Cili është trendi i importit të veturave nga Koreja e Jugut në Kosovë?

    Vlera e importit të veturave nga Koreja e Jugut është rritur drastikisht vitet e fundit në Kosovë. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vlera e importit të këtyre veturave në vitin 2023 ishte mbi 9 milionë euro ndërsa në vitin 2024 shifra ka arritur të 69 milionë euro.

    Bazuar në këto të dhëna në vitin 2021, vlera e importit të veturave nga Korea e Jugut në Kosovë ishte vetëm 46 mijë euro.

    “Edhe për ne kjo ka qenë diçka e re”, u shpreh drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, në emisionin “KallxoPërnime”.

    Vlera e importeve të veturave nga Koreja e Jugut

    Llugaliu tha se pas rritjes së trendit të importit të veturave nga Koreja e Jugut, kishin pasur ankesa nga qytetarët për katalogun i cili u përdor për zhdoganimin e tyre.

    Për shkak që veturat nga Koreja e Jugut thotë Llugaliu ishin identik me ato të Bashkimit Evropian u përdor ai katalog.

    “Kemi ardhë në përfundim që për shkak që kanë mbiprodhim me produktet vendore në Korenë e Jugut është një garë e industrisë së automjeteve që të kenë prezencën e tyre në Kore. Ndikon dhe standardi që ata janë të prirë që të kenë vetura të reja. Na u rritën ankesat shumë sepse ne përdorim një katalog që është shumë i saktë sa i përket vlerës së veturës në tregun gjerman. Veturat e përdorura janë problem dhe jo të rejat. Veturat nga Koreja janë të përdorura. E tek veturat e përdorura është shumë lehtë me u nënvlerësu me i ikë taksave, ne për këtë përdorim katalog. Për shkak që ky është produkt identik me produktin e BE ne kemi aplikuar njëtrajtshëm me katalogun e vendeve të BE-së. Vlera e tregut ka qenë si në BE”, tha ai.

    Llugaliu bëri të ditur se tash e një muaj kjo ka ndryshuar. Tashmë veturat që importohen nga Koreja do të zhdoganohen me një vlerë më të ulët.

    “Për shkak që ne e pamë që po rriten ankesat dhe patëm vendimin e Gjykatës Komerciale që ishte në favor të palëve. Dhe ne erdhëm në një vendim që veturat që vijnë nga Koreja, të përdorura janë bukur më lirë se tregu evropian, mesatarisht 25% për shkak të konkurrencës shumë të madhe. Vlerën e produktit e ulëm. Kjo ka ndodhë përafërsisht qe një muaj. Tash bazohemi në një mesatare. Në rastet kur ato e kanë vlerën reale që nuk e tejkalon këtë 25% nën katalog evropian, i pranohet vlera. Shumica janë ankuar, disa kanë fituar, disa jo”, tha Llugaliu.

    Vetëm nga muaji korrik deri në muajin gusht të vitit 2024, Dogana e Kosovës ka marrë 443 ankesa nga qytetarë të ndryshëm, për vlerësimet rreth veturave të importuara nga Koreja e Jugut.

    Sipas Doganës së Kosovës, vetëm përgjatë vitit 2024, në Kosovë janë importuar 5 mijë e 102 vetura nga Koreja e Jugut, me vlerë totale prej 69 milionë e 242 mijë eurove. Prej këtyre veturave të importuara, Dogana ka marrë 6 milionë e 806 mijë euro taksë doganore; 2 milionë e 849 mijë euro janë paguar akcizë dhe 14 milionë e 722 euro TVSH./Kallxo.com/

    Lajmi Paraprak

    Jeta e vështirë me autizmin – peripecitë e një familjeje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë