Mbi 97 mijë qytetarë pa punë!

    Pas një periudhe të gjatë ku numri i të papunëve kishte shënuar rënie të vazhdueshme, këtë verë shifrat e papunësisë në vend kanë nisur sërish të rriten. Të dhënat më të fundit nga Agjencia e Punësimit tregojnë një luhatje të fortë të tregut të punës, që në muajt e verës është e pazakontë, pasi zakonisht periudha shënon ulje të papunësisë falë angazhimit sezonal. Në maj janë të regjistruar rreth 94 mijë të papunë, ndërsa në qershor numri u rrit në mbi 97 mijë persona. Megjithatë, korriku solli një ulje të lehtë, duke e çuar totalin në 96.618 qytetarë pa punë, pothuajse në të njëjtin nivel me fillimin e vitit.

    Në janar, shifrat e papunësisë ishin mbi 96 mijë, ndërsa në shkurt ato u rritën sërish në mbi 97 mijë. Marsi solli një ulje nën 95 mijë të papunë, për të vijuar më pas me një tendencë rënëse në prill dhe maj, e cila u ndërpre papritur në fillim të verës. Sipas ekspertëve të tregut të punës, këto luhatje dëshmojnë pasigurinë e madhe të punësimit, por edhe dobësinë strukturore të ekonomisë vendase.

    “Rritja e papunësisë në qershor, pikërisht në periudhën kur zakonisht hapen vende pune sezonale, tregon se shumë sektorë nuk po arrijnë të absorbojnë fuqinë punëtore, ndërsa punonjësit e moshuar vazhdojnë të mbeten jashtë tregut të punës. Ky është një sinjal shqetësues për stabilitetin social”, theksojnë nga Agjencia e Punësimit.

    Në fakt, shifrat tregojnë qartë se më të goditurit janë qytetarët mbi moshën 55 vjeç, të cilët kanë shumë më pak gjasa të punësohen nëse humbin vendin e punës. Vetëm në korrik, në grupmoshën 55-59 vjeç ishin të regjistruar 13.618 të papunë, ndërsa tek ata mbi 60 vjeç numri ishte 12.328. Pas tyre, renditen qytetarët nga 50 deri në 54 vjeç me 11.981 persona, si dhe ata nga 45 deri në 49 vjeç, që përbëjnë 11.356 të papunë.

    Të dhënat tregojnë gjithashtu një shpërndarje të qartë të papunësisë sipas moshës. Në grupmoshën 40-44 vjeç janë regjistruar 9.710 persona pa punë, ndërsa tek 35-39 vjeçarët ka 9.405. Për moshat 30-34 vjeç numri është 9.012, ndërsa tek ata 25-29 vjeç figurojnë 8.893 persona. Ndryshe, shifrat më të ulëta i përkasin të rinjve, ku 20-24 vjeçarët janë 8.272 të papunë, dhe vetëm 2.043 persona janë nga mosha 15-19 vjeç – një kategori që për shkak të shkollimit të mesëm nuk është ende aktive në masë në tregun e punës.

    KAMERIERËT DHE SHITËSIT KËRKOHEN MË SHUMË

    Shkalla e vendeve të lira të punës në tremujorin e dytë të vitit 2025 është 2.08%, ndërsa numri më i madh i vendeve të lira të punës, 2008, është në grupin e pestë të profesioneve: Punëtorë në veprimtari shërbyese dhe shitje, tregojnë të dhënat nga Enti shtetëror për statistikë. Rajoni i Juglindor ka shkallën më të lartë të vendeve të lira të punës prej 2.54%. Shkalla më e lartë e vendeve të lira të punës prej 3.77% është në sektorin e Akomodimi dhe shërbimi ushqimor, ndërsa shkalla më e ulët është në sektorin e Administrim publik dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm, që kapin vlerën 0.36%. Subjektet afariste me nga 10 deri në 49 punonjës kanë shkallën më të lartë të vendeve të lira të punës, e cila është 2.69%. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Vetëm 2% e shkupjanëve të kënaqur me autobusët!

    Lajmi i rradhës

    Prodhimi rritet, punëtorë çdo ditë e më pak në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë