Projekti kapital për Shkupin, stacioni i pastrimit të ujërave të zeza në lumin Vardar me vlerë prej 200 milionë eurosh jo vetëm që nuk është gati, por nuk dihet as nëse ndërtimi ka filluar ndërtimi i tij. Procedura për stacionin e pastrimit filloi në dhjetor të vitit 2019 kur në krye të Qytetit të Shkupit ishte Petre Shilegov, ndërsa drejtor i “Ujësjellësit dhe Kanalizimeve” ishte Dusko Veskovski, shkruan Sdk.mk
Tenderi u shpall në qershor të vitit 2020 dhe atëkohë u tha se në vitin 2025 Shkupi do të bëhet me një stacion të ri për pastrimin e ujërave të zeza, me çka përgjithmonë do të zgjidhej problemi me ujërat e zeza nga të cilat më së shumti vuan lumi Vardar.
Një pjesë e parave, përkatësisht 136 milionë euro, janë kredi nga Banka Evropiane e Investimeve, ndërsa 70 milionë euro janë grant i pakthyeshëm nga Bashkimi Evropian. Por, me ardhjen e Danella Arsovskës në postin e kryetares të Qytetit të Shkupit projekti u ndërpre, për çka reaguan edhe bankat evropiane.
Stacioni i pastrimit nuk është përfunduar, ndërsa publiku nuk ka kurrfarë informacioni se deri ku ka arritur procedura. Në prill të vitit 2023, pas dy vitesh zvarritjeje nga ana e udhëheqësisë së Qytetit të Shkupit dhe NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime”, u nënshkrua kontrata me kompaninë gjermane “VTE Wassertechnik” dhe kompaninë vendase “Zhikoll”. Kjo u nënshkrua në fshehtësi. Edhe pse bëhet fjalë për një projekt kapital për qytetin me vlerë prej 200 milionë eurosh, as Arsovska dhe as drejtori i atëhershëm i “Ujësjellësit dhe Kanalizimeve”, Dragan Ilievski, nuk mbajtën konferencë për shtyp, e as nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve.
As dy vjet pas nënshkrimit të kontratës nuk ka asnjë informacion publik lidhur me këtë projekt. Qyteti i Shkupit dhe NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimet” nuk kanë dërguar asnjë njoftim për këtë projekt, Arsovska nuk ka bërë foto gjatë inspektimit të punimeve ndërtimore dhe nuk ka publikuar asnjë informacion në profilin e saj në Facebook.
SDK dërgoi pyetje pranë kabinetit të kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, lidhur me progresin e këtij projekti kapital, për atë se çfarë është bërë deri më tani dhe çfarë po punohet aktualisht. Por, ashtu si edhe gjatë të gjithë mandatit të Arsovskës, nuk morën asnjë përgjigje në pyetjet e parashtruara. Drejtori i “Ujësjellësi dhe Kanalizime”, Toni Minovski, i cili u emërua në këtë post në prill të vitit të kaluar, nuk iu përgjigj as telefonatave të redaksisë së SDK. Ai është drejtori i katërt i kësaj ndërmarrjeje publike gjatë mandatit të Arsovskës.
Stacioni i pastrimit të ujërave të zeza do të shtrihet në një sipërfaqe prej 13 hektarësh në Komunën e Gazi Babës në bregun e majtë të lumit Vardar në zonën e Trubarevës. Pasi të jetë vënë në funksion ai do mund ta trajtojë dhe pastrojë në mënyrë të sigurt ujin për 540.000 banorë. Uji i trajtuar do të jetë i cilësisë më të lartë në përputhje me standardet evropiane. Do të reduktohen edhe rrjedhjet, kështu që do mund të përdoret 70% e ujit të përdorur, gjë që është qenësore në këtë kohë të ndryshimeve klimatike dhe rritjes së popullatës urbane. Kjo gjithashtu do të mundësojë që uji i lumit Vardar të jetë më pak i ndotur.