Kuvendi ka filluar procedurat për formimin e një shërbimi të ri policor vetëm për të forcuar sigurinë e kuvendit. Takimet e para vetëm se kanë filluar dhe po bëhen analiza të ligjeve aktuale.
“Kreu i Kuvendit Afrim Gashi ka mbajtur takim koordinues me ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe ministrin e Drejtësisë Igor Fillkov, për të shqyrtuar ligjet aktuale në drejtim të reformave, ndërsa për hapat e mëtejme, do të mbahet edhe një takim tjetër”, raporton Zekirija Haxhiu – Gazetar.
Në takim kanë marrë pjesë gjithashtu koordinatorit e partive politike, përfaqësues nga kabineti i presidentes, sekretarja e përgjithshme dhe përfaqësues të shërbimeve të Kuvendit. Siç na njoftuan nga Kuvendi, një takim i tillë do të mbahet përsëri muajin tjetër.
“Mbledhja e grupit punues për reforma në shërbimet e sigurisë u mbajt më 17.07.2025. Mbledhjen e udhëhoqi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. Në mbledhje u dhanë udhëzime për shërbimet e Kuvendit dhe Qeverisë, për të bërë analiza të ligjeve aktuale në drejtim të reformave dhe të njëjtën ta prezantojnë në mbledhjen e ardhshme e cila pritet të mbahet gjatë tetorit. Në periudhën që vijon, grupi punues do të punojë në nivel të shërbimeve”, thonë nga Kuvendi.
Siç pati njoftuar më herët kreu i Kuvendit, shtëpia ligjvënëse do të bëhej me polici apo sigurim përkatës vetëm për nevojat e veta. Sipas Gashit, ideja që Kuvendi të ketë sigurimin e tij, pavarëson ligjvënësin, ndërsa në strukturat e kësaj njësie do të ketë vetëm njerëz profesionistë. Pretendimet për angazhimin e kompanive të sigurisë nga jashtë, Gashi i hodhi poshtë si të pavërteta.
Ideja për polici të kuvendit ishte hedhur që në vitin 2017 kur në Kuvend ndodhën trazirat e 27 prillit dhe pikërisht lëshimet që kishin bërë strukturat udhëheqëse të sigurimit, kishin mundësuar futjen e turmës brenda. Në atë kohe për polici Kuvendi ishin interesuar edhe organizatat e jashtme duke sjell propozime se si funksionon modeli gjerman dhe ai kroat. Ideja mbeti në letër për shkak të kostos që parashikonte një reformë e tillë, duke përfshi ligj special, uniforma, hapësira, sistem të ri komunikimi, automjete dhe të gjitha pajisjet e tjera të nevojshme./Alsat/






