“Koha për rishikim të Badenterit” – deklarata e Filkovit ndez reagime politike

    Ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Igor Filkov, ka deklaruar se ndoshta ka ardhur koha për të rishikuar mekanizmin e shumicës së Badenterit, duke theksuar se vendi duhet të ecë përpara.

    Në një intervistë për të përjavshmen “Focus”, e zhvilluar para votimit të fundit në Kuvend mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Filkov u shpreh:

    “Shpresoj që deri në kohën kur të publikohet kjo intervistë, Kuvendi do ta ketë përfunduar tashmë punën e tij të brendshme dhe nuk do të lejojë që të krijohet një boshllëk ligjor. Por nëse kjo nuk ndodh, atëherë po abuzohet përdorimi i shumicës Badenterit. Nëse po, atëherë ndoshta është koha të mendohet për nevojën e rishikimit të saj. Maqedonia duhet të ecë përpara.”

    Ministri nuk sqaroi se në ç’drejtim do të mund të shkonte një ndryshim i tillë.

    Deklarata e tij ngjalli reagime të forta nga opozita shqiptare. Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, e cilësoi këtë qëndrim si kërcënim ndaj përfaqësimit të komunitetit shqiptar.

    “Deklarata e ministrit është e papranueshme dhe përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për të drejtat dhe përfaqësimin e shqiptarëve. Pas heqjes së Balancuesit, tani kërkohet edhe heqja e Badenterit, duke vënë në rrezik barazinë etnike dhe parimet demokratike,” thuhet në reagimin e ASh.

    Kjo parti akuzoi edhe koalicionin qeverisës VLEN se po mbështet, me heshtje ose pranueshmëri, nisma që dëmtojnë shqiptarët.

    “VLEN vazhdon të jetë mbështetës i çdo nisme antishqiptare të qeverisë jolegjitime. Me heshtjen dhe pranimin e veprimeve të tilla, VLEN po rrezikon interesat dhe të drejtat e shqiptarëve, duke e legjitimuar politikën diskriminuese të këtij pushteti,” shtuan nga ASh, duke kërkuar ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

    Në debat reagoi edhe Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së dhe kandidat për kryetar të Çairit, i cili përmes një postimi në Facebook paralajmëroi se ky diskutim është pjesë e një plani më të gjerë:

    “Kjo konfirmon se plani për shpërbërjen e Marrëveshjes së Ohrit po zbatohet hap pas hapi,” shkroi Osmani.

    Lajmi Paraprak

    Gjermania dhe problemi i saj me “vendet e sigurta”

    Lajmi i rradhës

    Padi penale ndaj ish-drejtorëve Abazi dhe Stefanovi për parregullsitë në postën e RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë