Shqipëria vrapon, apo ecën si kërmilli drejt BE…?

    XHEVAT MUSTAFA

    Në Samitin e Komitetit Politik Evropian, zhvilluar në kryeqytetin e Danimarkës, Kopenhagen, më 2 tetor 2025, pasi u tall në vend e kohë të gabuar e për të keqen e vet, edhe me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, për një lapsus të tij me 3 emrat që fillojnë me germën A, Azerbajxhan, Armenia e Albania si dhe pasi “u dha mend” Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u mburr se “Shqipëria po vrapon drejt BE”! Për shumicën e shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve, që e njohin mirë Shqipërinë e këtyre 12 viteve, kjo deklaratë optimiste apo euforike e Edi Ramës është një shaka e zakonshme apo e radhës prej tij.

    Ndërsa ai mburrej në Kopenhagen, në Tiranë e në Shqipërinë mbarë plot fakte dhe ngjarje, edhe të freskëta, e nxirrnin jo të sinqertë e të besueshëm…!? Rreth 515 mijë pensionistë me pensione 100-200 euro në muaj si dhe rreth 150 mijë pensionistë me 200-300 euro në muaj, domethënë rreth 30% e popullsisë së mbetur akoma në Shqipëri, edhe pas marrjes së 400- 600 lekë shtesë më 1 tetor, nga rritja e pandalshme e çmimeve, do të mbeten varfanjakë e vramendas deri në dhembje koke e pagjumësi për jetesë allashqiptare, si në 30 shtator.

    Shumica e qyteteve, përfshirë edhe ato turistikë e lagje të Tiranës, do të vazhdojnë gjatë, edhe pas 80 viteve pas 29 nëntorit 1944, pa ditur deri kur, me 1- 8 orë ujë për higjienë në ditë, edhe pse për nga burimet ujore për frymë Shqipëria është e dyta në Evropë, pas Norvegjisë !? Tirana do të vazhdojë, ndoshta sa Edi Rama me shoqe e shokë të jenë në qeverisje, duke ia ndotur ajrin dhe duke ia zënë diellin dhe hapësira jetike kullat e miliardave të kanabisit shqiptar, Ndraghetas apo të Arubës…! Ndërsa Edi Rama fliste në Kopenhagen duke u mburrur për “sukseset dhe marshimin e Shqipërisë drejt Brukselit”, në disa qytete të Shqipërisë, sidomos ata periferikë e malorë, përfshirë edhe Lezhën turistike, në mbrëmjen e 2 tetorit, si shpesh herë u ndërpre furnizimi me energji elektrike dhe funksionimi i televizorëve!? Kështu, rrjedhimisht u pamundësua shikimi dhe dëgjimi “gojëhapur” nga ekranet e televizorëve i Edi Ramës në kronikat për këtë Samit! Është bërë e qartë dhe kuptuar prej shumë vitesh se realiteti që përjeton shumica e shqiptarëve në Shqipëri nuk është ai që reklamojnë pushtetarët shqiptarë në samite e konferenca ndërkombëtare.

    Kjo ka ardhur edhe për arsyen e shkakun se, për të keqen tonë si popull e si vend, kemi vënë në drejtimin e partive, qeverive, shtetit…disa politikanë, pa u parë me vëmendje e pa asnjë tolerancë CV, diploma, tituj, grada shkencore, kartela mjekësore, dëshmi penaliteti e dosje gjyqësore, deklarime e veprime, që shprehin jo rrallë herë patriotizëm fjalaresk e të pasinqertë…dhe enverizëm, “internacionalizëm proletar”, sorosianizëm, “ballkanhapurizëm”, sionizëm…Për më keq, edhe kur na del dehja apo ekstaza dhe bindemi se prej afro 81 vitesh vazhdojmë të jemi ndër të fundit në Evropë dhe botë për shumicën e treguesve të zhvillimit, nivelit të jetesës, shtetit ligjor e social funksional, të demokratizimit dhe të integrimit…, përsëri nuk ndërrojmë mendje, votë, rrugë…! Nuk çlirohemi edhe nga dozat e forta të fanatizmit dhe militantizmit partiak e të idealizimit të kryetarëve… Pra, ne si popull kemi edhe të keqen, që nuk i vendosim në krye të punëve dhe tavolinave të qeverisjes njerëzit më të ditur, më të aftë, më të mbingarkuar me vepra të vlefshme për vend e popull. Në vend të tyre, janë parapëlqyer dhe vënë përgjithësisht ata që kanë më shumë merita partiake, sidomos në fushata elektorale si dhe që kanë diploma, poste, tituj, grada, dëshmi… të përfituara më së shumti në rrugë jo të pastra…

    Lehtë kuptohet se duke mbizotëruar në institucione qeveritare e shtetërore kuadro të këtij mielli e brumi, punët dhe veprat e tyre, më së shumti, do t’i marrë lumi!? Gjykoj se është shumë shprehës dhe emancipues për ne si vend, si popull, si pozitë dhe opozitë, klasë politike dhe ekip qeverisës, shembulli i Francës. Më 6 tetor 2025 Kryeministri i Francës, Sébastien Lecornu ka dhënë dorëheqjen 24 orë pas formimit të qeverisë dhe 27 ditë pas emërimit të tij. Kështu, në Francë, brenda 2 viteve, 2024 e 2025, ka pasur 5 rrëzime qeverish, kryesisht si rrjedhojë e protestave popullore, për mospërmbushjen e premtimeve, sidomos në drejtim të rritjes së nivelit të jetesës. Kurse në Shqipëri, kur shumica e popullit të tyre, nuk ua “kujton” dhe kërkon, të çojë ndërmend dorëheqjen një kryeministër e një qeveri, edhe kur prej të paktën 10 vitesh, ka “harruar” shumicën e premtimeve dhe të detyrimeve; ka marshuar nga skandali në skandal për korrupsion e paaftësi, është ngjashëm si të përjetohet fundi në gjithësi!

    Fatkeqësisht, faktet, edhe ato fare të freskëta, të këtyre 10 muajve të vitit 2025, nuk flasin për vrapim të Shqipërisë drejt BE-së në zhvillimin ekonomik, në mirëqenie, demokratizim…, por për “bum” në varfërim, korrupsion, emigracion, depresion social, kriminalitet, rritje të çmendur çmimesh… Këto e zhvleftësojnë ndjeshëm edhe “bumin turistik”, që nuk është reflektuar dukshëm në rritjen e të ardhurave tek shumica e popullit! Kjo, sepse nga milionat prej turizmit 5-6 mujor, siç funksion në Shqipëri, pasurohen disa mijëra pronarë hotelesh të mëdha e të mesme si dhe familjet që japin vila dhe apartamente me qira, të cilët, në masë, u shmangen detyrimeve fiskale. Për t’ia ulur ndjeshëm kryeministrit dozën e demagogjisë e të euforisë se “Shqipëria po vrapon (si e çmendur) drejt BE-së”, na ndihmon edhe një informacion i publikuar në Monitor dhe Syri.Net, më 08/08/2025, që mbështetet në një studim nga Eurostat.

    Në Shqipëri paga minimale ka arritur në 405 euro… Ndërsa Serbia, e ka çuar në nivelin e 619 euro dhe Malit të Zi në 670 euro. Edhe pse është rritur, paga në Shqipëri vlen më pak, për shkak të kostos së lartë të jetesës, sidomos të rritjes me 50-100% e më shumë të shumicës së çmimeve. Sipas Eurostat, paga minimale dhe fuqia blerëse në Shqipëri ishin më të ulëtat në Europë në fillim të vitit 2025. Të dhënat më të fundit të Eurostat dhe të “Monitor” tregojnë se çmimet e pajisjeve elektro-shtëpiake në Shqipëri janë sa 145.8% të mesatares së Bashkimit Europian për vitin 2024. Frigoriferët, lavatriçet, sobat, lavastoviljet, etj. në Shqipëri kushtojnë gati 46% më shumë se mesatarja europiane…!? Paradoksalisht e jo rastësisht, për këto pajisje Shqipëria është shumë më e shtrenjtë edhe në krahasim me vendet më të zhvilluara të Europës si Zvicra, Gjermania, Franca, Spanja, Suedia, Norvegjia…!? Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese, sidomos për rrezikshmërinë financiare e shëndetësore, është fakti se nivelit të lartë të çmimeve të shumicës së artikujve, sidomos të atyre ushqimorë dhe të ilaçeve shëndetësore nuk i përgjigjet cilësia e duhur apo e shënuar në mënyrë mashtruese në etiketat e tyre.

    Në shumë raste, konsumatorët shqiptarë blejnë pajisje me çmim të lartë, por me jetëgjatësi të kufizuar, mungesë standardesh dhe garanci jo reale. Sipas një studimi dhe klasifikimi të UNICEF për vitin 2024, publikuar më 12.10.2024, Shqipëria kishte 47% të fëmijëve në varfëri ushqimore. 29% të tjerë përballen me një varfëri të moderuar ushqimore, ku dieta e tyre është ende e paplotë dhe e pamjaftueshme. Në nivel vendi, Shqipëria ka rreth 42% të popullsisë në nivelin minimal të jetesës, me të ardhura mujore për frymë 100-300 euro! Në renditjen globale, Shqipëria, një vend që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian apo që “vrapon drejt BE-së”, ka lënë pas vetëm vende të goditura nga luftërat dhe nga varfëria ekstreme, si Iraku, Kenia dhe Ruanda… Ndërsa në Europë vetëm Taxhikistanin!? Mbështetur në një studim të Eurostat, 38% e familjeve shqiptare nuk janë në gjendje të ngrohin banesat e tyre. Mungesa e ngrohjes qendrore si dhe të ardhurat e ulëta mujore bëjnë që shumë familje t’i ngrohin për pak orë banesat e tyre. Të tjerë e përballojnë të ftohtin vetëm me batanije.

    Këtë panoramë varfërie masive e vërtetojnë apo përforcojnë edhe të dhënat nga një video-mesazh i deputetes së PD, Jorida Tabaku, publikuar në “Balkan Web” dhe “Gazeta Shqiptare”, më 5 tetor 2925. Sipas saj, “Sot një personi për të jetuar në qytetin e Tiranës i duhen 46 mijë lekë të reja vetëm për shpenzimet bazë të jetesës, për ushqim dhe nevoja të tjera, pa llogaritur banesën. Ndërsa një familje me dy fëmijë ka nevojë për 87 mijë lekë në muaj. A mund të jetojë një familje që merr dy paga minimale me këto çmime të rritura? Sigurisht që jo!”. Atëherë, shumëkujt, sidomos shumicës së shqiptarëve, i lind e drejta të pyesin: more, nga i gjeti kryeministri Rama “faktet dhe sukseset”, që u mburr në Danimarkë “ne po vrapojmë drejt BE-së”, kur sipas klasifikimeve serioze shqiptare e ndërkombëtare, kemi mbetur si gjatë 80 viteve, në treshen e fundit në Europë e ndër të fundit në botë. Cilën duhet të besojmë: “përrallën” se po vrapojmë si “pela e kuaj të harbuar” apo atë që përjetojmë e shikojmë me sytë tanë, ecjen si kërmilli drejt BE?! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Ende nuk është identifikuar personi që kreu atentat ndaj Zekirija Shainit

    Lajmi i rradhës

    Civil: RMV pikë interesi për dezinformatat ruse

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë