Rreth 20 mijë persona do të mbulohen nga ligji i ri për punësim sezonal. Deputeti i VMRO-së Bojan Stojanovski thotë se ligji pritet të zgjidh një pjesë të madhe të ekonomisë gri. Stojanovski thotë se ligji do t’u sjellë dobi si punëtorëve dhe punëdhënësve, ashtu edhe shtetit përmes arkëtimit të kontributeve dhe taksave.
“Përllogaritjet dhe supozimet tona janë se afërsisht 20 mijë persona do të bien nën atë sistem rregullimi dhe me këtë do të përfitonte si punëdhënësit, ashtu edhe punëtorët dhe shteti përmes arkëtimit të taksave. Kjo është e rëndësishme sepse me ndihmën e këtyre njerëzve që janë me ne sot, po zgjidhim problem që ka qenë i pranishëm në shoqërinë maqedonase për 34 vjet dhe thjesht do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me ta për të zgjidhur probleme të tjera thelbësore që janë të rëndësishme për qytetarët”, tha Bojan Stojanovski – deputet VMRO – DPMNE.
David Oberhuber i Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, e cila dhuron fonde për të zhvilluar sistemin e regjistrimit të punëtorëve sezonalë, thotë se ky ligj mund ta zvogëlojë ndjeshëm punën joformale dhe t’i rrisë të ardhurat shtetërore.
“Kjo reformë u shërben të gjithëve. Punëtorët fitojnë të drejta dhe mbrojtje, punëdhënësit përfitojnë nga një mënyrë më e lehtë dhe ligjore për të përmbushur kërkesat e punës dhe shteti sheh rritje të të ardhurave publike. E gjitha kjo përmes një procesi më të thjeshtë dhe më transparent”, u shpreh David Oberhuber – Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar.
Marija Risteska nga Qendra për Kërkime dhe Krijim Politikash thotë se me këtë ligj, punëdhënësit do të jenë në gjendje të regjistrojnë punëtorët kudo me aplikacion të lehtë për t’u përdorur.
“Do të kemi aplikacion online të lehtë për t’u përdorur për regjistrim dhe ç’regjistrim nga fusha, nga shtëpia juaj, nga vendi juaj i punës, kafene në plazh, shkollë skijimi e kështu me radhë, në mënyrë që shpresojmë të ofrojmë fleksibilitetin e nevojshëm për regjistrimin dhe ç’regjistrimin nga puna e përkohshme dhe sezonale”, theksoi Marija Risteska – Qendra për Kërkime dhe Krijim Politikash.
Ligji do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2026 dhe do t’u lejojë të gjithë personave të punësuar ose të papunë, studentëve dhe pensionistëve të punojnë punë sezonale pa humbur të ardhurat e tyre. /Alsat/