Zufer Bajrami
Shkenca politike – Marrëdhënie ndërkombëtare
Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë në atë derexhe, saqë çdokush që ka dy fije mend nuk i merr më seriozisht. Janë shumë fluide në parime, qëndrime e angazhim dhe rrjedhimisht, ka shumë zhurmë e shumë pak ose aspak politika. Mos të flasim për ndonjë profilizim ideologjik të dukshëm e të interpretueshëm. Veprimi apo mosveprimi i partive shqiptare në MV duket kryesisht si reaksion ndaj rrethanave dhe kontekstit. Mungon një strategji koherente që do të ndërtonte një mozaik të kuptueshëm në funksion të kolektives.
Këto, ndër të tjera, janë disa nga faktorët kryesorë që më frenojnë mua, por edhe shumë të tjerë, në mbështetjen e ndonjë subjekti politik në tërësinë e vet. Është evidente se partitë politike shqiptare në Maqedoni vuajnë nga një çrregullim i fortë bipolar, ndaj të cilit individi racional nuk di si të pozicionohet, e ka të vështirë të interpretojë sjelljen, veprimet dhe, pse jo pastaj, edhe “politikat” që shpesh janë OK në letër, por të pakuptimta e shpesh shterpe si epilog.
Do të ishte hipokrizi të thuhet se të gjithë aktorët politikë që janë pjesë e këtyre partive janë jo të mirë. Nga ana tjetër, duke parë se institucioni parti në MV është krejtësisht i dalë nga shinat, është e logjikshme të vihet në pikëpyetje integriteti edhe i këtyre të mirëve që ndihmojnë në mirëmbajtjen e një sistemi të keq.
Në librin “Against Democracy”, Jason Brennan, në mënyrë ilustrative, kategorizon qytetarët në tre grupe për të analizuar problemet me demokracinë dhe për të argumentuar për një sistem alternativ: epistokracinë (sundimin e të diturve).
Hobbits: Qytetarë apatikë dhe të painformuar, të cilët nuk interesohen për politikën, zakonisht nuk votojnë dhe kanë pak ose aspak njohuri për çështjet politike. Sipas Brennan, këta njerëz nuk kontribuojnë në mënyrë efektive në procesin demokratik për shkak të injorancës së tyre.
Hooligans: “Tifozë të zjarrtë”, militantë të politikës, që kanë pikëpamje të forta politike, por janë të njëanshëm dhe të prirur për të konfirmuar bindjet e tyre ekzistuese, duke injoruar informacionin që e kundërshton atë bindje. Ata votojnë rregullisht, por vendimet e tyre shpesh janë irracionale dhe të ndikuara nga besnikëria ndaj partisë ose ideologjisë.
Vulcans: Qytetarë idealë, të rrallë, të informuar, racionalë dhe të hapur ndaj pikëpamjeve të ndryshme. Marrin vendime bazuar në fakte dhe logjikë, pa u ndikuar nga emocionet ose paragjykimet.
Sipas të njëjtit autor, por edhe shumë të tjerëve kohëve të fundit, arketipi i emërtuar nga Brennan si “Hooligans” apo huliganë, që në fjalorin tonë politik mund të përkthehet si “militantë”, janë makina lëvizëse por edhe e keqja më e madhe që ia merr krejt oksigjenin demokracisë elektorale. Nuk mëtoj të promovoj ndonjë sistem alternativ, sikurse bën Brennan me epistokracinë (sundimin e të diturve), e cila si ideal besoj se çdo kush do ta përkrahte, por teknikat deri te arritja e epistokracisë janë, në rastin më të mirë, të komplikuara e, në më të keqin, jodemokratike. Dua vetëm ta huazoj “huliganë” si kategori përshkruese në funksion të shpjegimit tim këtu.
Prej kësaj më lart, nuk mund të them në cilën kategori përkas unë, por jam i sigurt se, në raport me ndonjë nga partitë e establishmentit aktual politik në Maqedoninë e Veriut, definitivisht nuk jam huligan, apo siç ndryshe mund të quhej militant.
Megjithatë, që ç’ke me të, është e vërtetë se në shumë raste e kam gjetur veten duke vepruar si huligan në raport me Vetëvendosjen dhe pro diskursit të saj.
Nëse në kalkulimin tim këto të parat (partitë politike shqiptare në MV) janë “n’hall e n’dit”! VV, edhe si opozitë por edhe si qeverisje krahasuar me qeverisjet e mëparshme në KS, ka treguar vizion dhe ide të cilat ka mundur t’i shndërrojë në politika konkrete, të dukshme e të matshme. VV ka treguar një koherencë gati religjioze në planin e vet për veriun, edhe atëherë kur dukej se përballej me skepticizmin e opinionit publik për pasojat eventuale. Jemi dëshmitarë se si disa nga elitat, të cilat supozohej se kishin shumë më tepër informacion se ne publiku, u dukën si “gomarë” të vërtetë, kur nuk u materializuan skenarët e tyre apokaliptikë në veri.
Si një huligan/militant për VV-në, edhe pse ndonjëherë i kam ndarë shqetësimet e “gomarëve” të lartpërmendur për veriun, në çdo diskutim jam përpjekur t’i arsyetoj, racionalizoj dhe mbroj aq sa kam mundur e ditur ato qëndrime e veprime, të cilat koha dhe rrethanat në terren na kanë dëshmuar se kanë qenë të duhura e të suksesshme.
Por! Zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit nuk di si ta racionalizoj e shumë më pak ta arsyetoj. Shumë e çuditshme kjo zgjidhje për institucionin më të rëndësishëm të demokracisë. Duket si një “prank”; pres të dëgjoj dikë të thotë: “Ishte një shaka, o njerëz”.
Tash e kuptoj se çfarë do të thotë të jesh militant i vërtetë. Si militantë të mirë do të rrimë urtë, nuk do racionalizojmë, analizojmë e nuk do reagojmë. Njësoj si partia!
Apo, ndryshe nga partia, ndoshta ne mund të arsyetojmë se Basha është “idioti i nevojshëm”, njësoj siç ishte Bahtiri në Mitrovicë apo dikush diku tjetër. Vetëm frikësohem që ky arsyetim të mos kthehet në model ku “idiotët e nevojshëm” shëndrohen në domosdoshmëri e rjedhimisht edhe politika domosdoshmërisht idiote.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.






