Lulëzon ‘biznesi’ i gatimeve me porosi në Dibër

    Nga dita në ditë rriten kërkesat e dibranëve për gatime, sidomos ato tradicionale. Por për përgatitjen e këtyre ushqimeve kërkohet kohë dhe mjeshtëri. Shumë gra janë të angazhuara me punë, ndërsa të tjera kanë obligime familjare, prandaj edhe për ceremoni të vogla familjare porosisin kifle për çaj, petulla, ëmbëlsira të ndryshme etj.

    Vitet e fundit, mërgimtarët tanë, kur vijnë në vendlindje, preferojnë ushqime tradicionale, veçanërisht petë misri, fli, gurabija, sheqerpare e të tjera, të cilat i porosisin tek amviset që merren me përgatitjen e tyre. Këto kërkesa të shumta kanë ngjallur interes te disa gra që janë të afta dhe të vyeshme në këtë profesion. Ky angazhim ndikon pozitivisht jo vetëm në përmirësimin e situatës ekonomike të familjeve të tyre, por edhe në krijimin e punës së qëndrueshme për këto amvise.

    Kërkesat e shtuara, sidomos në dekadën e fundit, kanë “detyruar” disa amvise dibrane, të njohura për mjeshtërinë e tyre në kuzhinë, të fillojnë të përgatisin për shitje bakllava tradicionale, petë misri, sheqerpare dhe – një risi për këtë vit – edhe kifle. Deri vonë, bakllavaja, një nga ëmbëlsirat më të përfaqësueshme të ceremonive dasmore, blihej kryesisht nëpër ëmbëltore të qytetit. Mirëpo kohët e fundit, konkurrencë serioze për ëmbëltoret janë bërë vetë amviset dibrane, të cilat dinë të përgatisin shumë gatime të shijshme, veçanërisht ëmbëlsira.

    Aktualisht, janë rreth 20 gra që punojnë intensivisht në përgatitjen e bakllavasë dhe ëmbëlsirave të tjera, si sheqerparja. V. SH., një amvise dibrane, tregon se tash e pesë vjet merret me përgatitjen e ëmbëlsirave për shitje. Ajo është 52 vjeç dhe shprehet shumë e kënaqur me përfitimet financiare që sjell ky aktivitet.

    “Bakllavaja dibrane ka karakteristikat e veta, ndonëse është një ëmbëlsirë orientale. Sekretet i kam mësuar nga nëna ime, e ndjerë. Porositë janë të shumta, sidomos për dasma, gëzime familjare dhe festat e Bajramit. Më ndihmon edhe vajza ime,” thotë ajo.

    Sipas saj, këtë muaj ka mbi 40 porosi për dasma dhe ceremoni të tjera familjare. Një bakllava, me material të siguruar nga vetë ajo, kushton 120 euro. Por, siç thekson, përgjegjësia është e madhe: “Bakllavasë duhet t’i ‘godasësh’ edhe sherbetin, që të jetë me cilësi të lartë.” Edhe amviset e tjera i ofrojnë bakllavat e tyre me çmime që variojnë nga 120 deri në 140 euro.

    Përveç bakllavave, këto gra shembullore kontribuojnë në rritjen e standardit të familjeve të tyre edhe me produkte të tjera. Ato përgatisin torta, sheqerpare, kabuni dibran etj. Një risi është përgatitja e kifleve dhe petullave, të cilat gjithashtu kanë hyrë fuqishëm në treg. Në Dibër, gjatë dasmave përdoren edhe petullat, ndërsa kërkesat për to janë gjithnjë në rritje.

    “Kohëve të fundit në Dibër është bërë modë që dibranët, gjatë fundjavave, të hanë mëngjes me petulla”, thonë bashkëbisedueset tona.

    “Në restorantet e Dibrës shumë njerëz porosisin petulla për mëngjes, prandaj edhe kërkesat nga restorantet ndaj nesh janë të mëdha,” – thotë një prej amviseve që përgatit edhe këtë produkt.

    Puna e këtyre grave është kthyer në një biznes të mirëfilltë që ndikon dukshëm në rritjen e standardit jetësor të familjeve. Kiflet, ndërkohë, janë bërë pjesë e zakonshme e pasditeve ku gratë mblidhen për çaj dhe kafe. Për herë të parë në Dibër është hapur edhe një lokal i dedikuar vetëm për gra, ku ato shërbejnë dhe kalojnë çaste të këndshme. Çaji i shoqëruar me kifle të përgatitura nga vetë gratë është bërë pjesë e përditshme e këtij lokali, ku rezervimet janë të shumta. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Nga mashtrues në rrugë, në mashtrues me celularë

    Lajmi i rradhës

    Arsovska e riktheu në Shkup përmendoren kundërthënëse të Qoses

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë