Në shkollën fillore “Nikolla Karev” të fshatit Nerovë të Komunës së Krushevës ka nisur java e dytë e bojkotit të mësimit. Me vendim të prindërve fëmijët do të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi për shkak të kushteve të mjerueshme për mësim. Prindërit edhe më tej mbeten në qëndrimin se nuk do të lejojnë fëmijët në shkollë derisa institucionet përkatëse të lejojnë realizimin e punimeve ndërtimore dhe të legalizojnë objektin e ri shkollor që po ndërtohet nga vet banorët e fshatit.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska pranoi se për këtë problematikë është informuar nga mediat ndërkohë kujtoi prindërit se nuk guxojnë të veprojnë kokë më vete kur bëhe fjalë për institucion shkollor. Ministrja Janevska tha se përgjegjësi duhet të bart edhe kreu i Komunës së Krushevës, I cili ka deklaruar se nuk ka njohuri se kush qëndron mbrapa ndërtimit të këtij objekti shkollor.
Kryetari I Krushevës Toni Hristoski tha për Alsat se do të shqyrtohet çdo mundësi që objekti i ri shkollor mos të rrënohet por të vihet në shërbim të nxënësve dhe stafit mësimor. Hristoski, kujton se gjeneza e mos legalizimit të objektit të ri shkollor që tashmë është në ndërtim por edhe atij të vjetër daton shumë vite më parë, pas ndarjes territorial të vitit 1996. Që nga e hëna, banorët e fshatit Nerovë protestojnë para objektit shkollor, pasi policia ka ndaluar punimet ndërtimore në objekt dhe sipas banorëve, po shqyrtohet vendimi për rrënimin e objektit për shkak të mospasjes së lejes për ndërtim nga institucionet. Sipas kryetarit të Komunës së Krushevës, Tome Hristoski, rreth 90% e objekteve në fshatrat e kësaj komune janë pa plan urbanistik, përfshirë edhe objektin e vjetër shkollor ku nxënësit aktualisht ndjekin mësimin.
Banorët e fshatit Nerovë filluan me bojkotin javën e kaluar pasi policia ndaloi punimet ndërtimore në objekt dhe po shqyrtohet vendimi për rrënimin e objektit për shkak të mospasjes së lejes për ndërtim nga institucionet. /Alsat/