon, i kuptonte më mirë shumë gjëra, njerëz, ngjarje. Heshtja e tij ishte ilaçi më i mirë për imunitetin nga imazhet e zhurmshme dhe lloj-lloj mendimesh që na bombardojnë çdo ditë. Ai, ngjashëm si të parët e tij,  na bënte thirrje  “të lajmë shpirtin në heshtje”. Zoti është një mik i heshtjes dhe kjo është arsyeja pse etja për Zotin është më e fortë në heshtje. Në heshtje, zbulohet misteri, ndjehen afërsia dhe aroma e veçantë e Zotit.

    Ndonjëherë, e ndjeja në afërsi të tij,  vetëm një moment heshtjeje mjaftonte për të rizbuluar bukuritë e jetës. Sikur më thoshte, jeta lind në heshtje, njeriu vdes në heshtje, bukuria takohet në heshtje. Pa heshtje, jeta e njeriut është e pakonceptueshme: ajo inkurajon të menduarit, në të linden veprat më të mëdha të njerëzimit, zbulohen sekretet më të mëdha të natyrës.

    Prandaj, ai na mësonte se është e rëndësishme të duam heshtjen. Të heshtësh në vetvete është përulësi; të heshtësh para të tjerëve është një veprim respekti; të heshtësh në momente të rëndësishme – kjo është mençuria e jetës, të heshtësh edhe kur gjithçka shkon keq – kjo është durimi. Njeriu, nga njëra anë, shpëton nga heshtja, dhe nga ana tjetër, thellë, e dëshiron heshtjen. Heshtja është mësuesi i jetës, shija e thellësisë, paqes, gëzimit, qetësisë. Heshtja është vendi ku përjetimi shpirtëror vjen për të na takuar dhe ndonjëherë mënyra e vetme që mund ta kuptojmë Zotin. Asgjë e madhe dhe vendimtare në jetë nuk ndodh në zhurmë, por në heshtje dhe qetësi. Njohja e vërtetë vjen vetëm në heshtje, thotë Romano Guardini. Prandaj, për të qenë në gjendje të takohemi vërtet, të jemi në gjendje të ndiejmë afërsinë e Zotit, le të gjejmë kohë të heshtim. Hapi i parë që duhet të bëjmë është të neutralizojmë gjithë atë zhurmë të fortë që na rrethon çdo ditë. Le të mbajmë brenda vetes “manifestimin e të bukurës”  në të cilën do të jemi autentikë, të pandryshuar, të lirë, të pavarur, besoj se na këshillonte Hoxha im i dashur.

    Tek ai, ekuivalenti i zhurmës së jashtme ishte zhurma e brendshme e përjetimit. Ekuivalenti i heshtjes së jashtme ishte ligjërimi i brendshëm. Heshtja e tij rreth nesh, sikur na thoshte – dëgjoni. Kjo do të thotë – vini re . Kushtojini vëmendje çështjes. Dëgjimi i heshtjes së tij na zgjonte një dimension të qetësisë brenda nesh, sepse përmes heshtjes së tij bëheshim të vetëdishëm për vlerën e vërtetë. Kuptoni se në momentin që vini re heshtjen përreth jush, nuk po mendoni. Ju jeni të vetëdijshëm, jo ​​duke menduar. Kur bëheni të vetëdijshëm për heshtjen, menjëherë zgjohet një gjendje qetësie e brendshme. Bëhesh prezent. Me këtë ju jeni larguar nga mijëra vjet kondicionim kolektiv njerëzor. Shikoni pemën, lulen, barin. Lejoni që ata të përqafohen nga vetëdija juaj. Sa të qetë janë, sa të rrënjosur në Qenie. Lëreni natyrën t’ju mësojë qetësi. Kur shikoni një pemë dhe vëreni qetësinë e saj, ju vetë bëheni të qetë. Ju jeni të lidhur me të në një nivel shumë të thellë. Ju ndiheni unik me gjithçka që perceptoni në qetësi dhe me qetësi. Ndjenja e unitetit me të gjitha gjërat është dashuri e vërtetë. Edhe kur atmosfera  është e zhurmshme përreth jush, mund të jeni të vetëdijshëm për heshtjen që qëndron nën atë zhurmë, atë hapësirë ​​ku bëhet zhurma. Ajo është hapësirë ​​e brendshme e prezencës së pastër, e vetëdijes. Ju mund të bëheni të vetëdijshëm për praninë si bazë themelore e gjithë perceptimit tuaj shqisor dhe të gjithë mendimit tuaj. Kur të bëheni të vetëdijshëm për praninë, do të mbingarkoheni nga heshtja e brendshme. Çdo tingull irritues mund të jetë po aq i dobishëm sa heshtja. Si? Duke e lënë të kalojë gardhin tënd të brendshëm , duke e lejuar atë të bëhet ajo që është – që pranimi të shpie edhe në sferën e asaj paqeje të brendshme që është heshtja.

    Ai që nuk di të hesht, bën të njëjtën gjë me jetën e tij si dikush që do të donte thjesht të nxjerr ajrin, dhe mos ta thith atë. Mjafton vetëm ta imagjinojmë atë, për t’u frikësuar menjëherë. Ai që nuk hesht kurrë, njerëzishmëria e tij shpërbëhet. Unë thjesht, përpiqem ta  kthej në fjalë  hapësirën midis meje që e thotë atë dhe Hoxhën që me siguri më dëgjon. Duke bërë kështu, unë i jap dëgjuesit një pjesë nga ato që kam brenda. Por ka edhe përvoja që nuk  përkasin këtu…

    Për fat të keq ne jetojmë në një shoqëri hipnotike të spektaklit, dua të them verbëri shpirtërore dhe morale si pasojë e indoktrinimit global me vlera zëvendësuese në shoqërinë postmoderne. Të hipnotizuar nuk janë vetëm individë por edhe familje të tëra, ekranet e vogla të të cilëve janë zëvendësuar nga jeta shoqërore. Në komunitete të tilla të hipnotizuara, njerëzit jetojnë pranë njëri-tjetrit, por jo me njëri-tjetrin. Njerëzit e hipnotizuar janë të palëvizshëm nga shoqëria. Ata veprojnë si një “turmë e vetmuar” me strucat sociale të cilëve u mungon guximi, vendosmëria dhe forca e shpirtit. Njerëzit sot, nën ndikimin e kulturës moderne dhe mediave, janë bërë mërgimtarë, jo protagonistë të jetës së tyre. Ata e jetojnë jetën e tyre diku në gjysmë të rrugës midis botës reale dhe asaj virtuale, natyrore dhe dixhitale, në prag të humbjes plotësisht dhe jetës së njerëzve të tjerë. Jemi të mbingarkuar me informacione, reklama dhe mashtrime nga të gjitha palët. Informacioni i tepërt çon në një kulturë të harresës dhe një kult të sipërfaqësisë.

    Shoqëria e spektaklit bazohet në realitetin artificial, simulacrum. Spektakli bëhet forca kryesore shoqërore në riformatimin e vetëdijes së individit dhe shoqërisë. Media, veçanërisht rrjetet sociale, krijojnë hiper-realitet, duke zëvendësuar realitetin me shenja të realitetit, siç thekson filozofi francez Jean Baudrillard. Hiper-realiteti i sjellë nga revolucioni dixhital, sado tërheqës, nuk do të jetë në gjendje të plotësojë urinë parësore të njeriut për kuptim. Gjithnjë e më shumë qytetarë, politikanë dhe kompani po përdorin shërbimet e agjencive PR për të hekurosur imazhin dhe për të paraqitur më mirë shërbimet ose produktet e tyre. Ndërsa Hoxha Mahmud Efendiu na tregoi se si bëhet puna me shpirt dhe pa pasur nevojë për rrjete sociale dhe PR, e as për zhurmë.

    O Zot! Na bashko me Hoxhën tone të nderuar dhe me të mirët në këtë dhe botën tjetër. Amin!

    Lajmi Paraprak

    Partitë opozitare bllokuan taksën ekologjike mbi karburantet

    Lajmi i rradhës

    Antibiotiku natyral më i fuqishëm në botë, turmerik me mjaltë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë