Banorët e Aerodromit dhe Novo Lisiçes protestuan të mërkurën në mbrëmje, duke kërkuar një zgjidhje urgjente për deponinë e Vardarishtes. Me pankarta që shkruanin “Kemi të drejtë për ajër të pastër”, ata u bënë thirrje autoriteteve të reagojnë, përcjell Nistori.
Një erë e keqe u përhap në të gjithë vendbanimin mbrëmë, dhe qytetarët e quajtën deponinë kancer për banorët e Shkupit.
Alarmi u dha pas një zjarri të madh që përfshiu deponinë disa ditë më parë, dhe era e fortë vazhdoi të përhapet më tej. Protestat do të vazhdojnë çdo ditë nga ora 18:00 deri në 19:00, në bulevardin ASNOM dhe bulevardin Serbia, përpara urës Kiro Gligorov.
Ndryshe, policia ditë më parë arrestoi tre persona në Vardarishte për të cilët do të ngrihen kallëzime penale.
Një sasi e madhe bakri dhe telash bakri u gjetën në deponinë ilegale. Jozyrtarisht, gjatë aksionit u sekuestrua edhe një marrës kamerash sigurie, përmes të cilit do të përcaktohet përgjegjësia për zjarrin e shkaktuar, si dhe për asgjësimin ilegal të mbeturinave. Një sasi e madhe mbeturinash u gjet në vendin ku po hidhen dhe digjen ilegalisht. /Nistori/






